Letër një tirani
Enton BIDO
“Ti s’na ke folur kurrë për këtë gjë. Ndoshta ke patur frikë të na e thuash. E ke mbajtur të fshehtën ndryrë në kasafortën e kujtesës sate, po s’ke kuptuar dot se ajo dalëngadalë ka hedhur brenda teje rrënjët si tumori metastazat. Dhe kur s’e ke mbajtur dot misterin e lig, ke vendosur ta nxjerrësh jashtë, ta thuash. Ke menduar se, bashkë me të fshehtën djegëse, që si topth mbajte brenda, do shpëtoje edhe nga ai ankth i zgjatur. Ishte njëlloj si të villje për t’u çliruar përgjithmonë.
Veçse qe vonë, tepër vonë, sepse e Keqja qe përzier brenda teje me gjakun, me indet, me kromozonet. Ti do të justifikohesh duke thënë: “Më mirë vonë se kurrë”, por do e thuash pa bindje, pa forcë. Do ta kuptosh, më në fund, se është një shprehje parazite, një shprehje e pakuptimtë, sa për të kaluar radhën, një shprehje e të dobëtit, e të humburit, e të pashpresit. Dhe do të ndihesh fatkeq. Do të mendosh fundin.
Dhe fundi ka afruar. Ti e ndjeve këtë në vetvete. E ndjeve tek zezimi merrte të dilte nga ti si magma nga krateri. Vendose ta përshpejtosh daljen duke e thënë, duke e shpallur fatkeqësinë para nesh. Por s’kishe sjellë nëpër mend një gjë, një gjë të frikshme, por të vërtetë: fatkeqësia ishe ti vetë. Kjo ndodhi, sepse ti ishe bërë një me të. Koha e gjatë që ajo qëndroi me ty, apo më mirë te ti, brenda teje, ju bëri të pandarë, pjesë të njëri-tjetrit. Aq ngushtë u lidhët, sa s’kuptohej mirë dallimi mes jush. Nuk kuptohej mirë kush kish qenë më i parë, ti apo e fshehta. Bashkëjetuat gjersa u shkritë me njëri-tjetrin si pjesa me të tërën.
Nga jashtë ti të lije përshtypjen e njeriut më të lumtur në botë, më të përsosurit në botë, ndërsa e fshehta e keqe të përpinte në thellësitë e brendavetes. Ne shihnim mollën, pa e parë krimbin, shijonim shkëlqimin, pa e kuptuar kalbjen dhe e fshehta si krimb të pushtoi në heshtje, si ato ushtritë pushtuese që hyjnë në qytete tradhëtisht natën.
Tash e kemi të pamundur të të kujtojmë si ke qenë në fillim. Fillimisht, ti s’e kishe me vete këtë të fshehtë të mallkuar, që si gjëmë po na e thua sot, si falltarët fallin. Në fakt, ti kujton se po shpall një të vërtetë si profetët (kështu pandeh se je). Ke rënë në dashuri me veten dhe me mallkimin, që e ke brenda vetes dhe i cili gjer dje të gërryente, si acidi enën. Të fshehtat e mbajtura përbrenda, sa më shumë kohë kalon, aq më të mundimshme bëhen. Bëhen si gurë që rriten nën lëkurën tënde. Rriten pa u ndier, si ato gjendrrat malinje. Dhe, kur ta thonë të vërtetën, atëherë të kaplon tmerri. Ti këtë tmerr sot vendose të na e përçosh neve, pa pyetur a do të ta pranonim.
Kjo, ngaqë dashuria për veten të ka mbyllur sytë dhe bukosur arsyen. Nën syzet e tua me skelet të trashë lëvrin e heshtur urrejtja. Ti je bërë i keq, je bërë i pashërueshëm. Na duket vetja si këshillore mjekësh para të sëmurit të pashërueshëm. Hë për hë, s’po ta themi në sy, ndaj po të shkruajmë këtë letër të ftohtë. Nuk e di a do t’u besosh syve për çka po lexon. Në fillim, afërmendsh, do ta marrësh me shaka. Mund edhe të kujtosh që është lojë dhe aq. Pas disa leximesh, do nisësh të bëhesh serioz, do të rrudhësh vetullat, do të ngrysesh. Ndoshta do ta grisësh edhe letrën e do shash botën mbarë e prapë. Me siguri do na quash të lajthitur, ose dashkëqinj. Mbase do të mendosh të na bësh më të keqen, do t’na mallkosh duke kërcëllitur dhëmbët. Por do të jetë vonë, tepër vonë. Ti je duke u mbytur në pellgun e fëlliqësisë sate dhe, tashmë, ne e kemi të pamundur të të shpëtojmë.”
16 Mars 2009