Një Shqipëri bindëse!

Kombëtarja shqiptare e ka shënuar fitoren e dytë brenda pesë ditësh. Pas Katarit (2:1), Kuqezinjtë ia dolën të ngadhënjejnë edhe në duel me Iranin, në ndeshjen miqësore që u zhvillua të dielën mbrëma në Stamboll të Turqisë.
Ekipi i Gianni De Biasit ka bërë lojë mjaft të mirë, sidomos në pjesën e dytë. Aziatikët ishin për një nuancë të vogël më të mirë në pjesën e parë, duke e lëshuar një rast ideal për të kaluar në avantazh.
Shqipëria e nisi më mirë pjesën e dytë dhe kjo lojë iu shpërblye në minutën e 60-të, falë golit të bukur që e realizoi Emiljano Vila.
Skuadra e Carlos Queiroz shënoi një gol përmes Ali Karimit, por futbollisti i njohur iranian më parë e kishte prekur topin me dorë.
Pas Mërgim Mavrajt, i cili e zhvilloi ndeshjen e dytë, në këtë duel për Kombëtaren shqiptare kanë debutuar edhe dy futbollistët tjerë kosovarë, Etrit Berisha dhe Mërgim Brahimi.
Portieri i Kalmarit ka pasur dy pritje të shkëlqyeshme në pjesën e dytë, duke shfaqur siguri gjatë tërë takimit. Kurse, mesfushori i Grasshoppersit u aktivizua në dhjetë minutat e fundit të takimit.
Vlen të theksohet se dyshja e qendrës së mbrojtjes, Cana-Mavraj, e kryen punën e tyre me mjaft sukses. Ndeshjen e ardhshme, Shqipëria do ta zhvillojë kah mesi i muajit gusht me Moldavinë, para fillimit të kualifikimeve për Botërorin 2014.
Shqipëria e regjistroi fitoren e dytë nën drejtimin e trajnerit italian De Biasi dhe atë ndaj një ekipi me përvojë, ndër më të fortët në Azi, pjesëmarrës i trefishtë në Kampionate Botërore.