Ministrja Godo: “Po marrim masat për t’i paraprirë gripit të derrave”
Vendi ynë i ka marrë masat paraprake për t’i paraprirë virusit të gripit që pritet të jetë më i egër në periudhën gusht-shtator.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se vendi ynë ka marrë masat për çdo rrezik që mund të vijë si pasojë e virusit H1N1. Aktualisht rastet e dyshuara kanë rezultuar negative dhe vendi ynë mbetet ndër të paktët që rezulton i pa prekur nga ky virus. Aktualisht po rishikohen strategjitë dhe rregulloret për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe pandemive të ndryshme që rrezikojnë popullatën. Sistemi shëndetësor në vendin tonë përfshihet në situatën emergjente, që po ndodh në të gjithë botën nga epidemi apo pandemi të ndryshme, të cilat kanë vënë në alarm shëndetësinë botërore. Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë janë shprehur se sistemi ynë shëndetësor po përgatitet për përballimin e këtyre situatave, qoftë nga ana financiare dhe ajo e ndryshimit të politikave mjekësore. Pavarësisht deklaratave të bëra se në Shqipëri nuk ka raste të infektimit nga virusi A, H1N1, duket se autoritetet shëndetësore ndihen “të frikësuar” nga situata. Kushtet që ndodhet shëndetësia në vendin tonë dhe gjendja e krijuar jashtë kufijve tanë, ka vënë në lëvizje Ministrinë e Shëndetësisë për të marr masa paraprake dhe për të informuar qytetarët. Tashmë ekziston një komitet për pandeminë i ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë që ka ndërmarrë masat e nevojshme, në bazë të rekomandimeve që ka dhënë OBSH. Aktualisht në Shqipëri, nuk ka asnjë rast me gripin e derrave apo virusin H1N1. Godo u shpreh se komiteti që garanton sigurinë e qytetarëve, ka vënë në dispozicion dhe fondin e emergjencës, i cili do të shtohet në varësi të situatës.
1 Qershor 2009