E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat

26-07-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, vizitë zyrtare në Bullgari

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari, ku është pritur në takim nga ministri i Jashtëm të Bullgarisë, Nickolay Mladenov. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, dialogun politik, bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh. Kreu i diplomacisë shqiptare Haxhinasto vlerësoi se klima e dialogut politik midis dy vendeve duhet të përkthehet në një bashkëpunim konkret në përftim të përbashkët. Ai theksoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe për çështje të integrimit rajonal.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, duke e vënë theksin në projektet e infrastrukturës, të energjisë, turizmit, arsimit.
Po ashtu, Haxhinasto nënvizoi nevojën për rivitalizimin e shkëmbimeve tregtare, duke ofruar mundësi njohje më të mira për komunitetet respektive të biznesit.
Haxhinasto vlerësoi mbështetjen që Bullgaria i ka ofruar dhe i ofron Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shprehu interesimin e Shqipërisë për të thelluar më tej bashkëpunimin, në kuadër të integrimit në BE dhe për shkëmbimin e përvojës bullgare në këtë drejtim.
Ministri i Jashtëm bullgar Mladenov vlerësoi reformat dhe arritjet e Shqipërisë dhe u shpreh se qytetarët shqiptarë meritojnë të marrin mesazhin nga BE, që janë pjesë e procesit të integrimit evropian. Ky proces nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i politikës së brendshme” – u shpreh ai. Bashkëbiseduesit rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për mbylljen e procedurave të marrëveshjeve dypalëshe që ndodhen në proces.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto vlerësoi rolin e Bullgarisë për stabilitetin e rajonit, për njohjen dhe mbështetjen e pavarësisë së Kosovës. Ai nënvizoi se Shqipëria dhe Bullgaria kanë objektiva të përbashkëta në rajon dhe ndajnë të njëjtin vizion. Ky partneritet, tha ai, kontribuon për integrimin rajonal, për integrimin në strukturat euro-atlantike, si dhe për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Haxhinasto dhe Mladenov ranë dakord për një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë të qëndrimeve lidhur me çështje të rëndësishme ndërkombëtare, si për zhvillimet në Libi, Tunizi, Lindjen e Mesme, etj. Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe në mbështetjen e kandidaturave reciproke në këto organizata. Gjatë vizitës në Sofje, zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Haxhinasto dhe Ministri Mladenov vizituan Ambasadën norvegjeze në Bullgari,  ku nënshkruan librin e ngushëllimeve për tragjedinë e së premtes në Oslo, gjatë së cilës mbetën të vrarë të paktën 93 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Gjithashtu, z. Haxhinasto pati dhe një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Brendshëm të Bullgarisë, Tsvetan Tsvetanov. 
Haxhinasto, Tsacheva: “Bashkëpunim rajonal për proceset e integrimit”/Gjatë vizitës zyrtare në Sofje, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, pati një takim me Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy parlamenteve. Zëvendëskryeministri Haxhinasto tha se dimensioni i bashkëpunimit parlamentar është një vlerë e shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe proceseve integruese në rajon.
Ndër aspektet e bashkëpunimit dypalësh u nënvizua infrastruktura, transporti dhe turizmi.
Kryediplomatja bullgare theksoi se qytetarët e dy vendeve duhet të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe këtij qëllimi i shërben edhe ndërtimi dhe përfundimi i Korridorit 8.
Haxhinasto vlerësoi asistencën e parlamentarëve bullgarë si në planin dypalësh, ashtu dhe në nivel të Parlamentit të Bashkimit Europian. Haxhinasto theksoi se priste me kënaqësi të shihte znj. Tsacheva në Tiranë së shpejti, në përgjigje të ftesës së Kryetares së Kuvendit znj. Topalli. Ai shprehu bindjen se kjo vizitë do të nxisë më tej bashkëpunim ndërparlamentar, sidomos në kushtet aktuale, kur Shqipëria përgatitet të marrë statusin e vendit kandidat për në BE

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›