E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje Pogradec i pandalshem tani eshte kampion i dimrit

Kategoria I

Ky Pogradec është i pandalshëm dhe e meriton plotësisht titullin e kampionit të dimrit në këtë edicion të Kategorisë së Parë. Këtë e ka treguar edhe dje, në ndeshjen e javës së 14 të luajtur në shtëpi, ku ka mposhtur me një fitore të thellë 4-1 Gramozin. Golat në këtë ndeshje u shënuan: tripletë e Eminhazeri (18’, 38’ e 46’) dhe një i Tanushi (29’) për liqenorët. Për miqtë golin e nderit e ka shënuar Lena (45’). Duke përfituar edhe nga frenimi i ndjekëses më të afërt Apolonisë, në Gjirokastër, djemtë e trajnerit Ylli Çekiçi, kanë mundur të garantojnë vendin e parë në kuotën e 34 pikëve, duke fituar kështu titullin simbolik të kampionit të dimrit. Fierakët janë mundur në shtëpinë e luftëtarit, i cili ka marrë një fitore shumë të rëndësishme 2-1, falë përmbysjes së dizavantazhit 0-1. Kamza ka triumfuar 2-0 në fushën e saj ndaj Partizanit, që tashmë rrezikon seriozisht të zbresë edhe nga Kategoria e Parë. Kamzalinjtë e kanë dominuar kundërshtarin, i cili ka demonstruar një lojë të dobët. Golat e Kamzës mbajnë firmën e K. Dalipit (18’) dhe (67’). Besëlidhja ka arritur të mundë një rival për titull, Tomorin e Beratit, me rezultatin 3-1, duke mbajtur gjallë shpresat e veta për t’u ngjitur në Superiore. Vlora ka mundur thellë Tërbunin e Pukës, me rezultatin 5-2, duke u ngjitur hap pas hapi në klasifikim dhe duke iu larguar fundit të ftohtë të renditjes së Kategorisë së Parë. Në “Roza Haxhiu” ka dalë fitimtare Lushnja, që ka mundur minimalisht Mamurrasin rival, falë një autogoli të miqve me Sharrën (67’), ndërkohë që vendësit kanë humbur edhe një penallti. Ada është rikthyer të luajë në fushën e vet, pas përmbytjeve të shumta në Shkodër dhe rrethinat e saj, ku ka mundur me rezultatin 2-1 Burrelin, ndërkohë që në Bilisht, skuadra vendëse ka triumfuar minimalisht, 1-0, ndaj Gramshit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›