E Diel, 1 Nëntor 2026

Një akt bamirësie dhe pak histori për orët e qyteteve

SHËNIM I REDAKTORIT: Shënimi i mëposhtëm na është dërguar nga lexues Isa Halilaj nga Kukësi dhe flet për një akt bamirësie në qytetin tonë verior. Redaksia e Kontakt falënderon lexuesit për prurjet e shumta, por apelon që tekstet të jenë të shkurtra dhe të shoqëruara me emrat e plotë të dërguesve.

Bamirësia është virtyt njerëzor që nga lashtësia. Ajo është shfaqur në forma e mënyra nga më të ndryshmet me vepra e veprime të thjeshta e deri tek veprat monumentale si kroje, çezma, rrugë e ura, faltore e monumente, kulla sahati e Orë qyteti, apo me ndihma e dhurime nga më të ndryshmet për komunitetin dhe njerëzit në nevojë.

Këto nuk bëhen për të fituar emër, sepse ato përgjithësisht janë e mbeten anonime, po vlerësimi për këto bamirësi nuk ka munguar. Populli e komuniteti që i ka gëzuar e i ka në përdorim këto bamirësi, vepra e monumente i njeh e trashëgon edhe me emrat e autorëve të tyre e i përmend përjetësisht. Si mos të përmendet bamirësja më e madhe e botës Nënë Tereza e dhjetëra-qindra të tjerë anë e mbanë vendit?

Edhe në Kukës, ka emra të tillë me kroje e çezma, me ura e shtigje për të cilët do të flitet e do të shkruhet në çdo kohë. Ato përbëjnë historinë e vërtetë njerëzore.

Një emër i ri në bamirësinë qytetare në Kukës është ai i familjes Cengu, e cila i dhuroi Kukësit, Orën e Qytetit.

Kullat e Sahatit e Orët e Qyteteve e kanë zanafillën tek nevoja për njohjen e kohës në punë e në jetë, tek nevoja për matjen e racionimin e saj me kujdesin e vlerësimin më të madh njerëzor. Jo më kot ka dalë shprehja proverbiale “Koha është flori”.

Koha është konsideruar si sinonim i jetës njerëzore andaj kemi shprehjet “Secili ka kohën e tij, erdhi koha e tij, mbaroi koha e tij” apo “ X apo Y është në orën e tij” etj., e njohja e saj ka qenë dhe është jetike për secilin. Merr urimet më të mira ai që të tregon orën se sa është, ose kur i thotë udhëtarit se kjo rrugë zgjat tri orë...

Pikërisht për këtë njohje të kohës, mendja njerëzore shpiku sahatin, me variantet që nga ora me rërë apo me lëngje e deri tek orët moderne mekanike e sot elektronike.

Orët apo sahatet e Qyteteve, si nevojë e përdorimit kolektiv, në shumë vende u bënë si një nga fushat më praktike e të nevojshme të bamirësisë. Vendosja e tyre në vendet dominuese të urbanistikës së qyteteve ka qenë preukupacion edhe i arkitektëve dhe projektuesve të kullave të sahateve po kaq të rëndësishëm sa edhe bamirësi dhurues i tyre.

Që nga shek.XVII, kur filluan të lulëzojnë qytetet mesjetare shqiptare, u bënë të njohura Orët e Qytetit e Kulla e Sahatit në Elbasan, Prizren, Krujë, Berat, Shkodër etj., ndërsa në shek.XVIII Orët e Qytetit në Tiranë, Durrës, Prishtinë, Korçë, Pejë etj., e disa prej tyre si monumente në funksionim kanë arritur deri në ditët tona, si në Tiranë, Peqin, Kavajë, Elbasan etj.

Ora e Qytetit në Kukës, është më e reja ndër orët e qyteteve. E këtë e ngriti një qytetar i thjeshtë, po me zemër të madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›