E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një analizë për bashkëpunimin e socialistëve, kur është puna për qoka deputetësh

Rendi i ditës. Miratim nen për nen i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime...në rrogën e deputetit”. Hapet mbledhja, pa mikrofon. Deputeti flet. Sa do t’i shtojmë rrogat? - 1 milion. Pse 1 milion? Po sa? - Dy milion. Pse dy milion? Po sa? -37 milion lekë të reja fringo. Mirë në rregull, ngrini duart lart: miratohet. Kujdes! Ky nuk është një dialog imagjinar, por është thelbi çka del nga procesverbali i konsensusit të fshehtë PS-PD-LSI-PDU-PR në Komisionin Ekonomisë dhe Kuvend. Janë plot 37 milion lekë të reja shtesë si fond për pagat e deputetëve. Besoj se këtë informacion nuk e keni dëgjuar në një edicion lajmesh, apo jo? Nuk ka sesi. Mirëpo janë po këto deputetët që dalin çdo ditë për të folur për krizë ekonomike të Shqipërisë. Afërmendsh kundërthënia është një koncept që nuk njihet nga politikanët shqiptare. U duket si fjalë e huaj. Dhe pastaj ankohen se në Shqipëri vlon anti-politika.
Në kulmin e llafeve për ligjin e Shërbimeve Sekrete dhe të krizës ekonomike, Parlamenti i vendit me pëlqimit e kuptueshëm dhe të frikshëm të palëve ka miratuar edhe një shtim të pagave të deputetëve dhe të administratës. Partia Socialiste e cila ka vendosur veton për të mos votuar asnjë ligj, e ka thyer këtë betim për interes të interesit vetjak. Edhe Edi Rama ka qenë dakord. Nuk dihet pse. E çuditshme por e vërtetë: në një kohë që qeveria ka shprehur se do të ketë shkurtime në buxhet, Parlamenti unanimisht përdor një standard ndryshe, të paprecedentë dhe jo transparent, pasi ky vendim në komisionin e ekonomisë mban datën e 23 korrikut 2010. I vetmi që ka kërkuar sqarim ka qenë deputeti demokrat Florion Mima, i cili, për shkak se mbledhja në ato çaste po zhvillohej pa mikrofon, nuk ka kuptuar asgjë se çfarë u bë me fondet për deputetët. Insistimit korrekt të Mimës i është kundërpërgjigjur një deputet socialist (njëri prej këtyre: Koçi, Kadeli, Malaj, Braçe, Bejtja, Seseri) me buzëqeshje se “ta sqaroj unë më vonë!”. Kuptohet sqarimi u bë dhe jashtë derës socialistët konfirmuan konsensusin e tyre.
Ky kompromis për pagat e tyre vjen edhe si pasojë e vendimit të Kryeministri Berisha për t’iu hequr makinat dhe shoferët 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët ishin në hall se Ligji i dha fund luksi të tepruar të një deputeti për të përfituar nga buxheti i shtetit për transportin, telefonatat dhe dietat jashtë vendit. Mirëpo nëse ata dalin nga dera me ligj, luksi aq i munguar hyn nga dritarja. Më atë kosh rishqyrtimi i statusit të ligjvënësve vinte me faktin se deputetët mbanin makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve dhe nevojës për të ulur koston e shpenzimeve. Kurse tani i bie kështu: ose janë rritur shpenzimet buxhetore (çka nuk është e vërtetë) ose lekët e taksapaguesve po shkojnë si fond shtesë (çka mund të jetë tepër e vërtetë). Një prej të dyjave është: zgjidhni dhe merreni.
Sidoqoftë është e stërthënë se të zgjedhurit tanë kanë kushtet mbi normalen, sikurse pagat e tyre në raport me homologët e rajonit janë ndër më të lartat. Një deputet në Shqipëri merr një pagë fikse mujore mbi 1 mijë euro, ndërkohë që për çdo pjesëmarrje në komisione ai shpërblehet deri në 2500 lekë të reja. Nuk ka deputet që nuk është në një komision, bile ka prej tyre me vetinë “ubique” pra i qenies në dy-tre komisione njëkohësisht.
Natyrisht ky përbën një kontrast të madh përderisa shumica e qytetarëve mundohen të mbijetojnë me një rrogë mujore prej 250 euro dhe të tjerët me asistencë sociale qesharake; kurse të zgjedhurit e popullit (që për 6 muaj në shkuan në Kuvend, dhe kur shkojnë po shkojnë për sherr se ligje nuk votojnë) janë vetmit që edhe përkundër faktin se marrin mbi 1 mijë euro rrogë mujore, në mënyrë jo transparente i shtojnë vetes edhe ca të tjera. Natyrisht që ky luks nuk ia lejon atyre të prekin realitetin.
Nëse doni një kontrast tjetër shikoni krahasimin e rrogave të atyre që gjysmën e jetës së tyre e kanë kaluar duke mësuar, duke shkuar në shkollë, universitete, institute e më vonë, duke shërbyer nëpër spitale, shtëpi shëndeti etj. Krahasimi si procedim mendor ka lindur për ta thjeshtuar përpjekjen e njeriut në të kuptuarit e gjërave. Shikoni dhe krahasoni: janë rrogat e mjekëve që anë shpëtuar qindra mijëra njerëz nga sëmundje të ndryshme. Janë rrogat e policëve që kanë në duar sigurinë e vendit natën dhe ditën, në shi, në diell, në grevë dhe në protestë janë përfaqe të zezë. Po ashtu rrogat e mësuesve që japin dhuratë diturinë.
Si përfundim shkrime të tilla nuk kanë qëllim diskreditimin e të zgjedhurve tanë në odën e demokracisë si qylaxhinj, por qëllimi është t’u themi lexuesve një diskrepancë mes asaj që na thonë, me atë se çfarë bëjnë deputetë.
Jo rritja e pagave, por zvogëlimi i tyre është rruga më e mirë për të krijuar së paku një imazh më të mirë tek qytetarët e këtij vendi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›