E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ballafaqim për përparimin



(Udhëpërshkrim)

Më duket se udhëtimi duhet të ketë dy qëllime: shikimi dhe meditasioni. Duhet që për çdo gjë të na bëjë të mejtohemi, të na bëjë të vërejmë dhe të bëjmë vërejtje. Jemi buzë liqenit Leman. Shëmbëlle liqenin e Ohrit, po pakëz më i madh; do të kesh një mendim për t’iu afruar së vërtetës. Volteri thotë se liqeni i Lemanit është më i bukuri liqen i dheut. Por edhe një udhëtar anglez, që ka parë shumë vende, thotë se nuk ka parë kurrë një liqen të bukur si ai i Ohrit, pra, s’ka dyshim që Volteri s’do kish folur ashtu sikur të kish qenë në Ohër a në Starovë... Kjo bindje e madhe e njerëzve për urdhërat e policisë, ky respekt i madh për gjërat e ndaluara, është shkak që edhe policët në Luassane janë fort të pakë, bile duke shëtitur tërë ditën rrugët e qytetit, nuk sheh njeriu më tepër se tre a katër policë. Bëj merak mbi vetijat e qeta të njerëzisë dhe mësoj se vrasje, vjedhje e të tjera ligësira, janë fort të paka në Zvicër, aq të paka sa shumë njerëz çuditen kur dëgjojnë që njeriu vret njerinë në vende të tjerë. Kjo pikë, or mik, më ka bërë që të kujtoj vendin tënë. Ndër ne çdo njeri e sheh veten e tij të lirë që të punojë si i do qejfi, të bëjë ç’i urdhëron inati, zemërimi, fantazia; pisqolla është gjithmonë në brez dhe shkrepet shumë lehtë... Në sheshin Sent Fransua dhe nën katedralen e bukur, ngrihet universiteti, a më mirë pallati Rumine, sikundër që i thonë këtu. Emri Rumine i vjen prej një njeriu të pasur që ka dhënë fondin e parë për themelimin e kësaj ndërtese; e tëra ka kushtuar nja 7 milion franga dhe dhënësi i kish falur afër tri milion e gjysëm. Por e sheh se shumë nuk është veç 170 mijë napolona. Sa vallë kemi në Shqipëri që japin jo 170 mijë, por vetëm 170 napolona; sa njerëz duan të japin dhe sa mund të japin? Sa dijnë të çmojnë vleftën e diturisë dhe duan të bëjnë një therori për të? Por edhe n’anë tjatër, sa kanë mjetet dhe mund që ta bëjnë këtë therori?
Lumo SKËNDO

Do përpiqem të jap një mendim mbi qytetin Lausanne, duke ardhur fjala dua edhe të kuvendoj për shumë gjëra të tjera se nuk më pëlqen të mjaftohem me një përshkrim të thatë. Më duket se udhëtimi duhet të ketë dy qëllime: shikimi dhe meditasioni. Duhet që për çdo gjë të na bëjë të mejtohemi, të na bëjë të vërejmë dhe të bëjmë vërejtje.
Jemi buzë liqenit Leman. Shëmbëlle liqenin e Ohrit, po pakëz më i madh; do të kesh një mendim për t’iu afruar së vërtetës. Volteri thotë se liqeni i Lemanit është më i bukuri liqen i dheut. Por edhe një udhëtar anglez, që ka parë shumë vende, thotë se nuk ka parë kurrë një liqen të bukur si ai i Ohrit, pra, s’ka dyshim që Volteri s’do kish folur ashtu sikur të kish qenë në Ohër a në Starovë.
Lausanna është mbi një brinjë bregu, afër këtij liqeni. Përkundrejt janë Alpet e Savojës, male mjaft të lartë, të kreshpëruara; nganjëherë më ngjan sikur shikoj Malin e Thatë në liqen të Ohrit.
Nga bregu mbi të cilin ngrihet katedrali (kisha e madhe) një ndërtesë gotike e bukur dhe madhështore (e filluar në motin 1000),qyteti zbret drejt liqenit, ose më mirë lagjija Usi që shtrihet në zall, vete dhe bashkohet me Lausannën. Në Usi njeriu gjen një klimë të butë, një qetësi të madhe dhe një bukuri të çuditshme kur mbrëmavet diell i perëndimit hedh pluhurin e trëndafilit mbi ujin dhe gurët e zallit. Edhe ky liqen është i banuar përreth, është plot fshatra rreth e qark, shtëpitë e një fshati piqen me ato të fshatit fqinjë. Përkundrejt nga jugu në tokë të Francës, rrëzë brigjeve, është i dëgjuari Evian që tërheq kaq shumë njerëz nga të pesë cepat e dheut me ujët dhe banjat e tij.
Sa ndryshim i madh pra midis liqenit të Ohrit dhe të Lemanit! Atje është akoma shkretëtirë, këtu është bërë lulëzim. Them akoma se padyshim edhe atje do të shtohet njerëzia, do të ziejë jeta, do të lulëzojë vendi. Por tani s’do harruar se është një gjysëm shkretëtirë, sadoqë e bukur dhe padyshim fort e dashur për ne.

* * *
Megjithë që është një qytet i përmendur që nga koha e romanëve, sado që katedralja e saj është ngritur në vitin 1000 dhe ka patur mjaft ngjarje historike, Lausanna sot gjithë interesimin e ka prej qytetit të tanishëm, prej jetës që mblidhet e manifestohet në të.
Më qoftë se këtu ëmbëlsi e klimës, bukuri e vendit dhe qetësi e rojtjes tërheq mjaft vizitorë, Lausanna tërheq akoma më tepër studentë nga shkaku i shkollave të saj. Nga afër 80 mijë njerëz që ka, gjysmët të paktën janë të huaj. Në rrugë, bashkë me frëngjishten s’është rrallë që të dëgjosh edhe inglisht, turqisht... duke shëtitur kam takuar gjithë tipet e dheut: këtu një persian, atje një negër të Afrikës ose të Amerikës, një japonez me sy të shtrembër, me faqe të verdha, me një pamje si djalë. Kjo pakë më kujton atë lagje të Stambollit, Bejollin ku shumë herë gjenden krahë për krahë modelet e njëzet vendeve përnjëherë.
Prandaj Lausanna e tërë më ngjan me një hotel të gjerë. Në çdo rrugë ngrihen hotele të mëdhenj, por edhe çdo godinë është më vete një hotel i vogël; s’ka shtëpi të mos ketë një pension në një kat; shumë herë dhe në çdo kat, s’ka shtëpi ku të mos shkruhet: “Oda ose apartament me qira”.
Që të njoh jetën e këtij qyteti vete dhe unë të kërkoj një vend në ndonjë pension. Kush udhëton dhe rri disa ditë në një qytet, duhet që të rrijë më ndonjë pension, pranë një familjeje. Jeta e hotelit nuk i mëson fare gjësend njeriut, duhet të përpiqet të hyjë në marrëdhënie me njerëzinë që të formojë kështu një ide apo kuptim mbi vendin që viziton.
Pensioni ku rri unë është një model i qytetit. Salla e bukës na mbledh të gjithëve dhe aherë shoh: polak, dy fëmijë francezë, një zonjëzë ruse që studion mjekësinë, dy bullgarë prej të cilëve njëri vete në shkollë të drejtësisë, tjetri në të mjekësisë, tre grekër, njëri prej të cilëve del këtë mot inxhinier dhe dy të tjerë që bëjnë mësime në lice, një italiankë, një turk dhe një shqiptar që kanë ardhur të shkojnë pak kohë këtu ose të mërziten. Në mes kaq të huajve, vendasit mbeten të pakë: vetëm pesë; edhe ata duken si të huaj, sepse të huajt bëjnë shumicën.
Lirësi e rojtjes është një prej shkakëve që vijnë shumë të huaj dhe studentë këtu, por ka edhe një të mirë tjetër: qetësi e qytetit. Jo tani që jemi në kohë lufte të përgjithshme, po kurdoherë Lausanna ka një rojtje të qetë; natën ora më 10 allafrënge të gjitha kafenetë, dyqanet, teatrot e kinematë janë të mbyllura. Një djalosh është pra i shtrënguar të shkojë një jetë të rregullt, të mos e humbasë kohën kot.
.... Poshtë, anë liqenit, në Usi është jeta e ndryshme. Këtu do ardhur pas dreke; tani në vjeshtë duhet kohë me diell. Afër një kilometër e gjysëm zgjatet një shëtitore e përbotshme, një kopsht i ngushtë, mbi ujë ka rihtëm të gjatë, mjellmat e bardha si dëborë me krahët e tyre më të bardhë akoma dhe të hapur si valë barke, vozitin duke përkulur qafën e gjatë të tyre. Në çdo njëzet çape janë stolat, nën drurë, afër luleve.
Me mijëra njerëz, gra e burra, vijnë këtu të marrin erën e pastërt dhe të shohin diellin e ngrohtë; këtu sheh njeriu pleq e plaka të ardhur së largu për të kërkuar shëndenë dhe për të gjetur një prehje, sheh njerëz gjysëm të shëruar që mezi ecin, sytë rrethuar me të zezë, faqet të verdha, duar e këmbë të dobësuara, më tepër prej të vuajturit sesa prej vitevet.
Po në anën tjetër edhe lulëzimet e jetës, pamje gazmore, çupa e gra plot shëndet, plot gjak dhe gëzime, bukuri të shkëlqyera; spanjollka me sy të zes plot dritë misterioze, gjermanka sybardha me leshra si fije ari, francezka plot fjalë dhe tërë shpirt. Djemtë me mëmat dhe me dadot e tyre lozin dhe bredhin. Ata janë më të të lumtur se të tërë, se nga gjithë jeta ata vetëm prej gazit dhe pabrengësisë kanë pjesë. Këtu një gjë e çudit njeriun që vjen nga lindja, që vjen nga Shqipëria ose nga vendet fqinje: gjithë këta djem lozin, bredhin, qeshin e këlthasin, por asnjë s’vete të ngasë një lule ose një fletë druri. Mësimi bëhet natyrë, bëhet vetijë, thotë fjala. Këtë e shoh në këta djem; rreth luleve është bar i gjelbërt që e rrethon një gardh, një pëllëmbë i lartë dhe e ndan atë nga rruga; po askush nuk e kapërcen këtë gardh, nuk zgjat dorën; kurrkujt s’i vjen ndër mend të këputë jo lule, po as fletë. Të këtilla kopshte, shëtitore, janë disa këtu dhe në secilindo ka nga një të shkruar ku thuhet se kopshti është në mbrojtje dhe ruajtje të njerëzve, pra gjithë bashkë duhet ta ruajnë e të kujdesen.
Një mik me të cilin kuvendojmë mbi këto punëra më thotë se këtu gjithë urdhërat e policisë bëhen me anë të disa shkrimeve, në disa copa llamarinë të mbërthyera këtu këtje. Shtëpia që rri është në një udhë që ngjitet. Kurrë s’pashë në të një karrocë, sado e lehtë dhe e zbrazur të jetë, që të ngjitet duke nxituar. Pa shikuar jashtë, nga çapi i kalit, e kuptojmë në po ngjitet ose në po zbret karroca. Kjo më çuditi në fillim; pastaj vura re se në fund të udhës, atje ku fillon e përpjeta, në një shtyllë telegrafi është një llamarinë ku shkruhet: “Me çape”. Kjo mjafton, asnjë karrocier nuk mejtohet kurrë që të nxitojë.
Kjo bindje e madhe e njerëzve për urdhërat e policisë, ky respekt i madh për gjërat e ndaluara, është shkak që edhe policët këtu janë fort të pakë, bile duke shëtitur tërë ditën rrugët e qytetit, nuk sheh njeriu më tepër se tre a katër policë.
Bëj merak mbi vetijat e qeta të njerëzisë dhe mësoj se vrasje, vjedhje e të tjera ligësira, janë fort të paka në Zvicër, aq të paka sa shumë njerëz çuditen kur dëgjojnë që njeriu vret njerinë në vende të tjerë.
Kjo pikë, or mik, më ka bërë që të kujtoj vendin tënë. Ndër ne çdo njeri e sheh veten e tij të lirë që të punojë si i do qejfi, të bëjë ç’i urdhëron inati, zemërimi, fantazia; pisqolla është gjithmonë në brez dhe shkrepet shumë lehtë. Qysh do t’i mësojmë shqiptarët që s’ka të drejtë njeriu që të vrasë një njeri tjatër?
Mbaj mend ca vjet më parë, një miku i rrëfenja qysh në qytetet e vendeve t’Europës, dyqanet natën janë të mbyllura vetëm me qelqore, pa dyer të hekurta dhe shumë herë lihen edhe plaçka mbi udhë. Miku çuditesh qysh nuk vidhej gjë dhe më tha: Padyshim, do të ketë shumë policë atje. Fort shumë, i thashë. Për shembull, në një qytet me dy milionë njerëz kishte dy milionë policë.
Miku po më shikonte. S’e kuptonte që çdo njeri është një polic!
Pastaj një pikë tjetër: në vendet ku bota jetojnë si njerëz, qeveria, xhandarmëria, policia, sheh ndihmë nga gjithë bota; vjedhësin dhe vrasësin gjithë bota vete dhe e njofton në polici, kurrkush nuk e fsheh. Ndër ne, bota është miku i vjedhësit dhe i vrasësit dhe armiku i qeverisë, hajduti dhe katili ndër ne tekdo gjen miq, tekdo gjen pështetje, kur xhandari dhe polici nuk gjejnë veçse ndalime dhe kundërshtime.

* * *
Meqenëse Lausanna është qytet i studimeve, i shkollave dhe i studentëve, dhe unë sot dua të vizitoj universitetin, të shoh jetën e atyre që vijnë të nxënë. Në sheshin Sent Fransua dhe nën katedralen e bukur, ngrihet universiteti, a më mirë pallati Rumine, sikundër që i thonë këtu. Është një godinë e bukur, e shëndoshë e tërë prej guri, me një shkallë të madhe; në të dy anët e shkallës ngrihen dy shtylla graniti, të lëmuara e të shkëlqyera, me nga një sfinks prej bronxi në majë, dy simbole të diturisë, të kërkimeve dhe shpikjeve të mendjes.
Emri Rumine i vjen prej një njeriu të pasur që ka dhënë fondin e parë për themelimin e kësaj ndërtese; e tëra ka kushtuar nja 7 milion franga dhe dhënësi i kish falur afër tri milion e gjysëm. Por e sheh se shumë nuk është veç 170 mijë napolona. Sa vallë kemi në Shqipëri që japin jo 170 mijë, por vetëm 170 napolona; sa njerëz duan të japin dhe sa mund të japin? Sa dijnë të çmojnë vleftën e diturisë dhe duan të bëjnë një therori për të? Por edhe n’anë tjatër, sa kanë mjetet dhe mund që ta bëjnë këtë therori?
Pallati Rumine përmbledh Universitetin, Muzenë dhe Bibliotekën. Universiteti ka degët: Dituri, Mjekësi, Drejtësi, Letërsi, Teologji, studime të larta tregtie, të gjitha këto të frekuentuara prej1482 studentëve.
... Fuqinë e një populli e bën njeriu i lëndtë, bujku që ka shënden në vendt; që ka djem të shumtë dhe që i ushqen e i rrit mirë, m’anë tjatër, tërë këtë fuqi e formon dhe e shton njeriu mendimtar, ata që kanë studiuar, që kanë mësuar, që janë të zotët të mejtohen, të krijojnë, të përfitojnë prej fuqive dhe prej begative që na jep natyra, që na i zgjat përpara syve dhe afër duarve. Këto janë të lidhura me njëra-tjatrën: klima, dheu, ujët, era, bari dhe bima na bëjnë kafshët e mira dhe njerëzit e shëndoshë, të gjallë dhe të fortë. Këta njerëz mund të mësojnë, mund të përdorin mendjen dhe krahët e tyre. Universitetet stërvitin dhe përgatitin njerëzit për punë, njerëz që janë të zotët të mundin kundërshtimet dhe ndalimet e motit dhe të natyrës, njerëz që t’i hapin rrugë të ra njerëzisë, t’u gjejnë punë dhe fuqi krahëve, të lehtësojnë mundimet dhe vuajtjet.
Në Zvicër mësimi ka bërë përparime të mëdhenj; sado që vend malësi, megjithëse shumë fshatra janë të përhapur, shtëpitë të ndara dhe të larga prej njëra-tjatrës, sot pothuaj se nuk ka asnjë zviceran që të mos dijë të shkrojë e të këndojë (Vjet në mes të 29 mijë ushtarëve që mblodhi Zvicra dhe i provoj, vetëm 30 s’dinin të këndonin. Shën i autorit). Biblioteka e pallatit Rumine është çelur çdo ditë. S’është një libërtore prej nga më të pasurat, afër 300 mijë volume, po me gjithë këtë mban mjaft libra mësimi, ka gjithë veprat e shënuara. Përpara dhe pas dreke atje gjen njerëz që janë kërrusur mbi faqet e shtypura, kush konsulton një libër të vogël, kush një koleksion gazete të moçme, duke marrë shënime për çështjen që i intereson. Një pushim i thellë mbretëron në të voglin sallon të këndimit ku gjithnjë do të gjenden disa këndonjës, burra a gra.
Për studim, për ushqimin e mendjes, biblioteka është një nga veglat më të duhura. Në shekujt që rrojmë, librat janë shtuar kaq shumë, çdo mot makinat e shtypshkronjavet dhe tru e shkronjësvet na qisin në dritë aq shumë libra, sa njeriu kurrë s’mund që t’i blerë, që t’i ketë të gjitha. Po ato që janë shtypur më parë, ato që janë rralluar dhe tani më s’gjenden?

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›