E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhen bordet, kompetencat sipas ligjit

Ministria miratoi anëtarët e rinj të bordeve për TKOB dhe Teatrin Kombëtar. Funksionojnë në bazë të Ligjit “Për Artin Skenik”

Pas një viti të lodhshëm dhe joproduktiv, duket se në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit janë ulur gjakrat. Tashmë ka një bord të zgjedhur me mirëkuptimin e “palëve”, ka një statut të miratuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe po punohet për hartimin e rregullores së brendshme. Pas një periudhe të gjatë pritjeje, MTKRS miratoi bordin e ri të këtij institucioni, duke zëvendësuar atë të vjetrin, që shkaktoi aq shumë gjullurdi gjatë sezonit të kaluar. Emrat e rinj janë Sokol Shupo, muzikolog dhe dekan i Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve, Ermir Dizdari muzikolog, Albert Janku, koreograf, Safet Sula, përfaqësues i grupit parlamentar të kulturës, Fisnik Brovina, sekretar i përgjithshëm pranë MTKRS-së, Rubens Shima, piktor, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Dhe sigurisht Zhani Ciko si drejtor i TKOB-it. Ishte kërkesë e MTKRS-së që në përbërje të bordit të ishin drejtues institucionesh kulturore, ndër të cilët u zgjodh Shima dhe Shupo. Ky i fundit, edhe për të forcuar lidhjet me Akademinë e Arteve, ku Opera e Baleti “furnizohen” vazhdimisht me elementë të rinj. Ndërsa ende nuk është informuar për kompetencat dhe detyrat e bordit, Shupo thotë se nuk do të ndërhyjë në çështjet ekonomike të institucionit, por brenda kompetencave do të ofrojë gjithë ndihmën e mundshme për të pasur më shumë shfaqje në TKOB dhe me cilësi më të lartë artistike. Muzikologu Dizdari, i cili ka disa eksperienca brenda këtij institucioni, si drejtues i Ansamblit, apo si anëtar i disa këshillave artistikë thotë se emrat e rinj të vendosur në bord tregojnë për kthimin e mendësisë së politikëbërësve, në këtë rast MTKRS-së. “Përkundër zgjedhjeve sipas përkatësive partiake, e shoh pozitiv faktin, që jo vetëm në bord, por edhe në sektorë të tjerë të institucionit janë thirrur njerëz me përvojë, si në rastin e Agim Krajkës, mjeshtër, i cili ka ngritur strukturën e orkestrës së Ansamblit, apo Milto Vako, mjeshtër i korit. Mendoj se angazhimi i tyre do të ndihmojë në ngritjen e nivelit artistik të Teatrit të Operës dhe Ansamblit”, - thotë Dizdari, i cili gjithashtu pret mbledhjen e bordit për të mësuar më shumë mbi kompetencat që do të kenë. Ky bord i cili mendohet çtensionojë situatën e krijuar për shkak të përplasjeve mes bordit dhe drejtuesve të TKOB-it, pritet të mblidhet së shpejti e të miratojë në parim kalendarin e sezonit të ri. Në të vërtetë kalendari i sezonit është përcaktuar qysh në fillim të vitit dhe bordit nuk i mbetet veçse të japë ndonjë sugjerim. Siç përshkruhet në statut, ai do të funksionojë në bazë të Ligjit “Për Artin skenik”, sipas të cilit, ka funksion thjesht konsultues dhe jo vendimmarrës, vendos repertorin artistik vjetor të institucionit, në përputhje me politikën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, miraton projektet artistike, në përputhje me repertorin e vendosur, miraton kriteret dhe kushtet e shpërblimit të vlerës artistike, por nuk do të merret me çështje financash, madje as me audicione, si pretendonte bordi i mëparshëm. Gjithashtu kandidatët e bordit mund të propozohen nga titullari i institucionit dhe jo thjesht nga ministri. Në bazë të statutit kufizohen të drejtat e drejtorit artistik, i cili do të jetë një “vartës” i titullarit dhe bordit dhe për vendosjen e tij ka të drejtë të paraqesë kandidaturat e mundshme titullari, për t’u miratuar më vonë nga ministri. Një çështje e cila ende ka mbetur pezull e që mësohet se ministri Pango ka premtuar ta zgjidhë së shpejti, është ajo e drejtorit ekonomik, i cili nuk ka arsimimin e duhur për të përmbushur këtë detyrë. Prej këtyre rezultateve duket se janë sheshuar në një farë mase përplasjet mes TKOB-it dhe MTKRS-së dhe mund të quhet si një fitore e vogël e sindikalistëve dhe komunitetit artistik, i cili u ndje i çoroditur për gati një vit. Mësohet se po punohet, ndërkohë për hartimin e rregullores së brendshme.

Ndërkaq, bordi i ri është miratuar edhe në teatrin Kombëtar. Ata janë Agim Zajmi, skenograf, Artan Minarolli regjisor, drejtor i Arkivit Shtetëror të Filmit, Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve, Genc Sharku, anëtar i komisionit parlamentar për kulturën, Adriatik Kallulli kritik dhe Altin Basha, regjisor. Kryetar i bordit është drejtori i TK-së, Kristaq Skrami. Sezoni artistik për TK-në do të nis të shtunën me “Trojanet”, ndërsa për veprat e tjera do të duhet që bordi të punojë me orë të zgjatura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›