Ishinger: Prishtina-Beogradi,sërish në negociata të reja
Në një deklaratë plotësisht surprizuese, ish-ndërmjetësi i BE-së për statusin e Kosovës, ambasadori Volfgang Ishinger, ka paralajmëruar hapjen e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës mes Prishtinës dhe Beogradit. Ishinger tha për BBC-në se procesi i ri i negociatave mund të ndodhë pas disa vjetësh. Ai i këshilloi të dyja palët të tejkalojnë kundërthëniet mbi çështjet e statusit në një proces që do të zhvillohet vetëm me kërkesën e tyre. Serbia ka shprehur shpesh kërkesën për t’u ulur përsëri në bisedime për çështjen e statusit, nëpërmjet deklaratave të kreut të shtetit, Boris Tadiç. Por kërkesat e tij janë refuzuar kategorikisht nga elita politike në Kosovë, të cilët kanë deklaruar se pranojnë të ulen në një tryezë përsëri me serbët, por për të diskutuar si vende fqinje dhe të mos prekin çështjen e statusit, e cila për ta është zgjidhur një herë e përgjithmonë. Kërkesat e Tadiç nuk janë drejtuar vetëm nga pala kosovare, por edhe nga BE, në çdo samit dhe në çdo takim tjetër ndërkombëtar ku presidenti serb ka pasur të drejtën e fjalës. Ishinger nuk përcaktoi nëse palët do të ulen si shtete fqinje në diskutim apo në kushtet që parashikon Beogradi, por tha se të dyja palët duhet të arrijnë një të ardhme së bashku, pa kufij dhe nën ombrellën e BE-së dhe se zgjidhja më e mirë do të ishte integrimi i shqiptarëve dhe serbëve në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Ambasadori gjerman ka shfaqur besimin e tij se ideja që ai ka shtruar gjatë procesit negociator, për një status bazuar në marrëveshjen e dy shteteve gjermane në vitin 1973, do të rishtrohet sërish si mundësi e zgjidhjes së statusit të Kosovës (dy shtete që kishin dy sisteme krejtësisht të ndryshme, që besonin fuqimisht se kurrë s’do të hiqnin dorë nga besimet e tyre politike fundamentale). “Po të ishte vetëm në varësi të mendimit të Treshes, ne do të kishim gjetur një zgjidhje të mesme, e cila ishte zgjidhja e dy Gjermanive e vitit 1973”, tha Ishinger. Megjithatë diplomati gjerman ka pohuar se në negociata ai ka marrë si bazë paketën e Ahtisarit, e cila i caktonte Kosovës statusin që ajo u detyrua të vetshpallet disa muaj më vonë. “Pas tetë vjet të administrimit të Kosovës nga OKB-ja, a do të ishte një vlerësim real që në një mënyrë popullatës së Kosovës t’i thuhej se tani do të rikthehej nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e Beogradit? Sinqerisht, për mua gjithnjë ka qenë e vështirë ta parafytyroj këtë skenar pa trazira dhe, madje, gjakderdhje. Unë kam menduar se pas tetë vjetësh kjo nuk ishte rruga reale përpara”, tha ai. Ishinger shprehu besimin se “Situata për Prishtinën nuk është aspak negative, sepse vendet më të fuqishme ekonomikisht e kanë pranuar Kosovën”.