Prishtina, shumë afër titullit
Prishtina i është afruar më shumë se kurrë titullit të kampionit në Superligë. Bardh e kaltrit ia dolën ta mposhtin Dritën me rezultat 2:0, dhe falë barazimit të Trepçës ’89 me Vëllaznimin, titulli është pothuajse në duart e tyre.
Ekipi i Jusuf Tortoshit u shkëput në 4 pikë ndaj ekipit mitrovicas, vetëm dy xhiro pa përfunduar sezoni. Prandaj, një fitore nga dy takimet e fundit do t’u mjaftonte kryeqytetasve që t’i gëzohen titullit të më të mirit, në 90 vjetorin e themelimit të klubit.
Golat për ekipin vendës i kanë shënuar Liridon Latifi (30’) dhe Azem Ahmeti (50’).
Gjilanasit, të cilët u treguan të parrezikshëm, luajtën me një lojtar më pak në 20 minutat e fundit, pas ndëshkimit me karton të kuq të Armend Kastratit.
Vëllaznimi – Trepça ‘89 0:0
Vëllaznimi dhe Trepça ’89 kanë barazuar pa gola, në kryendeshjen e xhiros së 30-të në Superligë. Të dyja skuadrat kanë pasur rastet e tyre, por që nuk ditën t’i shfrytëzonin.
Natyrisht, barazimi nuk i ka konvenuar asnjërit ekip, përpos Prishtinës. Gjakovarët i humbën edhe matematikisht gjasat për titull, kurse mitrovicasit do ta kërkojnë mrekullinë, në dy xhirot e fundit.
Drenica – KEK-u 4:0
Drenica e bëri një hap të madh drejt mbijetesës, pas fitores bindëse në duel me KEK-un. Taulant Dajaku ka qenë njeriu i ndeshjes pasi realizoi dy gola për ekipin vendës, të parin në fillim të pjesës së dytë, kurse atë të dytë në të 64-ën.
Madje, mesfushori drenicas e goditi edhe shtyllën, në pjesën e dytë. Kurse, nga një gol e shtuan Egzon Gashi (27’) me kokë dhe Amir Rrahmani (41’). Kuqezinjve u nevojitet vetëm edhe një fitore, për ta siguruar qëndrimin në elitën e futbollit kosovar.
Lepenci – Gjilani 4:0
Lepenci e ka ruajtur diferencën dypikëshe ndaj zonës së play-outit, pasi ngadhënjeu ndaj Gjilanit me epërsi të thellë. Kaçanikasit janë udhëhequr nga Besmir Gjika, i cili realizoi dy gola, kurse nga një e shtuan Besar Luri dhe Xhevdet Shabani.
Lepencit do t’i mjaftonte vetëm edhe një fitore, në dy xhirot e fundit, për të mbetur pjesë e Superligës, kurse Gjilani është përshëndetur më parë nga elita e futbollit kosovar.
Trepça – Besa 2:0
Trepça i ka mbajtur gjallë shpresat për t’i ikur barazhit, pasi e mposhti Besën në shtëpi. Enis Zabërxha ka qenë hero i skuadrës mitrovicase. Sulmuesi vushtrrias e nxori penalltinë në minutën e 62-të, të cilën në gol e shndërroi Shpëtim Babaj.
Ndërsa, tre minuta pa përfunduar takimi, ish futbollisti i Kosovës (V) dhe Hysit e vulosi fatin e këtij takimi. Trepça është e dhjeta me 37 pikë, kurse Besa e gjashta me 42 pikë.
Liria – Hysi 3:2
Liria e ka ruajtur pozitën e nëntë, pasi ia doli të fitojë në duel me kampionin aktual, Hysi.
Prizrenasit udhëhoqën me dy gola të shpejtë të realizuar nga Arsit Tafili e Ramadan Kryeziu (4’e 7’) , por llapjanët u kundërpërgjigjën me dy gola në fund të pjesës së parë me Leart Eminin (41’) e Leutrim Krasniqin (44’).
Mirëpo, golin e fitores për vendësit e shënoi Arsit Tafili nga penalltia në minutën e 64-t të takimit. Kjo fitore i mban prizrenasit një pikë larg zonës së play-outit.
Tabela
1. Prishtina 62 pikë
2. Trepça '89 58
3. Vëllaznimi 55
4. Drita 47
5. Hysi 45
6. Besa 42
7. Drenica 40
8. Lepenci 39
9. Liria 38
10. Trepça 37
11. KEK-u 25
12. Gjilani 24