E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një President për popullin dhe jo për elitat

Duket se odisesë së zgjedhjes së Presidentit të Republikës mund t’i ketë ardhur fundi. Themi “mund t’i ketë ardhur fundi” pasi ka konstitucionalistë që mendojnë se në nenin 69/1 të Kushtetutës ka një kusht pazgjedhshmërie (të mos ngatërrohet me kushtin e papajtueshmërisë që imponon neni 70/2/3 i cili lejon për një farë kohe mbajtjen e dy ose më shumë detyrave nga të cilat zgjidhet njëra prej tyre) të zotit B.Nishani si President i Republikës dhe, nëse është kështu, opozita e mbështetur nga ndërkombëtarët mund ta ankimojë zgjedhjen e tij si antikushtetuese në Gjykatën Kushtetuese e kjo e fundit ta pranojë këtë lloj arsyetimi, sipas të cilit zoti Nishani duhej të ishte dorëhequr si deputet dhe ministër para se ai të pranonte të ishte një kandidaturë për kreun e shtetit. Anipse mund të ketë edhe kontestime të tjera procedurale, përveç kësaj që thamë më lart (si p.sh a u konsumua apo jo raundi i 4 me kandidaturën e shpallur për z.Artan Hoxha; kësisoj, nëse llogaritet apo jo futja e disa firmave mbështetëse të deputetëve në të dy listat e dy kandidatëve të fundit të shumicës; dhe nëse këto dy çështje do të ishin ndryshe nga këndvështrimi i shumicës, atëherë në raundin e fundit opozita ngelej me 68 vota ose 2 X 34 në ndryshim nga 30 votat mbështetëse të ngelura nga shumica, çka do e kthente procesin në një raund të 5, që të votohej për një nga dy kandidatët me më shumë vota rozë ose vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme), ne po e konsiderojmë në këtë shkrim procesin hipotetikisht si të përfunduar dhe po përpiqemi të bëjmë një përmbledhje kronologjike të ngjarjeve dhe disa konkluzione.
Së pari duket se dy palët kryesore të klaneve të dala nga barku i PPSH së Ramiz Alisë, kanë luftuar njëra për tu mbrojtur që mos t’i hyjë asnjë gjemb në këmbë nga ndonjë intervenim i ndërkombëtarëve & PS për shkak të ndonjë pakënaqësie të tyre ndaj enturazhit të Berishës për arsye parimore ose politiko -diplomatike - pasi PD të ketë kaluar në opozitë - dhe tjetra për ta përdorur Presidentin si palë të tyre për revansh. Për ilustrim kemi raste të shumta të goditjes nga ana e Elitës Botërore të figurave të ndryshme politike me profil të lartë si H.Kol në Gjermani, Zh.Shirak në Francë, I.Sanader në Kroaci, ish-kryeministren Y.Timoshenko në Ukrainë, së fundi Drejtorin e Përgjithshëm në detyrë të FMN, D.Strauss Kahn dhe dhjetëra raste të tjera si këto. Madje këto probleme Elita globale t’i hap edhe sikur përballë ligjeve të shtetit dhe virtyteve morale të kesh qenë një Krisht në detyrë, mjafton që ata të jenë shkelur në kallo për një çështje ekonomike, diplomatike ose politike, që ka lidhje me një qëndrim të caktuar të Kryeministrit a të ndonjë magjistrati të tij. Dhe këtë e kuptojnë mirë z.Berisha me grupin e tij të cilët duan ta bëjnë të patrazuar gjumin opozitar të nesërm. D.m.th, enturazhi i sotëm i mazhorancës qeverisëse e kupton se, sado që kanë dalë nga e njëjta kërthizë me PS, kjo e fundit mund ta godasë hapur ose fshehtazi gjithë këtë grup, i cili ka përfituar shumë në kurriz të popullit dhe e ka rritur shumë pakënaqësinë popullore për shkak të mungesës së zbatimit të ligjit dhe shproporcionalitetit të madh ekonomik të shkaktuar midis zotërimeve të mëdha pasurore të patundshme dhe monetare prej grupit të tyre dhe gjithë pjesës tjetër të drobitur të shoqërisë sonë. Në një pikësynim të tillë hipotetik, qoftë të një aleance ndërkombëtarë & PS, qoftë vetëm prej kësaj të fundit, natyrisht që do të hynin në lojë edhe agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit që kanë lidhje me funksionet e Presidentit. Ky i fundit ka lidhje me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, me Kryetarin e Shërbimit të Inteligjencës dhe me drejtësinë, si kryetar i KLD. Kjo është arsyeja se përse z.Berisha luajti kaq egër që të vendoste patjetër një njeri të vetin besnik të cilin edhe e ka mbështetur si delfin të tij, edhe e ka sunduar në një mënyrë hera herës paksa poshtëruese dhe ofenduese.
Nga përfundimi i gjithë kësaj shfaqjeje tragjikomike në zgjedhjen e Presidentit të ri, nisur edhe nga ato që thamë më lart, mund të nxjerrim disa konkluzione: 1) Presidenti i ri më tepër sesa për të mbrojtur zbatimin e barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët u zgjodh që të ruajë avantazhet, qoftë të natyrshme qoftë kriminale, me karakter politik, ekonomik e zgjedhor të një Elite të vogël të lidhur me kryeministrin aktual, në cilëndo situatë dhe moment që ky grup të ketë nevojë; 2) I fituar doli grupi pranë Berishës dhe u përça më tepër e majta pasi PS mund të përjetojë një stuhi në gotë për një vit rresht, çka do t’i harxhonte asaj shumë energji të kota në përcaktimin e lidershipit pranë Ramës apo Nanos; 3) Që ky tip Presidenti i Republikës të mos përsëritet në mandatin tjetër, duket se zgjidhja e vetme është që ai të dalë nga populli, me votim të përgjithshëm e të drejtpërdrejtë; 4) Që të realizohet kjo, ka nevojë për ndryshime kushtetuese; 5) Që të realizohet kjo, ka nevojë për forca të tjera politike parlamentare të cilat ta kanë shprehur haptazi këtë vullnet për ndryshim ligjor në këtë sens; 6) Që këto forca të reja të hyjnë në parlament ka nevojë për një ndryshim më proporcional të Ligjit aktual Zgjedhor, pasi dy forcat e mëdha kanë një avantazh organizativ, mediatik, tradicional e financiar; 7) Që të realizohen të gjitha këto, ka nevojë që faktori ndërkombëtar të jetë i prirur për këto ndryshime dhe ta mbështesë këtë proces tani qe po përfundon Kodi i ri Zgjedhor, nëpërmjet arbitrimit të Komisionit Parlamentar të reformës zgjedhore. Parlamenti i ri ka nevojë për një forcë të re kingmaker që t’u imponohet pozitivisht dy forcave aktuale kryesore. Natyrisht që këtë rol nuk mund ta luajë dhe nuk do ta luajë dot partia e diskretituar e LSI dhe I.Meta të cilët në sytë e opinionit të gjerë kanë fituar namin e një partie dhe një kryetari shumë të korruptuar dhe si promovuese, për më së paku në një katërvjeçar, të një modeli antishteti.
Duket se, nëse ndërkombëtarët synojnë që në Shqipëri të ketë një shtet të dobët e delikat, të molisur në 1001 probleme korrupsioni e me një President të tillë që të mbulojë nga zjarri një grup të caktuar politik prej një grupi tjetër ose gjithë rendin e kalbur kushtetues, situata ka hyrë në një rreth vicioz. Edhe pse unë mendoj se Presidenti do të bëjë politikë atje ku do të shkojë dhe ai duhet të vijë nga radhët e politikës së lartë, ta ketë zanat politikën, të jetë i pamanipulueshëm edhe nga grupi i tij i këshilltarëve dhe i miqve, në funksion të interesave të gjera të shoqërisë, përsëri anoj nga zgjedhja e tij prej qytetarëve, pasi mendoj se ata janë më pak të manipulueshëm përballë interesave të tyre sesa kur këtë President e zgjedh partia mazhoritare. Edhe pse unë mendoj se z.Nishani do të jetë një President më i mirë teknikisht se z.Zaganjori, se z.Hoxha apo se ndonjë kandidat tjetër nga shoqëria civile që pretendonte të sillte z.Rama në tryezën e konsensusit, përsëri mendoj se një President politik i ardhur me propozim nga disa emra dhe forca të ndryshme politike e i zgjedhur nga populli, do të ishte më efikas sesa një President politik i ardhur posaçërisht nga kreu i mazhorancës, në këtë rast z.Berisha.
Kësisoj, krahas problemeve të ndryshme të integrimit dhe kohezionit ligjor me BE dhe krahas plotësimit të disa standardeve e prioriteteve ekonomike, para politikës shqiptare do të shtrohej edhe zgjidhja e këtij problemi që e ka futur atë të gjithën në një ngërç të madh çdo 5 vjet e që në këtë mënyrë siç është, ju shërben vetëm interesave të elitës sonë politike. Natyrisht që një President i zgjedhur nga populli mund të kishte nevojë edhe për disa kompetenca më të mëdha dhe të mos ishte kaq honorifik sa ç’është Presidenti ynë aktual, sidomos pasi atij i ‘qethën disa cullufe’ tagrash ligjore më 2008, dy përfaqësuesit e dinozaurëve aktualë të politikës, Rama dhe Berisha, pas detantës së tyre të pabesë mbi ndryshimet kushtetuese. Duke mos qenë me domosdo një President i klasës politike që ka qeverinë, ky President do të ishte një garant më i mirë në mbrojtje të ligjit dhe të interesave të shtresave më të gjera popullore, do të ishte një President më i mirë se sa z.Nishani, i cili është një mburojë e klanit të kryeministrit dhe jo një President që do të më mbrojë mua dhe lexuesin e gjerë nga abuzimet e një shteti të Elitave. 

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›