Meta: Sistemi spanjoll deformues, të ndryshohet

Ilir Meta
Kreu i LSI-së kërkon ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor.
Kërkohet proces konstruktiv për një President funksional
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësi dje të dështuar modelin spanjoll për zgjedhjet, ndërsa ka shtuar se vendi ka nevojë për një sistem të ri zgjedhor. I pranishëm në konventën e Lëvizja e Gruas për Integrim, Meta deklaroi se Kodi Zgjedhor kërkon patjetër gjetjen me konsensus të një formule të re me qëllim që vota të jetë e barabartë dhe të numërohet drejt. Qëndrimi i LSI është që vota duhet të jetë e barabartë. Varianti i ashtuquajtur spanjoll, që është një variant deformues dhe diskriminues, duhet të arkivohet dhe duhet gjetur mënyra për të arritur një konsensus pavarësisht nga puna, sepse ka disa të tillë, që vota e qytetarëve shqiptarë të jetë e barabartë. Është e shprehur qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, u shpreh kreu i LSI-së. I pyetur nga gazetarët lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, Meta kërkoi zhvillimin e një procesi konstruktiv. Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar për një proces konstruktiv. Një proces i tillë, absolutisht do të sillte një President tepër funksional, në drejtim të përmbushjes së misionit të tij kushtetues, rolit të tij edhe si simbol i unitetit kombëtar, por edhe si një garant i funksionit të institucioneve të pavarura, dhe efikas, u shpreh Meta. Gjatë Konventës së Lëvizjes së Gruas për Integrim, Meta e ka vënë theksin te strategjia e LSI-së për rritjen e përfaqësimit të gruas në politikë si në nga elementet kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Pas fjalimeve të rastit, 700 delegatë të Lëvizjes së Gruas për Integrim në qytetin e Durrësit, sipas parimit Një anëtar, një Votë votuan për kreun e LGI-së, për dy kandidatet Fjorentina Muhametaj dhe Ferteza Izvira.
Partitë
Aleatët kryesorë të Partisë Socialiste lëshuan një apel të fortë ndaj liderit të opozitës, Edi Rama, për të pranuar kërkesën e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Ata paralajmëruan dhe divorcin nga koalicioni. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së, Paskal Milo, Nard Ndoka i PDK-së dhe Petro Koçi i PSV91, kanë fajësuar dje kryesocialistin Rama se ka tradhtuar marrëveshjen me aleatët, duke ripërsëritur skenarin e vitit 2009.