Një objekt kulti që kërkon më tepër kujdes
Në një kodër të bukur dominuese, në jug të një masivi shkëmbor, afër fshatit Tudas në zonën e Oparit, rrethi i Korçës, ndodhet kisha e Shën Triadhës së Lavdarit. Ajo prej vitesh është shpallur monument kulture dhe ruhet nga shteti. Kjo kishë është e veçantë në llojin e saj, jo vetëm për zonën e Oparit dhe rrethin e Korçës, po për mbarë vendin. Për ndërtimin e kësaj kishe na flet Gjon Muzaka në "Memorien" e tij të vitit 1510. Familja fisnike e Muzakëve e kishte traditë që herë pas here të ndërtonte kisha në vende të ndryshme në të cilat ishin varrosur edhe disa pjesëtarë të kësaj familjeje. Kështu vepruan ata edhe për kishën në fshatin Bungë dhe në Erostë pranë Zerecit të sotëm, kështu vepruan edhe për Kishën e Shën Triadhës së Lavdarit. Sipas "Memories", kishën e Shën Triadhës e ndërtoi Kirana Muzaka rreth vitit 1470. Kjo Kirana Muzaka ishte gjyshja e Gjon Muzakës. Emri Kirana - Qyrana (zonja Ana) ishte mjaft i përhapur në zonën e Oparit deri kohët e fundit. Vlerën kësaj kishe nuk ia shton vetëm vjetërsia e saj, po edhe mënyra e veçantë e ndërtimit. Ajo është pa trarë, me kube, me mure guri të thatë. Është e stilit bizantin, në formë kryqi, i vetmi objekt i këtij lloji në vendin tonë që ka mbetur ende në këmbë me vlera të mëdha arkitektonike. Për nga vjetërsia, studiuesit e ndryshëm këtë kishë e bëjnë të njëkohshme me Shën Mari vllahernën e Beratit dhe kishën e Shën Ristozit të Mborjes. Ka mbi 500 vjet që ky objekt i ka rezistuar shiut e dëborës atje në majë të asaj kodre, larg qendrave të banuara. Ka mbi 500 vjet që rreth kishës dhe brenda saj janë strehuar shumë njerëz që i zinte nata rrugës apo për t‘u mbrojtur nga moti i keq. Shumë vite kaluan, shumë luftëra e kohë të turbullta rrodhën, shumë njerëz hynë e dolën në të për t‘u falur apo për të kaluar natën, bile edhe asqerë turq e andartë grekë, ushtarë italianë e gjermanë, po kishën nuk e trazuan, nuk e dëmtuan. Vinin aty vendas apo të huaj, merrnin çelësin që ishte mbi derë, kryenin ceremonitë e rastit, linin edhe ndonjë dhuratë të vogël dhe largoheshin. Vetë njerëzit, nga besimi dhe respekti që kishin, e kanë ruajtur kishën brez pas brezi. Tregojnë se një jetë të tërë xha Goli dhe më vonë xha Todhri nga Lavdari i Oparit shërbyen e u kujdesën vullnetarisht pa u thënë e pa i detyruar njeri, pa shpërblim, kur ende nuk kishte Atelie Monumentesh dhe e mbajtën atë në këmbë. Kisha deri në vitin 1967 ishte e vizitueshme me ikona e afreske, po pastaj filloi shkatërrimi i saj. Veçanërisht pas vitit 1990 kisha herë kishte kujdestar nga Atelieja e Monumenteve, herë jo. Një herë ishte me derë, një herë jo dhe hynin bagëtia e kafshët e egra. Shumë herë ajo pikonte dhe afresket e shumta e me vlerë që mbulonin muret u dëmtuan, kanë mbetur fragmente, suvaja ra. Më vonë filluan të binin edhe muret, ra ajodhima në pjesën lindore, ra edhe muri në anën jugore. Atelieja e Monumenteve në Korçë bënte sehir, nuk mori asnjë masë. Komuna e Lekasit, megjithëse fshatarët kishin lajmëruar disa herë që kisha po binte, përsëri nuk u interesuan për të. Atëherë, vetë disa fshatarë nga Lekasi me iniciativë të Belul Rukës, vullnetarisht, duke siguruar disa materiale, punuan disa ditë dhe ngjitën muret e rrëzuara. Ata bënë aq sa mundën dhe u munduan që të ruanin origjinalitetin e ndërtesës dhe veçanërisht të çatisë. Kjo ndërhyrje në momentet e duhura bëri që kisha të mos rrëzohej më tej e të shpëtohej ky monument nga prishja përfundimtare. Në fillim të këtij viti, nga presionet e shumta të fshatarëve, Atelieja e Monumenteve ngarkoi dikë për të kryer disa punime e për të zënë disa pika të kishës dhe kjo punë u bë po këto punime janë krejtësisht të pjessshme dhe të pamjaftueshme. Pse e themi këtë? E themi se tani gjendja e kishës nuk pret më. Afresket në mure janë dëmtuar aq shumë sa kanë mbetur fragmente. Copa suvaje kanë rënë dhe figurat në shumicën e tyre nuk dallohen plotësisht. Muret e jashtme gjithashtu dhe çatia përsëri kanë rrezik të bien, pasi punimet që u bënë vullnetarisht, të përmendura më lart, ishin sa për të ndaluar rënien plotësisht dhe nuk u kryen sipas parametrave teknikë. Nisur nga kjo gjendje themi se ky monument i rëndësishëm kulturor kërkon më tepër kujdes. Në radhë të parë duhet të ndërhyhet urgjentisht për restaurimin e disa afreskeve. Ndoshta jo të gjitha, se nuk është e mundur që ato që janë dëmtuar shumë, të rikthehen përsëri, po për disa të tjera mund të bëhet diçka dhe të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet e të ndalet shkatërrimi e prishja e mëtejshme. Po kjo gjë duhet bërë edhe për muret dhe sidomos për çatinë. Kërkohet që punimet dhe restaurimi të bëhen sipas kërkesave teknike nën drejtimin e një specialisti të kësaj fushe. Vetëm nëse veprohet kështu, mund të themi se kisha e Shën Triadhës së Lavdarit të Oparit do të vazhdojë të qëndrojë në këmbë e do të shpëtojë nga prishja e shkatërrimi i plotë. Dhe për këtë janë të gjitha mundësitë, vetëm kërkohet kujdes më i madh nga Atelieja e Monumenteve dhe organet e tjera që kanë detyrë ruajtjen e monumenteve të kulturës, kësaj pasurie me vlerë për vendin tonë.