E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një “Nobel” për Monika Hauser

06/12/2008  Monika Hauser, presidentja e shoqatës “Medica Mondiale”, vlerësohet me çmimin alternativ të “Nobelit”. Aktivistja e njohur në botë njihet në Shqipëri për kontributin e saj që nga viti 1999 gjatë krizës kosovare dhe më 2000, duke krijuar shoqatën “Medica Tirana” për t’u ardhur në ndihmë grave shqiptare. Çmimi “Right Liverlihood Award” i akordohet në ceremoninë e organizuar nga fondacioni me të njëjtin emër më datën 8 dhjetor në Stokholm për kontributin e saj human në ndihmë të grave në vende të ndryshme të botës. Monika Hauser lindi në vitin 1959 në Zvicër. Ajo studioi mjekësi në Innsbruk, ku përfundoi edhe doktoraturën po në këtë fushë në vitin 1984. Pasi u diplomua në Universitetin e Bolonjës dhe siguroi licencën mjekësore gjermane në vitin 1988, punoi si asistente në një klinikë gjinekologjike në Esen. Në vitin 1989 ajo përfundoi specializimin në fushën e gjinekologjisë dhe punoi për disa vjet në Kolonjë dhe në vende të tjera.

Nga viti 1992 deri në vitin 1994 Monika Hauser planifikoi, ngriti dhe më vonë drejtoi një qendër terapie për gratë bashkë me eksperte boshnjake, e cila u quajt “Medica Zenika”. “Medica Mondiale” u rrit gradualisht edhe në lidhje me këto aktivitete.

Gjashtë vjetët e tjerë do ta gjenin Monikën duke e zhvilluar më tej “Medica Mondialen” dhe kapacitetin e saj si një anëtare e bordit. Në të njëjtën kohë ajo punoi edhe te “Zenika”.

Në vitin 1999 ajo inicioi projektin “Medica Mondiale Kosovë”. Në vitin 2000 Monika Hauser u caktua drejtuesja profesionale dhe politike e “Medica Mondiales”. Përveç drejtimit të “Medica Mondiale” si një organizatë e të drejtave të njeriut, qëllimi kryesor i Monika Hauser është ndërgjegjësimi i opinionit publik dhe marrëdhëniet me publikun. Ajo vazhdimisht është lektore në kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare, duke prezantuar punën e “Medica Mondiales” në opinionin publik dhe në panele profesionale. Monika Houser u ngarkua me detyrën për të zhvilluar një model të trajnimit, pas të cilit mori certifikatën si “Këshilluese psikosociale për gratë” në Kosovë. Gjithashtu që nga viti 2002 ajo ka qenë aktive si trajnuese për programin e kualifikimit të “Medica Mondiale” për mjeket afgane, infermieret dhe mamitë në Kabul.

Monika Hauser është vlerësuar me çmime të shumta, si çmimi “Gustav-Heinemann”, “Annette Barthelt” dhe “Peter Beier” i Kishës Luterane Gjermane. Po ashtu edhe çmimin “Rotary” të Trentinos.

Në vitin 1993 ajo u zgjodh “Femra e vitit” nga një televizion i rëndësishëm gjerman - “ARD”. Ajo ktheu titullin “Kryqi i Meritës” të Gjermanisë Federale si shenjë proteste ndaj rezolutës së ministrit të Brendshëm për riatdhesimin e refugjatëve të Bosnjës në vitin 1996.

Monika Hauser është zgjedhur anëtare e iniciativës “1000 gratë për paqen”, e cila është kandiduar për çmimin “Nobel” në vitin 2005.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›