E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zemërimi i Fatos Nanos

Letra e fundit drejtuar socialistëve nga ana e Fatos Nanos mban në vetvete dëshpërimin e njeriu që shikon për herë të fundit anijen e presidencës që largohet pa mundur të hipë në të. Dhe këtë radhë e lë përfundimisht e pa shpresë në ishullin e vetmisë. Mosha e cila nuk i lë mundësi për një kandidim të ri; brezat që ndërrohen në PS dhe e mbajnë mend gjithmonë e më pak; ish-bashkëpunëtorë të tij që janë rreshtuar përfundimisht me lidershipin aktual, apo që në zgjedhjet e ardhshme do jenë jashtë listave; të gjithë këta faktorë, nuk i japin mundësi të ushqejë akoma ëndrrën e jetës së tij. Vitet që kanë kaluar nga lënia e kolltukut kryeministror, deri tek letra e fundit, janë edhe dëshmi e rënies së shkëlqimit. Stil mediokër dhe vizion inekzistent politik. Ajo çfarë kërkohej në letër, dhe konkretisht rrëzimi i Edi Ramës, ishte paraqitur gjithë zjarr urrejtjeje, por pa treguar rrugët se si do ta bënte këtë dhe çfarë vinte më pas. Perspektiva që i ofronte socialistëve ishte lidershipi i tij, që për hir të së vërtetës, gjithmonë ka lënë për të dëshiruar. Herën e fundit kur socialistët ishin nën drejtimin e Fatos Nanos dhe kishin nevojë për komandën e tij, ndodhi në zgjedhjet e 2005-ës, në raundin e dytë. Lideri i tyre kishte fikur telefonin dhe nuk dihej ku ishte, ndërsa kandidatët rropateshin në balotazhe e dyer gjykatash për mandatet. Toni si i trajton anëtarët e PS-së, kishte mospërfillje për inteligjencën e tyre. “Unë ju vetofrohem”, thotë disa herë në letër. Po çfarë programi ka pas vetofrimit? Të marrë PS-në dhe ta çojë në fitore? Pastaj t’ja lërë Ilir Metës dhe të bëhet president? Por kjo nuk vlen asgjë për anëtarët e thjeshtë të PS-së dhe vendin. Herën e fundit që ishte në drejtim, shteti brehej nga “Kokajt”, Baxhellat e kompani. Nano - Meta, do të thotë një paketë e plotë korrupsioni në krye të PS-së dhe vendit.
A thua Nano mendon se socialistët e besojnë në dashurinë e tij? Mbase memoria e tij është e shkurtër. Ndoshta i ka të harruara gjithë iniciativat në favor të Berishës: Zgjedhjet lokale 2007; presidencialet po atë vit; të përgjithshmet 2009; lokalet 2011; së fundmi rishtas në 2012, duke sulmuar socialistët. Fatos Nano, materialisht ka kohë që nuk është me socialistët që vuajnë papunësinë dhe përndjekjen e Berishës. Ideologjikisht, është larguar me kohë prej tyre, duke e kthyer politikën në një instrument në shërbim personal. Mburrja se i solli socialistët në pushtet, dhe i la tetë vjet në timon të tij, është një shtrembërim i historisë. Në vitin 1997, Berisha u rrëzua nga ndërkombëtarët për shkak të ngacmimeve që bënte jashtë kufijve. Socialistët ju bashkuan revoltave në Vlorë me javë vonesë, pasi vite përpara dhe deri sot e kësaj dite e kanë sëmundje që më shumë të merren duke i futur stërkëmbës njeri-tjetrit se të qeverisin apo marrin pushtetin. Nëse kanë një meritë Ilir Meta dhe Fatos Nano, ishte zvjerdhja e socialistëve në sytë e shqiptarëve aq shumë, sa në 2005-ën edhe një kufomë politike si Berisha, u duk më i pranueshëm. Pa Ilir Metën dhe Fatos Nanon, Partia Socialiste në sytë e ndërkombëtarëve nuk do ishte e njollosur në fund të mandatit të qeverisjes në shkallën që u perceptua. Dorëzimi i pushtetit në 2005-ën, më shumë se fitore e së djathtës, ishte një pakt i Nanos për fatin e tij personal, ku frika ndaj kundërshtarit, ishte shndërruar në patologji. Pëshpërimat thonë se në prag zgjedhje, Berisha e kishte kërcënuar se “nëse nuk dorëzonte pushtetin, do t’ia bënte si në ’98-ën, por këtë radhë nuk do ta linte të ikte në Maqedoni”. Duket kërcënimi funksionoi. E majta mori gati 150 mijë vota më shumë se koalicioni i djathtë, por Fatos Nanoja pati inteligjencën dhe realizoi të pamundurën duke humbur zgjedhjet në 2005-ën. Megjithëse Nano udhëhiqte forcën më të madhe dhe kualitative, fundi ishte fitore neto e Berishës.
Dashamirësit e Fatos Nanos e shpjegojnë largësinë e tij ndaj punës si shpërndarje e kompetencave e përgjegjësive, por në realitet është dembelizmi. Dëshirën për jetë luksoze e justifikojnë me mungesat e viteve të burgut, por më shumë shpjegohet me natyrën shkapërdare. Si do t’ju kërkojë votën pensionistëve e të papunëve dhe si do t’i justifikojë burimet për jetesën “kryetari historik i socialistëve” në Vienë? Me se i ka blerë makinat luksoze që prezanton në sfilatat e tij në Tiranë? Ç’kuptim kanë shkeljen e syrit prej “playboy” të moshës së tretë para kamerave? Fatos Nano kërkonte mbështetjen e socialistëve për presidencë. Me gjithë këto vese që u përmendën, shto edhe të tjera të tij, socialistët pas tetë vjetësh në opozitë, do akuzoheshin prapë për të korruptuar dhe shkapërdarë. Dhe kjo vetëm se ish-kryetari i tyre është i pa korrigjueshëm.
A ka mundësi Nano që të largojë Edi Ramën nga kreu i PS-së? Së pari një iniciativë e tillë, vetëm një vit para betejës elektorale, në vetvete është shërbim ndaj Berishës. Me një kundërshtar që zotëron gjithë pushtetet; që komandon me dorë të hekurt strukturën shtetërore dhe partiake; me resurse financiare gati të pakufi, Partia Socialiste nuk ka luksin të ndërrojë komandë. Edi Rama ka gabimet dhe meritat e tij në drejtimin e socialistëve. Ka defektet e tij, si çdo qënie njerëzore. Por do ishte shkatërrimtare për ambiciet socialiste një debat shterpë për lidershipin. Është njësoj sikur dy ushtri të përplasen, dhe ndërsa njëra ka një komandë dhe armatim të sofistikuar, tjetra të hidhet në sulm me heshta ku çdo kapter skuadre jep urdhëra për hesap të vet. Viti 2013 do jetë ai i gjyqit të madh të Edi Ramës. Në fitoftë, llogaritë mbyllen. Në humbtë, mund t’i kërkojë hesap gjithkush, por jo Fatosi, pasi hera e fundit që mbahet mend në komandën e PS-së, ishte kur e shpartalloi.
Partia e re që e lajmëroi të dielën, ka pak shpresa. Kur provoi andej nga 2008-ta, i la simpatizantët e tij në Fier duke pritur në një sallë të mbyllur që piqej nën diellin e Myzeqesë, ndërsa vetë drekonte në restorant. “Qoftë e prishur sot, e lëmë për herë tjetër”, - ju çoi fjalë. Dhe humbi për katër vjet. Vetë luhatjet e humorit, dhe variantet që paraqet për veprim politik, tregojnë një njeri të paqartë. Ky është një problem i Fatos Nanos. Por kthehet në shqetësim kur shoqëria merret me të. A ka një perspektive e gjitha kjo? Për këtë na ndihmon filozofia e cila na mëson se njëherë historia shfaqet si tragjedi, të dytën si farse, por kur përsëritet shpesh, është vetëm mërzi. Është sikur vargjet e Iliadës:
Këndo o muzë zemërimin e Akil Pelidit,
shkatërrimtare, që të pafundme dhimbje ju kalli akejve.
Ta dëgjosh në variantin shqiptar:
Këndo o muzë zemërimin e Fatos Labovitit,
që belanë socialistëve do t’iu pjellë.

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›