E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti drejt rekordit, 1 milion pasagjerë të përpunuar vit

06/12/2008  Pritet fluks për festat e fundvitit

DURRES- Porti i Durrësit mund të shënojë rekordin e rreth 1 milion pasagjerëve të përpunuar në një vit. Burime nga Autoriteti Portual në Durrës kanë bërë të ditur se për periudhën 10-mujore të këtij viti në portin e Durrësit kanë hyrë dhe kanë dalë 690 889 pasagjerë në total, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë regjistruar 672 953 pasagjerë në hyrje dhe dalje. Këtë vit shifra e pasagjerëve të përpunuar është rritur me 17 936 pasagjerë, ndërkohë që në dy muajt e mbetur nëntor dhe dhjetor, mendohet se numri total i pasagjerëve mund të shkojë deri në 1 milion. Kjo besohet se do të arrihet pikërisht gjatë këtij muaji, për shkak se shumë emigrantë shqiptarë pritet të kthehen në atdhe për të festuar festat e fundvitit, Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, si dhe festën e Kurban Bajramit që është këtë të hënë në datë 8 dhjetor. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se nga shifra e 690 889 pasagjerëve, afro 400 mijë janë shtetas shqiptarë, kurse 193 mijë janë shtetas të huaj dhe 102 mijë janë të mitur. Në krahasimin që APD ka bërë në të dyja periudhat kohore të vitit 2007 dhe 2008, rezulton se shifra totale e përpunimit të pasagjerëve si 10-mujor i vitit 2008 është rritur me 3 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›