"Një OKB ", Model i bashkëpunimit të sukseshëm mes qeverisë dhe UNDP-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha vlerësoi të shtunën bashkëpunimin e suksesshëm të qeverise shqiptare dhe UNDP-së, veçanërisht nëpërmjet projekteve të ndryshme për zhvillim që janë ndërmarrë në kuadër të programit pilot "Një OKB". Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, Ministri Basha priti sot në një takim z. Ad Melkert, Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i OKB-së dhe Administrator në detyrë i UNDP-së, të cilin e informoi mbi reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Këto reforma, tha Ministri Basha, garantuan që në prill 2009 Shqipëria të jetë vend anëtar i NATO-s dhe një vend i asociuar i Bashkimit Evropian, duke përmbushur në këtë mënyrë aspiratat e popullit shqiptar. Programi "Një OKB", sipas ministrit të Jashtëm, përputhet më së miri me objektivat e reformave të qeverise shqiptare, duke përfshirë edhe disa fusha të rëndësishme si, "mbështetja e prioriteteve të integrimit europian të vendit, çështjet e barazisë gjinore, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, mirë-qeverisjen, mbrojtjen e mjedisit etj". Z. Melkert vlerësoi reformat e qeverisë në tre vitet e fundit si dhe shprehu konsideratat e tij mbi angazhimet e qeverise shqiptare për të siguruar suksesin e programit pilot "Një OKB", i cili po zbatohet në vendin tonë, në kuadër të reformës menaxheriale të sistemit të Kombeve të Bashkuara. Duke vlerësuar arritjet e deritanishme të këtij programi, z. Melkert falënderoi qeverinë shqiptare për këtë kontribut real dhe shprehu angazhimin e tij për rritjen e fushave të bashkëpunimit mes agjencive të zhvillimit të OKB-së dhe qeverisë shqiptare. Në janarin e vitit 2007, Shqipëria u përzgjodh së bashku me 7 vende të tjera të botës për testimin e programit mbarëbotëror të reformës së Kombeve të Bashkuara. Programi "Një OKB", u nënshkrua në 24 tetor 2007 nga Qeveria shqiptare dhe Kombet e Bashkuara. Objektivi i këtij programi është të sigurojë mbështetje më të mirë për Shqipërinë në arritjen e qëllimeve të saj për integrimin e vendit në BE.
...