E Diel, 1 Nëntor 2026

“Një arritje e Kosovës, në rrugëtimin drejt njohjeve të reja”

Zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi, përshëndet vendosjen e marrëdhënie diplomatike mes Kosovës dhe Malit të ZiZëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi në një konferencë për shtyp dje ka përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Harxhi tha se kjo është një arritje tjetër e shtetit më të ri në botë, që është Kosova, në rrugëtimin e tij drejt vendosjes jo vetëm marrëdhënieve diplomatike, por edhe njohjeve të reja. “Lidhja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit të Zi është shumë domethënëse për rajonin, dhe për Ballkanin në përgjithësi, për vetë faktin që tashmë Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me tre nga vendet që e rrethojnë, që i ka fqinjë të drejtpërdrejtë në rajon, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Shpresoj që natyrisht, shpejt a vonë, kjo të shkojë edhe me fqinjin e katërt të Kosovës, që është Serbia, dhe natyrisht të arrihet edhe njohja e plotë e Kosovës nga vende të tjera që janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara,” deklaroi zëvendësministrja. Duke shtuar më tej se shpresoj që në këtë vazhdë, duke parë edhe njohjet më të reja, siç ishte Republika e Mauritanisë para disa ditëve, që është shteti i 65-të që ka njohur Kosovën, këto njohje të  vazhdojnë pavarësisht nga vendimi i gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që pritet të dalë. Por kjo nuk do të ndikojë, dhe po shihet që nuk ndikon, ashtu sikurse nuk do të ndikojë ai vendim edhe në lidhjen e marrëdhënieve diplomatike dhe me vazhdimin e këtij shteti të ri në rrugëtimin e tij drejt OKB-së. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi deklaroi se “Republika e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, vazhdon gjithë punën e saj të përditshme në çdo moment duke loguar për njohje të reja të Republikës së Kosovës dhe mbështet fuqimisht të gjithë aktivitetin diplomatik të Republikës së Kosovës, jo vetëm në favor të njohjeve të reja, por natyrisht dhe në rrugën e saj të konsolidimit të shtetit të ri, gjë që i shërben paqes dhe sigurisë në rajon. Ne vazhdojmë akoma me projektet tona ashtu si më parë”, u shpreh ajo. Me tej, ajo tha se tashmë kemi një memorandum midis dy Ministrive të Jashtme, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë për marrëdhënie mjaft të shpeshta, por dhe për një aktivitet mjaft të fortë diplomatik midis nesh, si dhe një ndihmë reciproke, sidomos ndihmë përkrah vendosjes dhe konsolidimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe shërbimit diplomatik të Kosovës.Ndër të tjera, Harxhi tha se, shpresoj që shumë shpejt të kemi edhe njohje të tjera dhe këto njohje të reja të jenë jo vetëm ndër pesë shtetet që kanë mbetur nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe nga vende të tjera të cilat janë pjesë e OKB-së. Duke qenë se edhe Mbretëria e Spanjës në këto momente ka marrë Presidencën e radhës të BE-së, shpresoj që dhe lajmi i mirë që erdhi nga Spanja në këto momente për të ftuar Kosovën në Konferencën e Sarajevës që do të zhvillohet pas disa muajsh, natyrisht që është një tjetër arritje e madhe dhe zhvillim tjetër në dobi të paqes në rajon dhe më gjerë, u shpreh në deklaratën e saj zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›