Matura, 34 mijë maturantë në provimin e Gjuhë-Letërsisë
Plot 34 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës, Gjuhë-Letërsi, një shifër kjo pak më e ulët krahasuar me vitin e kaluar, ku në këtë testim morën pjesë 37 500 të rinj. Ndërkaq, pothuajse i njëjtë me provimin e Gjuhë-Letërsisë parashikohet të jetë edhe numri i maturantëve që do të marrin pjesë në provimin e Matematikës, ndërsa për dy provimet me zgjedhje kjo shifër do të ketë një rritje të konsiderueshme, pasi për çdo vit është vënë re një interesim edhe më i madh i maturantëve të vjetër për të vazhduar studimet e larta, duke aplikuar nëpërmjet formularit A1Z. Pas dy javësh maturantët do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës, atij të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, ndërkohë që edhe këtë vit testi do të ketë 25 pyetje, të cilat do të jenë të shkëputura nga programet mësimore. Specialistët e Ministrisë së Arsimit shpjegojnë disa nga detajet e këtij procesi, ku një ndër risitë e pazbuluara është edhe fakti se këtë vit maturantët nuk do ta kenë më të drejtën për të kontestuar pikët e marra në provime. Kështu, ndryshe nga maturat e mëparshme, maturantët nuk do të kenë mundësi të ankimojnë provimet e tyre, pasi, sipas specialistëve të arsimit, një test do të kalojë në tre grupe vlerësuesish. “Nuk ka ankimim dhe nuk ka vjeshtë. Do të aplikojmë një vlerësim të trefishtë, që do të thotë që dy vlerësuesit korrigjojnë në dhoma të veçanta dhe në rast se ata nuk bien dakord për një test që është atje, atëherë vjen pala e tretë, që është një specialist me përvojën më të mirë. Mendimi i tij është i formës së prerë dhe përfundimtar”, - deklaron specialisti i arsimit parauniversitar në MASH, Ndriçim Mehmeti. Edhe këtë vit, maturantët e shkollave private do të testohen në ambientet e shkollave publike, për t’i vënë në kushte të barabarta konkurrimi. Lidhur me detajet e katër provimeve të Maturës, Mehmeti shprehet se “Në 2 orë e gjysmë do të kenë 25 pyetje për provimet e detyruara, që janë përkatësisht Gjuhë dhe Letërsi shqipe dhe Matematika, dhe do të kenë nga 20 pyetje për provimet me zgjedhje që janë dy, dhe do jenë 40 pyetje për 4 orë. Është parashikuar të ketë të njëjtën skemë me vitin e kaluar. 13 pyetje me alternativa dhe 12 me zhvillim”. Javën e ardhshme, të gjithë hartuesit e tezës së provimit të parë të Maturës, do të “ngujohen” pranë Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve dhe do të dalin prej aty vetëm pasi të ketë përfunduar provimi. Më tej, pas çdo provimi të Maturës Shtetërore 2011, në secilën nga 6 qendrat e vlerësimit do të funksionojë në mënyrë permanente një grup i administrimit dhe i monitorimit të testeve, me përbërje si më poshtë: një përfaqësues i AKP-së; një përfaqësues i DEPU; një përfaqësues i DAR-së përkatëse. Për drejtimin teknik të procesit të vlerësimit, AKP-ja do të caktojë në çdo qendër e për secilin provim dy specialistë. Këtë vit, testet për provimet e Maturës Shtetërore do të hartohen dhe administrohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP), mbi bazën e programeve orientuese lëndore përkatëse. Aktualisht, DEPU dhe AKP kanë përcaktuar sasinë dhe llojin e testeve që nevojiten për secilin nga provimet e Maturës (të detyruara dhe me zgjedhje). Sikurse procesi i administrimit dhe i zhvillimit, edhe ai i hartimit, dhe vlerësimit do të bëhet sipas rregullores së Maturës. Sipas nenit 58 të kësaj rregulloreje, vlerësimi i testeve do të ndjekë këtë procedurë: pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit. Skema e vlerësimit është standard vlerësues i njëjtë për çdo maturant/kandidat. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga maturanti/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve/kandidatëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar. Testet e provimit të Maturës vlerësohen nga vlerësues të jashtëm. Drejtori i AVA-s, në bashkëpunim me DEPU të MASH, përzgjedh vlerësuesit e jashtëm dhe përgjegjësit e tyre. DEPU dhe AVA organizojnë, jo më vonë se një muaj përpara provimit të parë të Maturës, trajnimin intensiv të vlerësuesve.