E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bjellorusi ja si voton diktatura e fundit ne Europe

Kujdes nga pastruesi. Thonë se ka një kamera me vete për të filmuar studentët që rebelohen, fshatarët që shajnë pushtetin dhe njerëzit e tjerë që mund të kenë ndonjë ankesë ndaj qeverisë, e veçanërisht ndaj njeriut të saj të fortë, Lukashenko.

Më pas, ata që shkruajnë emrat, adresat, rrëfimet janë agjentët e posaçëm, të cilët shtiren sikur janë kundërshtarë të regjimit ndër rrugë e trotuare për të marrë mendimet e njerëzve dhe për t’i “mbërthyer” në lakun e kërcënimeve. Një situatë e tillë gri, spiunim thashethemesh, komplotesh, që flitet se thuren nga konspiratorët, vazhdon që prej 16 vjetësh në vendin europian, që quhet edhe diktatura e vetme e mbetur në kontinent. Është Republika e Bjellorusisë, një ish-republikë dikur sovjetike, që sot vazhdon që të përdorë të njëjtat metoda frikëndjellëse dhe ogurzeza të ditëve më të errëta të Bashkimit Sovjetik. Madje më keq akoma. Në këtë republikë koha duket sikur është kthyer pas, 40 vjet më parë. Gjithçka fotografohet, përgjohet, ruhet nga një ushtri e tërë agjentësh të fshehtë që ndodhen nën komandën e drejtpërdrejtë të Lukashenkos. Dje, në këtë cep diktatorial dhe të frikshëm të Europës është votuar. Por këtë e kanë ditur të gjithë, duke filluar nga poeti disident Vladimir Nekliaev, që është rivali i Presidentit të vendit në një konkurrim që nuk ka filluar kurrë. Ai të paktën në pozicionin e rivalit duhej që të kishte dalë në rrugë para njerëzve për të parashtruar programin e tij, duhej që të kishte kërkuar një ballafaqim televiziv me Lukashenkon, apo siç i pëlqen këtij “babai të kombit” ta quajnë Batka. Por asnjë nga këto nuk ka ndodhur. Frika nga kontrollet, apatia e njerëzve gjithnjë e më e përhapur në këtë vend, kanë shkatërruar gjithçka. Në vend të turmave të mëdha të njerëzve rreth poetit që synon të rivalizojë “mbretin” janë grumbulluar vetëm një grusht njerëzish me pallto blu, teksa fërkojnë duart nga të ftohët. Poeti u bën thirrje njerëzve që të dalin të dielën të gjithë në shesh për të diskredituar këtë farsë zgjedhore, në mënyrë që e gjithë bota ta shohë dhe ta kuptojë se çfarë po ndodh prej vitesh në këtë vend. Militantët e shohin pa ndonjë shprehje të veçantë në fytyrat e tyre. Miti i Revolucionit Portokalli të Kievit është tashmë një gjë e largët dhe e harruar e ndodhur në vitin 2004 pa ndonjë rezultat në jetët e njerëzve. Gjithsesi në këtë vend nuk ka mundësi që të gjesh turma njerëzish që revoltohen, rebelohen dhe janë gati të sakrifikojnë. Nuk ka as gazetarë perëndimorë që të mund të shkruajnë për atë që po ndodh me të vërtetë në këtë vend të izoluar. Madje edhe aleati i fuqishëm rus, që këtë verë u kishte dhënë pak shpresë për ndryshim, duket sikur nuk do t’ia dijë më. Lukashenko, duke e ndier rrezikun e lëkundjes së tokës nën këmbë, bëri nja dy lëshime të vogla si: lejimin e një debati televiziv mes kandidatëve presidencialë, pranimin e disa gabimeve të vogla dhe premtimin për pak më shumë liri shtypi. Këto lëvizje duket se e qetësuan Moskën. Lukashenko nuk duket nëpër rrugë, nuk ka portrete të tij, apo kult të personalitetit, madje as tabela zgjedhore. Në krye të rrugës më të madhe të Minskut, kryeqytetit të vendit, qëndron statuja e Leninit, një statujë gjigante që nxin. Në një pllakë të shkruar aty poshtë thuhet: “Heroizmi i popullit nuk vdes kurrë”. Përreth ka vetëm flamuj kombëtarë të shpalosur që valëviten në erë. Por “ati i adhuruar” e zgjedh mirë vendin për t’u shfaqur. Kështu, fytyra e tij paraqitet në të gjitha librat e shkollës së nxënësve të fillores, gjimnazet dhe të universitetit. Fotografia e tij është e qeshur, e rrethuar nga thënie “popullore” për të si: “Ky është dielli ynë”, “Babai i kombit”, “Mbrojtësi i vendit”. E të tjera si këto.

Për sa u përket zgjedhjeve, ai i konsideron ato një humbje kohe, duke qenë se pretendon se është kaq i zënë me reformimin e vendit sa nuk ka kohë të merret me një kotësi si votimet presidenciale. Nuk ka parulla dhe foto të tij nëpër rrugë, por gazetat dhe televizionet janë të mbushura me intervista të tij, me fjalime, me dokumentare në qendër të të cilëve është vetëm ai i madhi, shpëtimtari Lukashenko, Presidenti i Bjellorusisë që prej 16 vitesh. Ai shfaqet si një projektues i së ardhmes, si një arkitekt i gjërave madhore, si një thurës i lumturisë së popullit, lideri që shkëmben mendime me më të mëdhenjtë e botës, si për shembull takimi me Silvio Berluskonin, i cili ka qenë i vetmi lider që ka denjuar të shkelë në pallatin presidencial. Dhe kjo vizitë u shfrytëzua për muaj me radhë nga propaganda e shtetit.

Ndërkohë vendi vazhdon që të zhytet në një mjerim ekonomik e shpirtëror të paparë. Rrugët janë gri, si edhe vitrinat e dyqaneve në të cilat mallrat janë të paktë dhe të këqij. Diku mund të të zërë syri disa gjellëtore, ku njerëzit e hanë supën në këmbë shpejt e shpejt për të nxituar më pas në punë. Në kryeqytet ka vetëm dy restorante me çmime që nuk ua mban xhepi 90% të popullsisë dhe ku darkojnë dhe drekojnë vetëm krerët e lartë të pushtetit dhe drejtori i Bankës Qendrore së bashku me ndonjë pasanik. Janë vende të rezervuara për oligarkët e vendit, të gjithë miq të Viktorit, djalit të Presidentit, që kontrollon gjithë ekonominë e vendit. Për sa i përket medias, për vite me radhë gazetarët kanë pësuar persekutime dhe madje janë shtrënguar që të shtypin gazetat e tyre në mënyrë të fshehtë në Moskë. Dhe tani, për të mos e skandalizuar Bashkimin Europian, i kanë lënë të qetë gazetarët, por ua kanë kufizuar mënyrën e të shkruarit. Megjithatë të gjithë gazetarët që janë shprehur për reforma dhe në opozitë të qeverisë, janë rrethuar me “rreth të kuq”, ose më mirë janë në shënjestër të shërbimit sekret dhe mund ta paguajnë një ditë krejt papritur.

Por ka nga ata që e kanë pësuar edhe më keq. I tillë është rasti i poetit Mikhas Basgura, lideri i lëvizjes “Thuaj të vërtetën”, që sapo ka dalë nga burgu. Ai u fut në burg për dy muaj, për shkak të një parregullsie gjatë një veprimi bankar. Sipas tij, në vendin e tij nuk ka të burgosur politikë, sepse akuzat që çojnë njerëzit në burg janë nga më ordineret.

Kështu, vendi vazhdon që të endet në errësirë, apati edhe në pragun e zgjedhjeve të së dielës, që nuk sollën si zakonisht asgjë të re dhe asnjë shpresë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›