E Diel, 1 Nëntor 2026

PD firmos koalicionin me PR-në - lista të ndara kandidatësh dhe marrëveshje parazgjedhore

Ka nisur edhe formalisht përvijimi i koalicionit të madh të së djathtës, i cili do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme me një marrëveshje paraelektorale. Pas bashkimit të PDR-së me PD-në dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje elektorale mes PD-së dhe PAD-së, dje ka qenë radha e konfirmimit të aleancës me republikanët, njërit nga aleatët më të vjetër të kryeministrit Berisha. Për kreun e qeverisë Sali Berisha, koalicioni që do të çojë drejt një mandati të dytë të djathtën, do të jetë një bashkim i gjerë, ashtu sikurse tha kreu i qeverisë, solli në fitore katër vjet më parë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. “Koalicioni do të jetë i gjerë. Ky koalicion u hap me aleatin kryesor. Në katër vjet ky koalicion e shndërroi Shqipërine nga vendi i krimit në vendin që e votuan në 27 parlamentet e vendeve europiane, dhe 26 vendet e NATO-s”, theksoi kryeministri Berisha. Kurse kreu i republikanëve Fatmir Mediu e vlerësoi kontributin e përbashkët të dy forcave aleate, duke u ndalur në veçanti tek përmbushja e njërit prej angazhimeve që e përafroi Shqipërinë me vendet anëtare të NATO-s dhe që pritet të formalizohet në fillim të muajit prill. Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar nga dy liderët e partive, kryeministri Berisha dhe republikani Fatmir Mediu synon t’i sjellë një mandat të dytë koalicionit të djathtë qeverisës si dhe vlerëson bashkëpunimin konkret të dy partive në kuadrin politik dhe institucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përafrimin e Shqipërisë në strukturat e familjes europiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›