Shtatzëni, pritje e sigurt me muskujt të fortë
A e dini se si mund të ruajmë formën tonë trupore, përpara, gjatë dhe nga një shtatzëni në tjetrën?
“Shtatzëni” nuk do te thotë që detyrimisht të heqësh dore nga çdo lloj aktiviteti fizik, madje ndodh e kundërta, nëse ju si nënë e re nuk vuani nga ndonjë sëmundje; Aktiviteti fizik, shoqëruar me ushtrimet e përshtatshme gjate 9 muajve, mund të ndihmojë dhe relaksojë si ju dhe fëmijën tuaj.
Me anë të këshillave tona, do të mësoni të menaxhoni trupin tuaj për të përjetuar qetësisht ndryshimet në shtatzëni, por edhe të zbuloni se si mund të qëndroni në formë dhe të përjetoni një feminilitet të ri.
Aktivitetet fizike
Aktiviteti fizik dhe stërvitja luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes shpirtërore dhe ruajtjen e formës fizike te gratë shtatzëna. Studime të ndryshme kanë vërtetuar se femrat që praktikojnë ushtrimet e duhura fizikë përgjatë shtatzënisë shtojnë më pak peshë se ato që nuk e kryejnë këtë regjim. Madje e gjitha kjo ndihmon edhe në humbjen e peshës pas shtatzënisë. E vërteta është se stërvitja e duhur ndihmon edhe një proces më të lehtë gjatë lindjes dhe vetëm një përqindje e vogël e tyre përdorin lindjen me operacion. Por duhet të keni kujdes !!! Sepse shtatzënia në vetvete është një gjendje fiziologjike shumë komplekse dhe duhet treguar shumë kujdes që programi i stërvitjes të mos rrezikojë komplikime. Për më shumë ndiqni udhëzimet e më poshtme.
1. Nëse keni bërë stërvitje para shtatzënisë, do ta keni më të lehtë të vazhdoni ushtrimin tuaj, pa shkaktuar ndonjë dëm gjatë shtatzënisë, të paktën deri nga fundi i saj.
2. Nëse keni vendosur të filloni një program stërvitjeje, duhet të filloni gradualisht duke mos e sforcuar veten.
3. Gjatë stërvitjes duhet të përqendroheni vetëm në ushtrimet që bëni pa u shpërqendruar. Trupi dërgon mesazhe, kur ndjehet i lodhur apo se kur nuk po e përballon dot nivelin e stërvitjes.
4. Asnjëherë nuk duhet të stërviteni deri sa të t’iu merret fryma dhe të mos keni fuqi më. Kjo është një shenjë që bebja dhe trupi nuk po marrin aq oksigjen sa duhet.
5. Vishni rroba të lirshme dhe të rehatshme, si dhe këpucë apo atlete që e mbështesin kaviljen dhe shputën e këmbës.
6. Ndalo për disa minuta për të pushuar në mënyrë periodike dhe pini sa më shumë lëngje për ta mbajtur trupin e hidratuar.
7. Kurrë mos bëni stërvitje në temperatura të nxehta apo sipërfaqe të pjerrëta apo të buta.
10. Stërvitja me pesha duhet të ketë si qëllim përmirësimin e tonusit të muskujve, sidomos atë të barkut, por asnjëherë të gaboni duke ngritur pesha të rënda.
11. Gjatë tremestrit të dytë dhe të tretë evito gjithë aktivitetet që bëhen shtrirë me kurriz ndaj dyshemesë. Kjo shkakton uljen e qarkullimit të gjakut për fëmijën.
12. Bëj ca ushtrime shtendosjeje, si meditimi dhe strecing para dhe pas stërvitjes.
Ndryshime Fiziologjike gjatë shtatzënisë, që ndikojnë në aftësinë për të bërë stërvitje:
Mushkëritë dhe Frymëmarrja
Gjatë shtatzënisë, numri i frymëmarrjeve për minutë rritet. Trupi punon dhe më shumë për të ushqyer me oksigjen fetusin që po rritet në mitër. Ky proces e ul sasinë e oksigjenit në dispozicion për t’u stërvitur dhe ul rezistencën e trupit dhe të bën të ndjehesh sikur po të merret fryma.
Muskuloskeletore
Muskujt e mesit krijojnë më tepër kurbature dhe qendra e gravitetit ndryshon për shkak të peshës së fëmijës. Ky ndryshim në qendrën e gravitetit krijon ndryshime në balancën e trupit dhe kërkon një përshtatje nga pozicioni i qëndrimit drejt, për të mos shkaktuar dhimbje dhe dëme. Kjo vërehet më shumë gjatë tremestrit të tretë kur pesha e fëmijës është e konsiderueshme.
Metabolizmi
Gjatë shtatzënisë trupi i përdor karbohidratet më shpejt se kurrë, por edhe stërvitja e rrit metabolizmin e karbohidrateve. Këto faktorë mund të shkaktojnë ulje të sheqerit në gjak dhe kjo është e rrezikshme për fëmijën.
Sistemi Kardiovaskular
Volumi i gjakut rritet prej 40%, ndërsa rrahjet e zemrës rriten prej rreth 15 rrahje për minutë gjatë shtatzënisë. Megjithatë me rritjen e shpejtë të fëmijës qarkullimi i gjakut ne trup mund të çrregullohet duke krijuar marramendje.
Pasojat e stërvitjes që mund të ndodhin gjatë Shtatzënisë janë:
Gjatë stërvitjes qarkullimi i gjakut ulet në organet e brendshme dhe rritet në muskuj, mushkëri dhe zemër për të përballuar stresin fizik. Rekomandohet që stërvitja të jetë e lehtë dhe e shkurtër për të parandaluar problemet.
Rritja e temperaturës së trupit
Stërvitja në vetvete e rrit temperaturën e brendshme të trupit. Rritja e tepërt e temperaturës mund ta dëmtojë fetusin në mitër prandaj rekomandohet që të evitoni sa më shumë stërvitjen në temperatura të nxehta dhe me lagështirë të shumtë.
Përgatiti
Fiorela Cavo Fizioterapiste / Psikomotriciene