Një azil nën rrënoja
Albana M. LIFSCHIN
Kanë kaluar vite nga rënia e kullave binjake të Nju Jorkut. Tablosë madhështore të Manhattanit vazhdojnë t’i mungojnë dy qiellgërvishtësit. Bëhen projekte për ngritjen e kullave të reja, ndoshta edhe më të larta për të sfiduar terrorin, por ende s’ështe hedhur asnjë gur themeli. E sa herë kaloj këtu, është e pamundur të mos të më shkojnë të rëgjethura nga kujtimi i asaj dite. Pres te stacioni i autobusit, në Fulton st., ndërkohë që më rrëmben biseda e dy grave, të cilat presin ashtu si unë.
”Këta të Emigracionit duhet të bëjnë ndonjë gjë, duhet ta shtrëngojnë këtë punë. Ta mbyllin emigracionin për disa vjet, se kanë ardhur shumë të huaj.”
”Si ta mbyllin”, përgjigjet tjetra, “edhe prindërit tanë kanë ardhur si emigrantë.”
“Prindërit e mi e kanë ndërtuar këtë vend, kurse emigrantët e rinj që po vijnë po e shkatërrojnë”, ia kthen gruaja më e vjetër me nje zëmërim të hapur.
“Ata që vijnë, nuk janë të gjithë të këqinj, ndërsa qeveria nuk ka si t’i dallojë kush është i keq e kush i mirë.”
M’u kujtua një libër që bënte fjalë për Amerikën pas goditjes nga Japonia, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveria i mori të tërë emigrantët japonezë , madje edhe ata me pasaportë amerikane, dhe i flaku në internim. Vonë u kërkoi falje, duke u dhënë edhe dëmshpërblime. Natyrisht, as që mendoj se ai qëndrim “pastrues” do të përsëritet ndonjëherë. Imagjino sikur t’i merrte për rreckash të gjithë sa ishin këtu nga Arabia Saudite, meqë ata që na goditën në 11 shtator, vinin nga ai vend e ti... Mendimet më janë mpleksur keq. Unë, emigranti i Evropës lindore, kam ardhur të futem nën çadrën e madhe të Amerikës, këtu ku nuk më zë as shiu e as breshëri politik, që më zunë në vendin tim. E prapë truri i shkretë punon politikë! Gjyqi më është shtyrë. Avokati tha së nuk kishim fakte të mjaftueshme, edhe pse më qe vënë dinamit te makina mu në mes të pazarit, në mes të ditës. “ Si mund ta faktosh që ky është krim politik e jo ordiner? Ti ke pasur një biznes atje apo jo?” ǒti thoja? Kur s’isha në gjendje të bindja avokatin tim, si mund të bind gjyqtarin?!
* * *
Thonë se ka emigrantë që e fitojnë azilin duke sajuar historira të rreme. E kuptoj, nuk kanë të vertetën me vete. Po unë? Do fyeja veten sikur të filloja e ta zbukuroja historinë time. A nuk ishte e mjaftueshme? Duhen prova të tjera, më thotë avokati. Dhe unë nënkuptoj: fallsifiko ndonjë shkresë, thuaj dikuj të shkruaj diçka për ty në gazetë, jep ca të holla nën dorë. Na duhen evidenca… Jo, avokati im s’më sugjeron asgjë nga këto. Më thotë vetëm se “sikur s’e kemi kejsën të fortë", se duhet të presim, se ishalla është me të mira gjykatsja atë ditë… e të tjera si këto. E unë bie në një mendje dhe i lutem Zotit që të më bekojë edhe mua bashkë me Amerikën.
Ndërsa mbrëmë Lejla e kishte marrë time shoqe dhe e kishte qerasur. Pse? Sepse kishte fituar azilin. Po ç’kishte bërë Lelja, luleshitsja e lagjes sonë për demokracinë? A mos kishte dalë me flamurin blu në dorë përmes plumbave të diktaturës? Jo, kishte përvetësuar një histori përdhunimi dhe e kishte e mësuar aq mirë, sa e kishte besuar edhe vetë. Në sallën e gjyqit e kishte shtrydhur shaminë nga lotët, nga përfytyrimi i llahtarshëm i dhunimit bërë nga forcat politike... Gjykatësi qe përlotur gjithashtu. Urime, Lejla! Tani shko e apliko për artiste në Hollywood!
Ime shoqe u bë keq. Nuk fjeti gjithë natën. Mezi priti sa të gdhihej të më nxirrte nga dera jashtë.” Shko shkunde avokatin tënd! Tunde”, tha, “shiko ç’bëjnë bota! Kurse ti do na kthesh përsëri në Shqipëri. Mendo për fëmijët!”
Dhe unë marr rrugët e Manhattanit për fëmijët… Nëse do ta humbas gjyqin, do të më vijë një urdhër deportimi nga Amerika, që duhet ta zbatoj, ndryshe bëhem i paligjshëm. Kam dalë i paligjshëm matanë oqeanit dhe këndej tij. Atje sepse fola nën modelin e lirisë amerikane, e këtu, sepse nuk dita “të mbroj veten”. Unë jam ai emigranti, moj zonja të dashura, që kam ardhur ” të shkatëroj” Amerikën, më vjen t’u them zonjave flokëbardha te stacioni i autobusit.
Im bir është në shkollën fillore e cicëron anglisht, sa s’dallohet fare prej atyre që kanë lindur në këtë vend. Se këtu erdhi një vjeç. Madje ime shoqe i kërkon të na i thotë në shqip ato që djali na i thotë në anglisht. ”Why? Don’t you understand what i am saying? You are bigger than me.” Loz çamarroku me ne e na shpëton nga duart . Ime shoqe ka frikë se djali do ta harrojë shqipen, ose do fillojë të tallet me ne që s’dimë anglisht. I thashë gruas një ditë që të ndiqte një kurs gjuhe, të ndihej më mirë për veten e saj. “Me ç’para? - ma ktheu. - Të kishim marrë atë djall azili, do gjeja një kurs pa para, por… hë?” S’i vura faj.
Tek dëgjoja bisedën e amerikaneve, ndjeva një boshllëk në shpirt. “Ke gjetur kohën kur të shkosh, - i thashë vetes. - Kush e ka mendjen të merret me emigrantët e ndershëm si puna jote… Zonjat kërkojnë të gjejnë terroristin tek ne. Edhe qeveria.”
* * *
Vazhdova rrugën nëpër Broadway e këmbët më çuan te godina e avokatit. Një ”patriot” i hallit qe ulur në një karrige, ngjeshur pas murit, në paradhomën e zyrës. Kolegu në hall më tha se kishte ardhur ashtu kot, se s’kish ku të shkonte. Njëlloj si unë, thashë me vete. Nga zyra e avokatit doli një burrë i kërrusur mëdysh mbi një copë letër, kushedi pse. Ai ngriti sytë mbi ne dhe na u afrua.
”Di ndonjëri nga ju anglisht? E po, mua të më shkruajë vetë presidenti i Amerikës, vetë Xhorxh Bush, të më urojë edhe krishtlindjet, kurse avokati të thotë që s’është e rëndësishme kjo letër?! Ua merr mendja juve që s’është e rëndësishme një letër që ta çon vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Po pse, mbi Bushin do dalë emigracioni?!”
Qe vërtet një letër urimi për Krishtlindje, firmosur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Letra kishte stemën e Shtëpisë së Bardhë. Nëshkrimi qe një firmë e stampuar dhe merrej vesh se letra qe njëlloj si stampa, dmth, një letër klishe e përgatitur për këdo që i drejtohej presidentit. Më erdhi keq më shumë për plakun, se për veten time. Ende vazhdonte me letra ’qeverisë’, siç bëhej në të kaluarën… Kishte veshur një pardesy të dalë boje, një kapele republike, m’u duk sikur qe shkëputur nga skena e Teatrit Popullor, nga një dramë me të deklasuar, që ankohen për padrejtësitë e mëdha që u janë bërë pasi u ka fluturuar floriri.
ǒbën ky i mjerë në Broadway, në zyra avokatësh, të cilët i fshihen se tashmë janë lodhur me të? Janë lodhue me plakun që i ka humbur të tëra shanset për të fituar diçka. Ai vete deri tek dera ashtu i kërrusur, pastaj kthehet prapë. Dhe thotë:
”More, xhanëm, unë kam një rast për t’u martuar me një amerikane, po s’di si të bëj. I fitoj letrat sikur të martohem me të? Sa për letra, xhanëm…”
Nuk kishte vend për të qeshur. Këto përpjekje të mjera janë bërë historira kaq të njohura. Tani duket se edhe plakushi ynë kërkon të provojë fatin.
”Eh, lëre dhe atë!”, na kthehet pastaj burri i vjetër, duke iu përgjigjur heshtjes sonë. Hap derën me një dorë dhe me tjetrën regullon kapelen e “republikës” pas qafës.
Ngrihem e dal në rrugë edhe unë. Kjo rrugë që quhet Brodway, që është rruga e avokatëve, e gjykatës së emigracionit, seç më kujton rininë time, atë të Broadway-t të Tiranës. I kishim vënë një emër të tillë asaj rruge, që na sillte te sheshi Skënderbeu. O Zot, si e kishte emrin? Rruga e Pishës?
Harresa që dhembin.
16 Mars 2009