Vizat, aspirata historike që po përmbushet në sajë të rikthimit në gjirin e qytetërimit perëndimor

Kryeministri Sali Berisha bën të ditur se brenda muajit gusht, do dorëzohen përgjigjet mbi raportet e ekspertëve të KE-së, të cilat edhe formalizojnë vendimin historik për lëvizjen pa viza në vendet e hapësirës “Schengen”
çështje e parë e punës në muajin gusht për qeverinë do të jetë shqyrtimi i raporteve të ardhura nga ekspertët e Komisionit Europian, që në korrik vizituan Shqipërinë, për të verifikuar progresin e bërë në tre çështjet që KE la si detyrë, pas propozimit për heqjen e vizave për Shqipërinë, bëri të ditur Kryeministri Sali Berisha dje në mbledhjen e qeverisë.
“Siç jeni në dijeni, Komisioni Europian ka dërguar raportet e grupeve të ekspertëve që erdhën në korrik, për të verifikuar zhvillimet dhe progresin e bërë në tre çështjet kryesore, të cilat u lanë si detyrë për t’u vlerësuar nga Këshilli i Komisionerëve të KE-së, kur shpalli propozimin për heqjen e vizave për Shqipërinë”, deklaroi Berisha.
Kryeministri vlerësoi më tej procesin e liberalizimit të vizave, si një nga objektivat më madhorë të qeverisë, si dhe një ridimensionim të dinjitetit, të mundësive dhe potencialeve.
“Heqja e vizave ka përbërë dhe përbën një nga objektivat më madhorë të programit të kësaj qeverie. Kjo përbën padyshim, një nga arritjet më të mëdha historike të shqiptarëve dhe të kombeve që përfitojnë nga këto vendime. Ky është një ridiminsionim i jashtëzakonshëm i lirisë së lëvizjes, por, aq më tepër, kur, për shkak të barbarive të regjimit që shkoi, ne u detyruam të braktisim vendin, si edhe disa shekuj më parë. Ne kemi një numër më të madh emigrantësh, se çdo vend tjetër dhe janë jo të pakta gëzimet apo hidhërimet, që familjet, për shkak të regjimit të vizave, nuk i ndajnë së bashku. Ky është një nga aspektet dhe natyrisht, është më njerëzori. Nuk ka aspekt tjetër më njerëzor, sesa bashkimi i familjes në gëzime apo hidhërime. Solidariteti familjar është themeli i mirësisë. Por, nga ana tjetër, lëvizja përbën edhe një ridimensionim të dinjitetit, të mundësive dhe potencialeve”, u shpreh Kryeministri.
Duke i vlerësuar raportet objektive, Kryeministri kërkoi studimin me kujdes të tyre, dhënien e përgjigjeve brenda afatit të përcaktuar, fundi i muajit gusht dhe mbi to, përcaktimin e objektivave të reja .
“Raportet janë shumë objektive. Ekspertët, e dërguar nga Komisioni dhe që përfaqësonin vende të ndryshme, patën rastin t’i “preknin” gjërat në vend, e kam thënë edhe më parë se Komisioni përdor praktikën e Shën Thomait. Megjithatë, ne duhet të nxjerrim çdo problem të ngritur, pavarësisht nga arritjet. Kjo është jashtëzakonisht e dobishme, në mënyrë që të procedohet më tej me reformat. Le të marrim luftën kundër korrupsionit. Ajo është një luftë e pasosur, që nuk përfundon kurrë, por e cila shënon sukses. Në këtë aspekt, shqyrtimi dhe rishqyrtimi i përpjekjeve tona në këtë luftë është domosdoshmëri, për të konsoliduar atë që është arritur dhe për të kapur nivel tjetër. Po ashtu, lufta kundër krimit të organizuar është një luftë që nuk ndërpritet kurrë. Suksesi i saj varet sa je në gjendje të konsolidosh atë që ke arritur dhe me vendosmëri të përcaktosh objektiva të tjera”, theksoi Berisha.
Kryeministri i shprehu falënderimin anëtarëve të qeverisë dhe të gjithë punonjësve të administrate për seriozitetin, me të cilin ata trajtuan zbatimin e të gjitha kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave.
“Duke falënderuar të gjithë punonjësit e kësaj administrate dhe ju, për seriozitetin e madh, me të cilin u trajtua zbatimi i të gjitha kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave, do të kërkoja që ky proces, që konsistoi në një tërësi reformash shumë të dobishme për vendin, të njohë konsolidim të mëtejshëm dhe nivele të reja. Pa përkushtimin, mundin dhe djersën e tyre, do të kishte qenë e pamundur përmbushja e kërkesave të udhërrëfyesit, për një nga vendimet më historike që merret për shqiptarët”, shtoi Berisha.
Më tej kryeministri kërkoi që ky proces, që konsiston në një tërësi reformash shumë të dobishme për vendin, të njohë konsolidim të mëtejshëm dhe nivele të reja.