E Shtunë, 31 Tetor 2026

Latif Daja: Fjala e fundit e vëllait tim para ekzekutimit

Pak kohë më parë, dha një intervistë të zgjeruar për publikun e gjerë, vetë ish-shefi i Hetuesisë së Tiranës të periudhës komuniste dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të viteve të ndërrimit të sistemit, Dilaver Bengasi.
Ndër episodet e dëshmuara nga detyra e tij e gjatë dhe tepër e mprehtë në krye të Hetuesisë së Tiranës, zoti Bengasi rrëfeu edhe ngjarjen e bujshme të vitit 1975, e njohur si "Ngjarja e Baldushkut". Ishte insistimi im si gazetar për të hedhur dritë mbi atë ngjarje, të cilën e mbaja mend si ndër mjegull, ai që bëri që vetë ish-hetuesi i saj të mund të fliste mbi atë çka ndodhi në atë vit të tmerrshëm, ku pas mbylljes së historisë tragjike, ndër të tjera rezultoi dhe me vdekjen e dy djelmoshave të atij fshati, Rifatit dhe Nuriut, të cilët u ekzekutuan pas vendimit të formës së prerë të gjykatës. E ndërsa historia e përshkruar nga Bengasi, ka si bazë versionin zyrtar, nisur nga dëshmitë e të ndaluarve dhe të arrestuarve në zyrat e hetuesisë, mbi të cilat u përpilua dosja në fjalë që konkludoi se në atë fshat kishte funksionuar një grup i mirëorganizuar me detyrë të qartë që të dëmtonin ekonominë e fshatit, patëm një reagim të fortë nga familja që ishte në epiqendër të ngjarjes, që ishte pikërisht familja "Daja", së cilës iu ekzekutua dhe njëri prej djemve të saj. Pikërisht rrëfimin e Bengasit, familja "Daja" e konsideroi si "ngacmim" apo "provokim" ndaj tyre për atë ç'ka ndodhur në të vërtetë. Për më tepër, ata dhe veçanërisht i akuzuari kryesor, madje i cilësuar i tillë edhe në vendimin e gjykatës së asaj kohe, Latif Daja, flasin për një të vërtetë të tjetërsuar nga Bengasi dhe se ata deklarojnë se ai proces ka qenë i montuar dhe se ngjarja ka qenë krejt ndryshe nga sa është paraqitur në versionin zyrtar të kohës, mbi të cilin foli dhe Bengasi. Pikërisht për këto pretendime dhe duke pasur parasysh dhe etikën gazetareske, sidomos detyrën për të qenë e paanshme, vendosëm që me mikrofonin tonë t'i drejtohemi vetë të shumëpërfolurit dhe të shumënjohurit të vetë asaj ngjarjeje, Latif Dajës.

Zoti Latif, folët në numrin e parë të kësaj interviste se, ndryshe nga sa ka deklaruar Dilaver Bengasi, lopët sipas jush nuk kanë qenë helmuar me qëllim, apo jo?
Pikërisht këtë do të thoja, që lopët e famshme të Baldushkut jo vetëm që nuk janë helmuar me qëllim, por ato nuk janë helmuar as me zhivë. Për këtë, nëse s'e besoni, pyesni edhe të tjerë dhe mund të mos e ndaloni intervistën vetëm në dëshminë time. Ka folur në shtyp, ish-ushtaraku i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Qemal Poçi, i cili ka qenë shef i Laboratorit Special të Veterinarisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Ai laborator, sipas autorit të shkrimit, Poçi, ka pasur edhe sektorin e Toksikologjisë të mbrojtjes së kafshëve nga lëndët helmuese luftarake. Qemal Poçi, nga sa tregon posaçërisht për ngjarjen e Baldushkut në një të përditshme të datës 2 gusht të vitit 2010, dëshmon se ka qenë personi që është marrë me analizat e ushqimit që kishin konsumuar lopët dhe se nuk ka dalë aspak problemi i zhivës. Madje, po të ishte zhivë nuk do të ishte fare iI dobishëm për njerëzit ai mish që u konsumua i tëri nga popullata. Madje po të kesh durim, të gjesh shkrimin e tij si një nga specialistët më të mirë të laboratorit ushtarak të asaj kohe, do të lexosh qartë deklarimin e tij, se edhe rezultatet e ardhura nga Kina nuk kanë përcaktuar zhivë, por probleme toksike.
Po si ndodhi thoni ju?
Unë 100 qind për qind besoj se ato janë helmuar nga ushqimi i përgatitur pa dashur nga drithërat e dëmtuara nga agjentët atmosferikë, pra të kalbura dhe të hidhëruara.
Çfarë ishin këto?
Ishin drithërat e kooperativës. Grurë, patate, groshë etj. Ato janë konstatuar pak ditë para se të ndodhte tragjedia e lopëve.
Si u konstatuan?
Vetëm pak ditë para se të helmoheshin lopët ka ardhur në fshat Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili nga kontrolli që bëri në sektorin "Mustafa Koçaj", konstatoi se drithërat ishin prishur nga agjentët atmosferikë dhe nga keqmbajtja në magazina të papërshtatshme. Kontrolli mbaj mend që ka ardhur pasdite. Pasi konstatoi dhe mbajti procesverbal, u kërkua të firmosej. Por nuk u pranua të firmosej nga askush nga përfaqësuesit e kooperativës, me pretendimin se ato nuk ishin drithëra buke por ushqime bagëtish dhe mbeturina për t'u hedhur poshtë. Pas kësaj, sa iku kontrolli, i cili deklaroi se do të vinte sërish të nesërmen, u hoq i gjithë ushqimi që thamë më lart dhe u mor me dy "Zis"-a dhe u dërgua në stallat e Baldushkut që ishin 2 km larg. Kjo punë bëhej gjatë natës, ndërkohë që të gjithë njerëzit që kishin armë me leje u caktuan të ruanin të gjitha rrugët hyrëse që të sillnin në fshat. Kjo bëhej nga meraku se mos vinin sërish njerëzit e kontrollit natën dhe konstatonin largimin e të gjitha drithërave nga magazina ku ishin konstatuar.
Thatë se i çonin natën dy "Zis"-at në magazinat që ishin 2 km larg?
Që të kuptosh, është fjala se magazina ku ishin drithërat e prishura nga shiu ishin në sektorin e dytë të kooperativës që binin në qendër të fshatit. Por ato nuk u çuan në stallat e lopëve që i kishin vetëm 6 metra larg, por i dërguan në sektorin e parë, që ishte më shumë se 2 km larg. Kështu, të nesërmen që erdhi kontrolli dhe pa gjithçka të pastruar, u irritua dhe nuk di më tej, por mësova se kishin kërcënuar. Gjithsesi, ajo histori u mbyll, sepse pak ditë mbrapa saj doli ngjarja e helmimit dhe nuk mund të merrej më kush me atë problem.
Ku e çuan ushqimin që përfundoi te magazinat e sektorit të parë, 2 km larg qendrës së Baldushkut?
Patatet i hodhën poshtë me qerre, ndërsa drithërat e tjera të kalbura nuk u hodhën poshtë, por u bënë ushqim i fermentuar për bagëti, duke u bluar dhe përpunuar. Pra, këtu ishte me shumë si të thuash një nikoqirllëk dhe një interesim për ushqim të përshtatshëm dhe jo për të bërë helmim të tyre.
Dhe kur ndodhi ngordhja e lopëve?
Pas një apo dy ditësh si ndodhi kjo histori. Pas fillimit të ngordhjes së lopëve situata kaloi në dorë të organeve kompetente të diktaturës dhe ato e morën situatën jo si një situatë emergjente që mund të ndodhte edhe nga shkaqe banale, por medoemos donin të gjenin armiq, sepse sipas tyre, ajo ishte një çështje më shumë politike. Nuk kishte ku të shkonin budallallëqe më të mëdha.
Po kryetari i Kooperativës së asaj kohe, Luan Shahu, më ka deklaruar se nuk ka ndodhur fare helmim dhe se mishi është shitur i gjithi, madje edhe lëkurët e lopëve. Me paratë e fituara u blenë sërish viça dhe bagëti të tjera dhe nga ana statistikore ekonomia e kooperativës suaj nuk pati luhatje, por e mori shpejt veten. Ngordhja e lopëve u shkaktua se nga ushqimi që konsumonin ato patën probleme, të cilat nuk ishin të shkallës së helmimit, por që ato probleme u trashën kur ndihma e parë iu dha me gjilpëra të skaduara, që vinin nga Kina dhe nga vende të ndryshme. Kjo ndërhyrje me gjilpëra të skaduara solli infeksionin e tyre dhe si rezultat detyroheshin t'i thernin. Madje, ish-kryetari më ka deklaruar ditën e djeshme, se statistikat e treguesve ekonomikë të kooperativës së tij në atë kohë bënë që ai, pak kohë më mbrapa asaj ngjarjeje makabre, të kalonte në detyrën e Zëvendëskryetarit të Komitetit Ekzekutiv.
Sigurisht, unë po të kujtoj një detaj nga se mund të jenë helmuar, por që gjithsesi kryetari e di më mirë, se ai ishte në krye të punëve dhe statistikat i di ai. Por më duket se në të njëjtën pikë jam me të, kur them se ushqimi ishte i konsumueshëm dhe u konsumua. Por kur ndodhi ngjarja, fshati u kthye në repart ushtarak.
Si ndihej terrori shtetëror që ju përmendët pak më parë?
Sa filloi ngordhja e lopëve filloi zbarkimi në fshat i organeve më të larta të shtetit, diktaturës. Erdhi grupi i hetuesve, me në krye Dilaver Bengasin, që bënë ato që bënë, duke falsifikuar dhe duke imponuar ato çka dëshironin ata.
E di që jeni shumë i tronditur nga ajo ngjarje, pasi ju shkaktoi një viktimë në familje, duke ju marrë jetën e vëllait tuaj, Refatit, dhe ndoshta ndaleni te Dilaveri me një mënyrë mllefi disi më ekstrem, kur dihet që hetimin e vëllait tuaj të vrarë nuk e ka hetuar fare Dilaver Bengasi, por, nga dosja që ka zbardhur paraprakisht Kastriot Dervishi në një të përditshme në 7 nëntor 2009, ajo mban firmën e Kosta Gazelit...
S'ka shumë rëndësi kush ishte hetues i vëllait tim. Ai e pësoi nga ajo që ndodhi dhe bashkë me të gjithë familja jonë. Por, që të të tregoj për sa ndodhi në ato ditë tragjike për neve dhe të gjithë fshatin, kur nuk shikoje më njerëz të qetë por vetëm rrobë policie dhe makina të degës së brendshme: Kudo dëgjoje që flitej nën zë dhe një frikë po lebetiste njerëzit. Nuk guxonte kush të të shikonte në sy.
Kishin filluar arrestimet, që hyri ky panik?
Që në mëngjesin e ardhjes së forcave eksperte të shtetit filluan prangosjet. Për një orë u prangosën tre veta, mes tyre dhe një grua e quajtur Nadire Shima, si dhe brigadieri Agim Akçani dhe Selman Balla. Të tre bashkëfshatarët tanë. Arrestimi i tyre tregoi se situata kërkonte kokë. Nuk bëhej shaka. Problemi i lopëve po trajtohej si veprim i qëllimshëm armiqësor. Ngado që të shkoje kishe përballë apo në krah një provokator.
Zoti Latif. Ju jeni njeriu i etiketuar nga gjuha zyrtare e kohës, si njeriu që kishit organizuar të gjithë atë të quajtur tragjedi. Madje, juve paskeni organizuar grupin më të sofistikuar dhe të organizuar në lidhje me sabotimet e qëllimshme, madje të akuzuar se ai grup ka kryer dhe veprën e agjitacionit dhe propagandës. Ku ndodheshit juve në momentin që po arrestoheshin bashkëfshatarët tuaj?
Ç'të të them. As ma merrte mendja se do të arrestohesha dhe unë, se nuk kisha asnjë lidhje dhe jo më të mund të etiketohesha nga sa thatë juve. Saktësisht atë ditë unë kam qenë në sektorin e dytë, të ndodhur më shumë se 2 km larg asaj që po ndodhte dhe s'e kisha idenë fare se çfarë po ndodhte. Punoja si punëtor në kazmë, në brigadën "Mustafa Koçi". Por menjëherë ra në sy situata, se u mbush fshati me polici dhe agjentë të Sigurimit që nuk u larguan andej me muaj të tërë. Ishin rekrutuar dhe angazhuar bashkëpunëtorët, pra ishin në aktivitet provokatorët. Makinat e degës i ndeshje kudo. Njerëz civilë që quheshin të plotfuqishëm dhe që mbanin nga një automatik në qafë, i shikoje në çdo rrugë apo rrugicë të fshatit.
Pra, si të thuash, jetonit nën terror?
Dridhej fëmija në bark të nënës. Kjo lexohej qartë te njerëzit që ishin nën pushtetin e terrorit psikologjik, të frikës. Kushdo heshtte dhe nuk guxonte të bënte asnjë lloj bisede. Ishin të gjithë të heshtur, por edhe të gjithë ishin të pasigurtë, pasi prangat mund t'i vendoseshin kur të doje.
Pra, ishit edhe nën trysninë e provokimeve?
Ato u kthyen në normë. Por më shumë u intensifikuan në familjen dhe fisin tonë.
Meqenëse të kam në bisedë konkrete, dua të di se çfarë provokimesh ju bënin juve personalisht?
Takoja njerëz, madje dhe bashkëfshatarë, që më thonin si gjoja rastësisht:
"A ke marrë vesh gjë se çfarë bëhet?"; "Si ka mundësi që na ngordhën këto lopët kaq papritur", apo meqenëse kishte vetëm pak kohë që ishte shpallur armik Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, më thonin: "Si ndodhi kështu o burrë i dheut me Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën?".
Pse jua bënin këtë?
Që të thoja unë se janë të pafajshëm. Por nuk reshtnin thënie të tilla, që të bija patjetër brenda me ndonjë pakënaqësi që mund të kisha. Kështu, dikush tjetër thoshte: "Si na i hoqën antenat dhe nuk na lanë stacionet e huaja por na mbajnë vetëm TVSH-në?"; "Pse e ndalojnë librin "Lulja e Kujtimit", të Haki Stërmillit?"…; madje njëri arriti të thoshte: Je i mbuluar kështu ti, por je vërtet një armik i pushtetit. Unë ia ktheva: Me të vërtetë? Ashtu thua ti?
Dhe si filloi goditja konkrete, ndërsa po mësoj se keni qenë nën suferinën e provokimeve?
Pak pas kësaj kohe si kishte ndodhur ngjarja, na thërresin si familje njerëzit e hetuesisë në zyrat e Këshillit të Bashkuar të Baldushkut. Ishte mesnatë. Ajo ishte një sinjal i fortë, se po na drejtohej neve një goditje që nuk do të na linte të merrnim frymë. Kështu u nisëm në mesnatë të gjithë.
Kush ishte konkretisht nga familja?
Isha unë, pra Latifi i pari, Rifati që ishte ndihmësmjeku që na e vranë, vëllai tjetër Qazimi që punonte si traktorist, Islami që në atë kohë sa kishte mbaruar gjimnazin dhe po bënte praktikën, si dhe dy kunatat të cilat ishin gruaja ime dhe gruaja e Qazimit, se Refati dhe Islami ishin të pamartuar.
Dhe çfarë ju thanë?
Ishte natën kur shkuam. Aty ishin vetëm njerëz të frikshëm me uniformë, që dukej se nuk ta benin të gjatë pot u mbushej mendja. Jashtë kishte shumë makina të degës së brendshme. Kanë qenë ata xhipat sovjetikë. Në korridore hetuesit dhe njerëzit me uniformë ecnin me hap ushtarak që të bënin terror psikologjik. Na morën në një zyrë dhe duke na bërë pyetje nga më të çuditshmet.
Pra, ishit në zyrën e Këshillit të Bashkuar të kooperativës?
Po. Bashkë me vëllain që na vranë. Të siguroj se nuk kishim asnjë lidhje me atë ngjarje, ndaj ishim në një panik të pashpjegueshëm. Ata na pyesnin se çfarë dinim për ngjarjen, si e kishim mësuar faktin e saj. Ku kishim qenë në atë apo këtë orë. Refatit të shkretë, që kishte biçikletë për të shkuar më shpejt te njerëzit, i thonin se pse lëvizte me biçikletë. Ç'të të them. Kemi ndenjur tërë natën në atë terror të paimagjinueshëm dhe ishim mbledhur një grusht. Na kanë lëshuar afër mëngjesit.
Dhe ju nuk kishit asnjë dijeni?
"Duhet të më besosh se nëna jonë thoshte "Kush i ka helmuar lopët? Po qe se i ka bërë kush me qëllim, mos e gëzoftë ditën. Po të kem në dorë e var në majë të pemës kush heq bulmetin e fëmijës nga gota." Pra nëna duke dëgjuar zhurmën që bëhej se i paskësh helmuar kush me qëllim, fliste në atë mënyrë dhe as që mund të mendonte se do t'i akuzonin fëmijët e saj.
Si ju arrestuan juve?
Fillimisht arrestuan vëllain e ndjerë. Ishte 17 qershor 1976 kur na e morën. Pas kësaj, na shpartalluan shtëpinë dhe na sekuestruan gjithçka kishim. Për shembull?
Morën dy dekoratat e nënës, duke i thënë se nuk i meritonte. Pastaj morën dhe shpartalluan bibliotekën me më shumë se 1400 libra, se mos gjenin libra të ndaluar ku shumë na i sekuestruan. Televizorin e çuan në qendër të kulturës së fshatit ta përdorte fshati.
Ju thoni se nuk keni pasur faj, kur kam mësuar se Bashkim Allmuça ju ka akuzuar juve si shkaktar të helmimit. A e dinit këtë?
E kam dëgjuar, ashtu siç e di mirë se ai ka qenë i vënë nga Sigurimi për të deklaruar në interes të qëllimit të akuzës dhe synimeve të qarta të tyre për të na shkatërruar përfundimisht. Pas arrestimit të Refatit, nëna qante natë e ditë. Nuk merrte dot veten për djalin 27-vjeçar. Madje pas vrasjes së tij ajo nuk mundi të jetonte dot më shumë se dy vjet por vdiq me garamet, duke lënë amanet që të mos e linim trupin e të birit pa ia çuar pranë në varr. Por ndjejmë dhimbje që nuk e kemi gjetur akoma. Babai e mbante veten me shumë, se ishte njeri i drejtë dhe kishte besim.
Si kishte besim?
Thoshte se djemtë e mi janë të pafajshëm dhe do të dalë e vërteta. Kishte besim te shteti. Por u zhgënjye. U zhgënjye shumë. Djemtë e tij jo vetëm i masakruan dhe i vranë, por edhe familjen e tyre e quajtën armike të pushtetit. Pra kishte njollë të errët në kurriz. Por pas sekuestrimeve që i bënë menjëherë si u arrestua Refati, filloi edhe internimi i njerëzve të familjes dhe të fisit. Pastaj më kanë arrestuar mua.
Kë dhe ku i internuan?
Dy vëllezërit, Haliti dhe Besimi, që banonin familjarisht në Tiranë u hoqën nga shtëpitë, fëmijët u hoqën nga shkolla dhe erdhën në fshat si të internuar. Vëllain e vogël, Islamin, e hoqën nga universiteti dhe e dërgojnë si punëtor në kazmë. Faiku që ishte oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme lirohet nga detyra dhe dërgohet në ndërtim. Djali i xhaxhait, Zijai, që ishte mjek në Ministrinë e Brendshme lirohet nga detyra dhe dërgohet mjek i thjeshtë në Derjan të Burrelit.
Kur ju arrestuan juve?
Ka qenë 20 nëntori i vitit 1976. Mbaj mend se isha shumë i uritur atë ditë dhe transportoja kalli misri nga fusha në magazinat e ndodhura në qendër të fshatit. Ka qenë afër drekës kur vjen drejtori i Degës së Brendshme të Tiranës, Kadri Ismailati, dhe më thotë se në emër të popullit isha i arrestuar. Andej kaloj menjëherë në qelitë e 313-ës, ku filloi odiseja e torturave.
Çfarë torturash?
Që ditën e dytë më ka thërritur Dilaveri dhe më njohu me akuzën, duke më thënë se paskësha ngordhur lopët. Kisha dashur të rrëzoja pushtetin popullor. Kisha lëvduar Fadil Paçramin duke thënë se e kishin dënuar kot. M'u tha se kisha dashur të hidhja helm te burimi i fshatit; se dëgjoja "Zërin e Amerikës", se akuzohesha për " Agjitacion e propagandë etj etj, që nuk më kujtohem tani të gjitha. Por di që jam torturuar shumë. Jam qëlluar në kokë, në bark dhe kudo, deri sa binte të fikët. Pastaj më kalonin në qeli, ku më hidhnin ujë. Më merrnin natën dhe ditën. Nga 10 dhe nga 15 herë në ditë, natën dhe ditën. Haja pak çorbë dhe nuk di si qëndroi shpirti gjallë.
Dhe pranuat gjë?
Asnjëherë dhe asgjë, pasi nuk kisha asnjë faj as unë dhe as vëllai im. Nuk kam firmosur asgjë. Kam duruar çdo presion dhe çdo kërcënim. Nuk mund të mbaja mbi shpatulla ato që s'i kisha bërë.
Po a u cilësuat nga dëshmitë e grupit të arrestuar se ishit kryesori i grupit?
Pse nuk më bashkuan asnjëherë me grupin e arrestuar ku kisha dhe vëllain, apo i trembeshin ballafaqimit? Madje edhe në gjyq më kanë nxjerrë veç dhe jo me grupin, se e dinin se do të deklaroja se askush nuk kishte faj, pasi lopët ishin helmuar me drithërat e prishura.
Po juve, u arrestuat më mbrapa, prandaj nuk ju bashkuan me grupin?
Me të vërtetë jam arrestuar më mbrapa, por duhet të dish se bashkë me grupin kemi ndenjur njëkohësisht në qeli plot tre muaj dhe unë nuk kontaktova asnjëherë me ta, dhe se kur është bërë gjyqi i tyre, ku im vëlla Refati u dënua me vdekje, unë kisha kohë që isha arrestuar. Edhe në gjyq nuk kam pranuar asgjë, pavarësisht se më dënuan maksimalisht.
E mësuat për vëllain që u dënua me vdekje?
Më thanë, por nuk e besoja, se s'kisha si ta besoja, pasi nuk bënte vaki të fajësohej. Por montimet çfarë s'bëjnë. Vetëm kur më sollën orën dhe rripin e mesit pas ekzekutimit, mësova tragjedinë. Vëllain ma kishin ekzekutuar.
Mendonit se do t'ju dënonin me vdekje?
Të bënin çfarë të donin isha mpirë i tëri kur më nxorën në gjyq. Nuk doja të dija për jetën time pasi akuzat më kishin dërrmuar të tërin.
Dhe si përfundoi kjo tragjedi?
Sipas edhe dokumenteve të marra nga dosja hetimore dhe të bëra të njohura për shtypin, Kastriot Dervishi bënte të ditur saktësisht se pas hetimeve të nisura më 10 nëntor 1975 për ngordhjen e lopëve, akt-akuza e formuluar më 7 dhjetor 1976 nga hetuesi Kosta Gazeli përfshinte mbi grupin e arrestuar këto pika:
- Kanë marrë pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor.
- Kanë zhvilluar agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor dhe kanë kryer aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë
- Krime këto të parashikuara nga neni 70 dhe 73 / 1 në kombinim me nenin 76 të kodit penal"
Çështja u gjykua fillimisht në Gjykatën Popullore të Tiranës. Procesi i gjykimit ka filluar më 24 deri në 27 janar për të përfunduar më 31 janar 1977 me vendimin përkatës.
1- Rifat Daja, ndihmës mjek, arrestuar më 17 qershor 1976 dënuar me vdekje me pushkatim.
2- Nuri Allmuça, infermier, arrestuar më 16 nëntor 1976, dënuar me vdekje me pushkatim.
3- Selman Balla, punëtor arrestuar më 10 nëntor 1976 dënuar me 22 vjet burg.
3- Bashkim Allmuça, mësues, arrestuar më 17 qershor 1976, dënuar me 14 vjet burg.
4- Agim Akçani, brigadier, arrestuar më 16 nëntor 1976, dënuar me 21 vjet burg.
6- Emine Shima ( mamie ) , arrestuar me 9 dhjetor 1975 dënuar me 15 vjet burg.
7- Nadire Shima, e motra e Emines, punëtore, arrestuar më 9 dhjetor 1975, dënuar me 14 vjet burg.
Më 19 shkurt 1977, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Në përfundim presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi faljen e jetëve të dy të dënuarve të cilët janë ekzekutuar me vdekje me pushkatim.
Kur është kërkuar falja sipas Dosjes së publikuar nga Dervishi?
Më 25 shkurt, sekretari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Telo Mezini, njoftonte Drejtorinë e Zbatim Vendimeve Penale në Ministrinë e Punëve të Brendshme se ky organ kishte refuzuar tu falte jetën të dënuarve me vdekje Preng Pal Qafa, Haki Murat Veizaj, Rifat Daja dhe Nuri Allmuça duke kërkuar kësisoj zbatimin e vendimeve.
Dhe kur është bërë ekzekutimi?
Një ditë më vonë, ministri i Punëve të Brendshme urdhëron Drejtorinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë e Tiranës që të dënuarit e procesit të Baldushkut të ekzekutoheshin me vdekje më 26 shkurt 1977, ora 24:00 në "Vendin e Caktuar".
Nga sa kam lexuar nga dokumenti i publikuar është bërë e njohur edhe fjala e fundit e tyre para ekzekutimit. Nuk e di nëse ju kujtohet?
Im vëlla Refati Daja ka deklaruar: "Nuk kam bërë asgjë. Për aktin e helmimit të lopëve nuk kam dijeni. Unë vdes i bindur se për një vit apo dy vjet, do të dalë e vërteta dhe do të vërtetohet se unë nuk kam bërë asgjë. Mbasi të dalë kjo, kërkoj që familjes sime t'i hiqet njolla si familje tradhtarësh".
Dhe Nuri Allmuça ndër të tjera e mbylli jetën me këto thënie:
"Nuk kam bërë asgjë. Për helmimin e lopëve nuk kam dijeni. Unë pranova fajin dhe mora përsipër helmimin e lopëve. Më mashtruan në hetuesi".

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›