Ekselentët e Shqipërisë, çfarë po ndodh me Fondin?
Se çfarë është ky Fond, dhe në çfarë vështirësish po ndesh, flet në bisedën e mëposhtme kryetarja e njërit prej komisioneve që caktojnë fituesit, prof.Valentina Duka
Telefoni bie papushim. Kemi trokitur në orarin zyrtar të punës dhe është thuajse e pamundur të bësh dy pare muhabet qetësisht. “Është një periudhë shumë e ngarkuar me punë”, justifikon ndërsa i duhet të ndërpresë herë pas here bisedën për të kthyer kokën nga dera. Shtatori është me të vërtetë një muaj tejet i ngarkuar për stafet akademike në universitete. Në zyrën e profesoreshë Valit, kështu janë mësuar t’i thërrasin studentët, i gjen të përplasen të gjithë. Në ndryshim nga ata të cilët presin jashtë derës, motivi që na detyron të trokasim në zyrën e zv/dekanes së Fakultetit Histori –Filologji, Prof. Dr Valentina Duka, është krejt tjetër. Fondi i Ekselencës! Çfarë po ndodh? Cilat janë problemet që po kalon projekti i aq trumbetuar në fillimet e tij?
Profesoreshë Duka, Fondi i Ekselencës mbush një vit nga krijimi. Në cilësinë e kryetares së komisionit të Shkencave Sociale dhe Humanitare, që përzgjedh ekselentët në këtë fushë si ka qenë ecuria e këtij projekti dhe problemet me të cilat jeni hasur gjatë punës për përzgjedhjen e fituesve?
Në fakt ky është viti i dytë i krijimit të Fondit të Ekselencës sepse vendimi për hapjen e fondit është marrë në muajin dhjetor të vitit të kaluar ku u shpërndanë edhe 13 bursat e para doktorale në prani të kryeministrit. Unë kam qenë e pranishme në dhënien e bursave të para, ndërsa këtë vit në bazë të vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave për ngritjen e dy komisioneve për shqyrtimin e dokumentacioneve dhe përzgjedhjen e fituesve të Fondit të Ekselencës, unë u zgjodha në krye të komisionit të Shkencave Sociale dhe Humanitare, ndërsa Myqerem Tafaj këshilltar i kryeministrit për arsimin në krye të komisionit të Shkencave Teknike dhe të Natyrës.
Përpara se të kaloj te problemet që shoqërojnë Fondin e Ekselencës dua të saktësoj mënyrën e përzgjedhjes së kuadrove fitues në universitetet europiane dhe amerikane, të cilët përzgjidhen vetëm mbi bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, duke plotësuar të gjitha kërkesat sikurse janë; mesatarja mbi 9.5 për ata që kanë përfunduar studimet në vend sepse në të kundërt nuk kemi pse ta quajmë Fondi i Ekselencës, mesatarja 8.5 për ata që kanë studiuar jashtë si edhe më e rëndësishmja ndër to kthimi i bursantëve në atdhe.
Sigurisht në dosje krahas një sërë dokumentesh të tjera që vërtetojnë notat, duhet të jetë po diploma me notë shumë të lartë e masterit dhe vendimi i departamentit të universitetit të huaj që studenti shqiptar të pranohet në këtë doktoratë. Pa këto një student nuk mund të jetë pjesë e Fondit të Ekselencës.
Në takimet e herëpashershme, ku temë bisede ka qenë Fondi i Ekselencës, drejtues të arsimit dhe vetë kryeministri kanë ngritur shqetësimin mbi numrin e pakët të aplikimeve. Çfarë po ndodh?
Ky është një shqetësim i drejtë. Ajo që vuri re komisioni në fushatën e dytë të Fondit të Ekselencës të mbajtur në muajin mars, ishte që numri i aplikantëve nuk qe shumë i madh. Unë mendoj që ka dy arsye se përse kërkesat janë të pakta. Arsyeja e parë madhore që unë gjykoj është fakti se një nga kriteret për të siguruar Fondin e Ekselencës është që studenti pasi të përfundojë doktoratën duhet të vijë të kontribuojë në vendin e tij.
Shumë kuadro të rinj, nga diskutimet që unë bëj edhe me asistentë të mi, mendojnë që mund të jenë të shkëlqyer në doktoratë dhe mund të punësohen në një universitet jashtë vendit, që i siguron të ardhura ekonomike shumë më të mëdha se qenia pedagog në universitetet shqiptare. Për këtë arsye ata mendojnë që është më mirë të sigurojnë bursë në një vend tjetër që më pas të vendosin të kthehen ose jo të jetë e drejtë e tyre, sesa të kalojnë nga Fondi i Ekselencës. Kjo është e para.
E dyta mund të jetë edhe fakti që jo të gjithë që kërkojnë të futen në Fondin e Ekselencës, plotësojnë kushtet e vendosura në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Një student që ka notën mesatare 9.4 nuk e siguron dot bursën. Këtë shqetësim komisioni e vërejti me shumë keqardhje gjatë verifikimit të dokumenteve, por ne jemi të pafuqishëm për të shkelur vendimin e qeverisë i cili thotë qartë se për të fituar bursë në Fondin e Ekselencës studentët që kanë përfunduar studimet në universitetet në vend duhet të kenë mesataren 9.5.
Duket pak absurde. 0.1 pikë! Është e pamundur që të bësh lëshime në rastet kur kemi studentë me mesatare 9.4?
Thashë kjo është një situatë të cilën komisioni e vuajti. Mesatarja 9.5 është kriter i vendosur në Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe komisioni nuk ka asnjë të drejtë për ta ndryshuar. Kjo bëri që shumë nga studentët të cilët edhe për 0.1 pikë ose të mungesës së ndonjë dokumenti formal ne dosje, të mos arrinin të fitonin bursën. Një tjetër arsye madhore që numri i aplikantëve është shumë i vogël është fakti që unë mendoj që Ministria e Arsimit duhet të loboj më shumë për Fondin e Ekselencës, të mos ia lerë vetëm faqes së saj të internetit që herë punon dhe herë nuk punon por të jetë më prezente në media. Shumë nga asistentët të cilët unë i inkurajoj të aplikojnë në Fondin e Ekselencës më thonë që nuk e kanë ditur hapjen e fushatës.
Thuhet se Shqipëria nuk ka kapacitete për të plotësuar Fondin e Ekselencës. Sa e vërtetë është kjo dhe sa për qind e buxhetit të miratuar nga Këshilli i Ministrave për fondin, është arritur të thithet nga aplikantët?
Shumë pak. Me këto që kam parë tani, për të mos ia vënë të gjithë fajin lobimit, Fondi i Ekselencës thithet në një përqindje shumë të vogël. Kjo do të thotë që me fondin e shpallur ne nuk kemi doktorantë për të mbuluar kërkesat e tij, ose kemi dhe nuk kanë dëshirë të kthehen. Nuk di të them me saktësi, por mendoj se një përqindje e vogël e buxhetit të qeverisë të akorduar për Fondin e Ekselencës u plotësua me konkurrimin e marsit. Për këtë arsye ne i propozuam qeverisë që të hapë edhe një fushatë të re në muajin shtator të këtij viti, që në fakt hapja ose jo është tagër e ministrit të Arsimit.
Nuk e di nëse vendimi i qeverisë thotë që fushata të hapet njëherë apo dy herë në vit. Duke qenë përpara faktit se në dy fushatat e para është zënë vetëm një përqindje e vogël e buxhetit të miratuar për Fondin e Ekselencës, ne i kërkuam qeverisë që të hapë një fushatë të re, e cila të jetë më prezente në media. Kjo kërkesë bëhet në mënyrë që të përfshijë më shumë kuadro në universitetet shqiptare dhe të huaja si edhe për këtë çështje të ketë më shumë informacion. Për momentin kur flasim unë nuk kam asnjë informacion që të jetë marrë vendim për hapjen e fushatës së re, ndërkohë që jemi në pritje. Po të kthehemi pas në fushatën e dytë të muajit mars, numri i aplikantëve që arritën të fitojnë Fondin e Ekselencës nuk ishte më shumë se 6 studentë ndërsa në total nuk konkurruan më shumë se 15 individë. Flas gjithmonë për komisionin të cilin unë drejtoj!
Ju përmendët me të drejtë disa problematika. A mendoni se duhet ndryshuar diçka në kriteret e pranimit për Fondin e Ekselencës?
Në mënyrën absolute që kërkesën për t’u kthyer në atdhe e kanë të gjithë vendet që aplikojnë Fondin e Ekselencës, sepse në të kundërt do të shtonte edhe qëllimi i fondit. Në këtë pikë nuk mund të bëjmë asnjë lëshim. Po kështu edhe mesatarja 9.5. Ne e diskutuam edhe në komision këtë, por kjo sigurisht duhet të jetë relative, por jo të shkelë parimet e ekselencës. Nuk mund të fitojë Fondin e Ekselencës një student që nuk është ekselent në nivelin universitar dhe unë mendoj që 9.5 deri më 10 duhet të jetë. Nëse shkelet mesatarja humbet filozofia e fondit të Ekselencës, ose ta marrin ata studentë që meritojnë ose pjesa tjetër të mos jetë vetëm për studentë të doktoratës po të jetë edhe për studentë të masterit dhe të studimeve universitare. Meqënëse shikohet që studentët e doktoratës janë me pikatore dhe Fondi i Ekselencës nuk po ia arrin qëllimit të tij është më mirë të shtrihet edhe me studentë universitarë edhe me studentë të masterit dhe të ruhet ekselenca në mesatare sesa të shkelet mesatarja dhe të mbetet vetëm te studentët e doktoratës.
Në mimikën e ish-ministrit të Arsimit Pollo, në një takim të zhvilluar jo më larg se dy muaj më parë, vura re shqetësim. A duhet të frikësohemi se kërkesat e pakta për aplikim mund të sjellin si rrjedhojë dështimin e Fondit të Ekselencës?
Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Arsimit dhe e Shkencave mendonte që shkak për numrin e pakët të aplikimeve ishte koha e shkurtër në dispozicion për sensibilizimin e aplikantëve. Por kur kjo situatë u pa edhe në muajin mars atëherë mendimet ndryshuan. Për këtë arsye unë mendoj që duhet të shtrijmë gamën e Fondit të Ekselencës në nivele të tjera studimi, për të shmangur kësisoj edhe dështimin e projektit. Pra unë them që bursat të mos jepen vetëm për doktoratën por edhe në nivelin master dhe në nivelin universitar. Vetëm kështu mund të arrijmë ta bëjmë eficent Fondin e Ekselencës.