E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, ish-të përndjekurit japin alarmin: Pallati ynë po shembet

Godina e ish-konviktit të shkollës industriale, ku prej 19 vjetësh jetojnë familjet e ish-të përndjekurve politikë, rrezikon të shembet. Ndonëse specialistët e urbanistikës kanë konfirmuar rrezikun e shembjes, asgjë nuk është bërë për rikonstruksionin e godinës tejet të amortizuar.

Banorët ankohen se jetojnë me vdekjen në mes të shtëpisë, ndërkohë që autoritetet lokale tregojnë se ndodhen në fazën e fundit të procesit të privatizimit të godinës në fjalë.

Ish-konvikti i shkollës industriale është një godinë trekatëshe që ndodhet në afërsi të qendrës së qytetit të Fierit, rreth 300 metra larg bashkisë. Që nga viti 1992, konvikti humbi funksionin e mëparshëm dhe u zaptua nga familjet e përndjekura gjatë regjimit komunist. Fillimisht në dhomat e konviktit u vendosën më shumë se 80 familje, ndërsa sot atje jetojnë 50 familje me më shumë se 260 frymë.

Shenjat e shembjes së godinës janë të dukshme. Banorët tregojnë se godina nuk është rikonstruktuar asnjëherë, pasi edhe pronësia për të nuk u është njohur. Shkallët dhe muret kanë të çara të dukshme, ndërkohë që dritaret dhe banja e përbashkët në çdo kat janë kthyer në mjedise të rrënuara, ku çka është brenda duket jashtë. Në katin e tretë jetojnë 8 familje, secila prej tyre ka më shumë se pesë anëtarë. Liri Salillari, njëra prej banoreve, shprehet se bashkëshortin e ka të paralizuar dhe pesë pjesëtarët e tjerë të familjes jetojnë në dy dhomat që kanë mundur të zaptojnë. Por tani, pas afro 19 vjetësh, ajo thotë se tavani i godinës është në prag shembjeje. Ajo thotë se shirat e fundit kanë ndikuar edhe më shumë për këtë fenomen. "Jo vetëm që pikon, por ka krijuar të çara të thella në tavan. Asnjë nga dy dhomat nuk i kam të sakta. Vitin e fundit kanë filluar edhe muret të çahen. Jetojmë çdo ditë me frikë", thotë Liria.

Rubie Rama është një tjetër banore e katit të fundit. "Kemi frikë. Jemi 10 frymë në një banesë me sipërfaqe 50 metra katrorë. Kur dalluam shenjat e para të shembjes, vendosëm të flinim të gjithë në korridor. Disa ditë më vonë e sfiduam frikën dhe u rikthyem në dhomat e çara dhe të dëmtuara. Tani më shumë rrimë zgjuar sesa flemë. Na sfiliti ankthi dhe frika e shembjes", thotë gruaja. Banorët thonë se do ta padisin bashkinë e qytetit nëse ajo nuk merr masa të menjëhershme.

Nga ana tjetër, në Bashkinë e Fierit, shefi i zyrës juridike, Luan Çala, thotë se bashkia është në procesin e fundit të privatizimit të godinës dhe më pas ka projekt konkret për të ndërhyrë, duke ndërtuar një pallat të ri, ku do të sistemohen këto familje. Ndërsa në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Fier, kryeregjistruesi, Tomor Allkushi, është shprehur për gazetën "Shqip" se është përfunduar kalimi i godinës në pronësi të bashkisë dhe tashmë po bëhen aktet e pronësisë për çdo familje. Ajo që zvarriti më shumë problemin në fjalë lidhet edhe me procedurat disavjeçare të kalimit të ish-konviktit nga pronë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, në pronën e bashkisë së qytetit.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›