E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse ende këto norma shqiptare interesi?

Krahas shkurtimeve të normave të interesit për dollarin, euron dhe paundin, një dukuri e ngjashme po vihet re dhe për monedha të tjera. Bile, ky është informacioni më i zakonshëm në ditët e sotme. Po aq i pritshëm ishte prej Rezervës Federale dhe veprimi i fundit për një shkurtim tjetër të normave të interesit, që u bashkëngjitet pothuajse të gjitha bankave qendrore në botë, për një koordinim të detyruar të këtij shkurtimi. Ideja bazë është për t'iu kundërvënë recensionit. Kjo nënkupton edhe marrje huaje apo dhënie borxhi më të lirë. Mund të besohet në këtë mënyrë se bizneset e personat e ndryshëm e kanë më të lehtë për të nisur, mbajtur apo kryer një biznes të dhënë. Ose, e thënë ndryshe, kjo nënkupton se ekonomia ka më tepër shanse për shtrirje e zgjerim. Sidoqoftë, marifetet e bankave mund të shfaqin probleme përkundrejt "kohës" në kreditim, ndërkohë që mund të ulin shpenzimet ndaj depozituesve...

Ulje të normave të interesit, krahas Japonisë, vihen re dhe në ekonomi të tjera aziatike, si ajo e Koresë së Jugut apo e Tajvanit. Bankat e tyre qendrore sapo kanë marrë vendimin e shkurtimit të normave të interesit. P.sh., Banka e Koresë së Jugut realizoi një reduktim rekord, duke reflektuar, në kuadër të rënies së tregtisë botërore, dhe rënien e eksporteve të këtij vendi shumë më shpejt nga ajo që pretendohej më parë. Dhe, mbi të gjitha, për të inkurajuar kërkesën e brendshme. Një proces i ngjashëm ndeshet në vende të Amerikës Latine. Një proces të përsëritur e ndeshimdhe në Bankën Qendrore të Zvicrës, sidomos pas ndërhyrjes së BQE-së (Bankës Qendrore Evropiane), në përpjekjet e saj për të zvogëluar ndikimin e recensionit në hapësirën euro.

Ndërkohë, vende si Britania dhe SHBA-ja, me deficite shumë të larta të llogarive rrjedhëse, po synojnë të arrijnë një zhvlerësim krahasues për monedhat e tyre, më tepër dhe për të mbështetur eksportet e tyre. Edhe në Rusi, banka qendrore ka reduktuar vlerën relative të rublës, me gati 5% në një muaj, për të kompensuar me "këmbëngulje" eksportuesit përkundrejt rënies së çmimeve të naftës. Situata të ngjashme ndeshen dhe në vende të tjera, duke e kthyer lojën e shkëmbimit të parasë, si Liza në Botën e Çudirave, në një "rezultante mesatare zero"...

Pritet që stimujt fiskalë të ndihmojnë në përmirësimin e deficitit buxhetor, në disa vende evropiane si Franca, Britania, Irlanda, Italia, Greqia apo Portugalia, ku është tejkaluar tashmë tavani i 3% të PBB-së. Krahas këtyre stimujve fiskalë, shihet si normal dhe shfrytëzimi i hapësirave të BQE-së për të zvogëluar përqindjen e interesave. Bile, nuk përjashtohet fakti që presione shtesë, në mënyrë të natyrshme, mund të çojnë në ulje të reja të normave të interesit.

Po ashtu, duhet theksuar se kriza aktuale financiare ka goditur tabutë e mëparshme të BE-së. Këtë kanë parasysh dhe stimujt e ndryshëm, prandaj, në "treg", prej Brukselit është hedhur plani dhe paketa e rimëkëmbjes ekonomike, për 27 vendet e BE-së. Në këtë optikë, masat e përcaktuara që në vitin 2005, për rregullimin e zbatimit të paktit të stabilitetit, ofrojnë edhe sot një "fleksibilitet" të mjaftueshëm. Aty, parashikohet që, në rastin e një "rritjeje negative" gjatë një viti apo në situata të tjera të veçanta, t'i akordohet një vonesë suplementare vendit anëtar, me qëllim uljen e deficitit të tij në nivelin e 3% të PBB-së. Megjithatë, këto "lëshime" konsiderohen të përkohshme, si mundësi fitimi kohe për të kapërcyer pasojat e krizës, deri rikthimin e tablosë ekonomike brenda normave të paktit të stabilitetit...

Në një shkrim të mëparshëm, është tentuar që të rritej dhe në Shqipëri ndjeshmëria politike, sidomos ajo qeveritare, ndaj masave antikrizë në Komunitetin Evropian apo kudo në botë. Në fakt, këto debate të fundit dhe masat përkatëse vlejnë të diskutohen, pse jo dhe të merren disa veprime konkrete në rrafshin financiar-bankar, për kushtet e Shqipërisë. Aspak vetëm për të hedhur një shikim mbi ndikimet e krizës financiare globale apo për të qetësuar thjesht veten tonë me "garancitë", "dobësitë", primitivizmin e "mbylljen" e sistemit shqiptar! As për të manifestuar ndonjë eufori të pakëshillueshme, por për të minimizuar ndikimet negative të kësaj krize dhe mbi të gjitha për të "pompuar", në një mënyrë apo tjetrën, veprimtarinë tonë ekonomike.

Një studim dhe veprim i tillë "paralel" është, p.sh., dhe ai që lidhet me normat e interesit. Parë në këtë plan, a nuk ka ardhur, p.sh., koha për të ulur normën e interesit të lekut në nivelin e BSH-së? Po për të rritur "vigjilencën bankare" ndaj normave të interesit si ato të "promovuara" nga bankat e nivelit të dytë gjatë fundverës (konkretisht në nivelin e 10% për lekun, apo për euron, apo dollarin shumë më të larta se norma e Bankës Qendrore Evropiane, apo ajo e Rezervës Federale).

Nuk përjashtohet dhe fakti që, me një ulje normale të këtyre përqindjeve, sektori bankar mund të inkurajohet në realizmin e aktivitetit normal huadhënës, duke e rritur dhe interesin e konsumatorit. Prandaj nuk duhet pritur, të paktën për ta studiuar! Një kujdes të veçantë kërkon ulja e domosdoshme e deficitit publik, sidomos kur shpenzimet qeveritare janë krejtësisht të pajustifikuara. Po ashtu, duhet studiuar dhe rekomandimi evropian, sipas të cilit taksat duhet të jenë më të reduktuara për paga të ulëta. Ato mund të kenë një ndikim pozitiv mbi punësimin e konsumin. Ndërkohë që, taksa e sheshtë, sado e thjeshtë, nuk është e tillë!...

Pra, kërkohen jo vetëm veprime të mençura e të kursyera, por dhe rregullime të mëtejshme ligjore, financiare e strukturore. Mbi të gjitha, me shfrytëzimin e konceptit të paketës antikrizë, duke përfshirë dhe masat për më tepër transparencë, efektivitet dhe agresivitet, sidomos ndaj abuzimeve të tregut apo spekulimeve të tij, ku të dallueshme janë çmimet e karburanteve e të shumë mallrave ushqimore...

Në grupin e politikave monetare, një vend të rëndësishëm zënë normat e interesit në lidhjen e tyre të ngushtë; interesa bonosh thesari-interesa kreditimi- interesa depozitash. Rritja e interesit të bonove të thesarit ndikon në rritjen e interesit të kredive në lekë, pasi norma e interesit e bonove të thesarit është dhe baza mbi të cilën llogariten interesat që aplikojnë bankat mbi kreditë në lekë, për klientët e tyre. Një dukuri disi tjetër vihet re në kredinë në valutë, që zë dhe rreth 72% të stokut të kredive. Ajo pasqyron dhe atë që po ndodh në Evropë. Konkretisht, kriza financiare globale ka bërë që normat e interesit të kredive në Evropë (me vlerë afërsisht 3-4% mbi normën e interesit e depozitave) të pësojnë rënie. Ky korrigjim në Shqipëri nuk është bërë në bankat e nivelit të dytë, ndërkohë që ai duhet bërë, veçanërisht për të minimizuar sa më shpejt rritjen e kredive me probleme në tregun bankar.

Po ashtu, vlen të shtojmë se "yield"-i prej 8-8.5%, apo rritja e normës së interesit të bonove të thesarit, nuk ndikon vetëm tek rritja e kredive për qytetarët, por edhe i shton borxhin qeverisë. Në këtë kuptim, normat e larta të interesit që paguan qeveria nuk "depozitohen" si shpërblim për klientët shqiptarë, por për bankat e nivelit të dytë (shumica joshqiptare), që përfitojnë pa shumë mundim interesa të larta nga blerja e letrave me vlerë. Ky shqetësim është shfaqur aktualisht në mjaft tregje bankare. Prandaj, në botë po "rifutet" dhe procesi i rikapitalizimit apo ndërhyrja qeveritare, për të mbrojtur klientët e jo bankierët. Shembuj të ngjashëm mund të ndeshen në kuadër të politikave fiskale e monetare, të planëzimit ekonomik, projekteve të infrastrukturës, rritjes së shërbimeve publike, edukative, shëndetësore, mjedisore, etj. Në kushtet e reja të krizës ekonomike-financiare, të gjitha masat apo veprimet e domosdoshme, në funksion të mbrojtjes të stabilitetit ekonomik, duhen përgatitur e përfshirë me shpejtësi në një paketë antikrizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›