E Shtunë, 31 Tetor 2026

NË HIJEN E MONUMENTIT



NË HIJEN E MONUMENTIT
Ridvan DIBRA

1
Dielli djeg gjithkund nëpër tokën e zhveshur dhe ai e quan veten njeri me fat, kur dallon i pari hijen që lëshon monumenti. Nxiton e struket aty, duke shijuar përparësitë e të qenit i vetëm në hije dhe duke mëshiruar të tjerët, që digjen nën diell. Kështu për disa kohë.
Porse vjen një çast dhe hija shmanget paksa. Lëviz dhe ai bashkë me hijen. Hija shmanget prapë. Shmnaget edhe ai. Kështu disa herë me radhë. Derisa ai e gjen veten në pikën e fillimit. Domethënë, aty ku është nisur. E kupton se, në ndjekje të hijes, ka bërë një rrotullim të plotë përqark monumentit. Kështu edhe të nesërmen. Të pasnesërmen... Në të gjitha ditët. Derisa vjen një çast, kur ai e bind veten se dita e tij merr kuptim vetëm nga ai rrotullim i plotë përqark monumentit. Edhe në kohë të vrenjtur me shi. Në ditë pa diell e pa hije. Deri në një çast, kur i neveritet vartësia dhe i ka lakmi të tjerët, që rrotullohen vetëm përqark vetes së tyre.
Porse është vonë për të ndryshuar: të gjithë tashmë e njohin si sateliti i monumnentit.

2
Ata të dy vendosën të mbillnin lule në shkretëtirën e akullt, duke e braktisur përfundimisht oazin, thuajse të shterur. I treti e shpërfilli përfundimisht shkretëtirën e akullt dhe e bindi veten të mbillte lule në oazin thuajse të shterur.
Për çudi, asnjëri prej të treve nuk u kujtua se farat, që mbanin prej kohësh me vete, ishin kalbur nga lagështira dhe vështirë të mbinin edhe në viset më pjellore.

3

Diku dëgjohet një krismë e thatë dhe fill mandej i vetmi budalla, që ka mbetur në qytet, shfaqet krejt lakuriq nëpër rrugët e heshtura, duke ulërirë me të madhe:
„Kanë vrà Zotin! Kanë vrà Zotin!“
Dy policë trupmëdhenj afrohen sakaq, e shembin të krisurin përtokë dhe e rrahin pamëshirshëm mu para syve kureshtarë të kalimtarëve të rastit, të cilët nuk e kanë aspak të qartë shkakun e vërtetë të gjithë asaj dhune mbi një budalla të mjerë: rrihet për fjalët që tha apo se u shfaq krejt lakuriq? Vetëm një biondinë me sy të jeshiltë, që e ka hedhur shikimin si lak diku nën kërthizën e budallait, i thërret më shumë vetes se të tjerëve: “Po vrasin një njeri! Po vrasin një njeri!

4
Ka sajuar një fjalëkryq të mrekullueshëm: elegant e enigmatik deri në çudi. Me dhjetra e qindra specialistë fjalëkryqesh lodhen e djersijnë mbi të, por pa ia dalë të gjejnë kurrfarë zgjidhjeje.
Sajuesi dinak i fjalëkryqit, më enigmatik (në dukje) se edhe vetë sajesa e tij, struket në qoshe e zgërdhihet: zgjidhjen nuk e di as vetë. Shumë e shumë vite më vonë, do të sqarohej se ai fjalëkryq kishte qenë i rremë.

5
I thanë se gardianët kishin vdekur të gjithë dhe se ai mund të dilte nga burgu pa e mbaruar të plotë dënimin. Ishte një ditë e paqtë pranvere (njëra prej atyre ditëve, kur mund të besoje gjithçka e gjithkënd) dhe dielli ia dilte të ishte i pranishëm edhe në qelinë e ngushtë e të lagësht. Ai u besoi të tjerëve e përtueshëm, duke hequr këmbët zvarrë, iu afrua derës. Porse ajo, njëlloj si më parë, vazhdonte të ishte e mbyllur.
Që përtej hekurave të ndryshkura, dikush i tha se gardianët ishin varrosur bashkë me çelësat e qelive.
Ishte një ditë e paqtë pranvere dhe besohej gjithçka e gjithkush.

6
“Jam pa komplekse. Pa as edhe një”, thotë biondina me sy të jeshiltë dhe, e hipur mbi një pod të lartë, e epshme e krenare porsi panterë, zhvishet lakuriq përpara syve të etur të turmës kureshtare.
Pak më tej, krejt jashtë vëmendjes së turmës, një qen rrugësh rreket të mbulojë me këmbët e pasme të pëgërat e veta.

7
Kishte ndodhur jo rrallë që ndonjëri prej vagonëve të mbramë (zakonisht i fundit) të harrohej pa u lidhur dhe treni i muzgut të nisej pa to. Kurse rasti i sotëm, kur lokomotiva qe nisur e vetme, ishte krejt i veçantë.
Edhe pse e kishte ëndërruar e pritur prej kohësh një rast të tillë, makinisti u ndje i paaftë ta përjetonte lirinë e çastit: ishte thuajse e pamundur të çaje përpara, kur nga pas nuk të ndiqte gjë. Qoftë edhe një vagon i vetëm.

8
Ndodhi pikërisht ajo që pakkush e kishte parashikuar: në Egobokë filluan të këndojnë të gjithë. Edhe pse të rreckosur e të pangrënë, edhe pse me gjyshër e stërgjyshër bëlbacukë, egobokasit e rinj këndonin gjithë ditën e lume, nga mëngjesi deri në darkë, pa e vrarë mendjen aspak për bezdinë e madhe që u shkaktonin fqinjve, të cilët, nga ana e tyre, i afroheshin këngës fort rrallë, vetëm në raste festash të shënuara.
Ndërsa turmat e leckosura të këngëtarëve këndonin e zhgërryheshin nëpër baltovinat e pasosura të Egobokës, mungonin thuajse krejt duartrokitjet. Sepse gjithsekush ishte i zënë me këngën e vet.
Vetëm në të rrallë dëgjoheshin ndoca kuatje të vetmuara bretkosash.

9
Beduini i regjur ndër udhëtime, më entuziast e patetik se kurrë, ka mbledhur rreth vetes një turmë beduinësh të rinj (thuajse të papërvojë), të cilëve u flet plot pasion (edhe pse disi të shtirur) rreth shkretëtirës e mrekullive të saj: dunave që Zhvendosen Zhurmshëm, Mirazheve që Mashtrojnë Mistershëm, Oazeve që Ofrojnë Orakuj etj. Diku nga fundi i Rrëfimit, beduinin Rrëfimtar e zë etja e kolla. Ashtu mes gulçeve, ai i Troket Tri herë Tryezës dhe, sakaq, një Kameriere Kofshëtrashë sjell një gotë me ujë të kristaltë. Brenda notojnë copa të vogla akulli.
Beduini ynë përqendrohet aq shumë në shuarjen e etjes së tij, sa nuk e vë re zhgënjimin në sytë e të rinjve.

10
Një Mi i Murmë, qimEndritur e topolak, del nga strofulla e vet dhe nis e Endet gjithandej-i-Etur për hapësira e përvoja të reja.
Teksa Hedh Hapat ngadalë, vigjilencën e Mban të Mprehur në kulm: e kanë porositur me qindra herë t’u ruhet dy armiqve të rrezikshëm: maces e kurthit.
Vonë, shumë vonë, kur miu qimendritur e topolak ka bredhur gjithandej e ka Provuar Plot Përvoja gjithfarëshe (duke iu ruajtur mjeshtërisht dy armiqve të rrezikshëm), bie papritur në një kurth të tretë: i rritet etja për hapësira e përvoja të reja dhe nuk ka më kurrfarë dëshire të ktheheT në strofullën e vet.
Diku, në një qoshe, ndrisin sytë e maces.
Pak më tej, pret një kurth i ngrehur.

Rojtar i dashurisë

Alektrioni, shërbëtori i bindur i Aresit, po jeton net të mrekullueshme. Kanë mbetur pas punët e shumta të rënda deri në orët e vona të pasmesnatës. As krehje kuajsh e pastrim hauresh nuk ka më. Gjithë ditën vetëm gjumë. Edhe kur s’i flihet. I tillë është urdhri i padronit të tij. Që të jetë sa më i vëmendshëm dhe vigjilent natën. Atëherë kur dielli mbytej honeve të Olimpit dhe kur në qiell hëna dukej si sy i verbuar, shfaqej si e dalë nga një ëndërr vetë ajo: Afërdita e bukur. (Në netët e para, me t’u shfaqur ajo, Alektrioni i mbyllte për disa çaste sytë, duke iu druajtur një verbimi të mundshëm.) Shikonte me vëmendje përreth (kurrë në drejtim të shërbëtorit) dhe me nxitim futej në pallatin e Aresit. Pikërisht në këtë çast fillonte edhe puna e e Alektrionit: vigjilencë dhe vëmendje për t’i siguruar orë të qeta dashurie padronit të tij dhe Afërditës. Askush nuk duhej ta zbulonte sekretin. Në të kundërt, gjithçka mund të ishte e rrezikshme dhe me pasoja: Afërdita qe grua e martuar dhe nami i mirë që gëzonte do të shkërmoqej në çast; kurse Aresi i trembej jo pak një hakmarrjeje të mundshme të burrit të saj, Heresit të shëmtuar e çalaman. Duhet përmendur se Alektrioni e kuptoi që në fillim rëndësinë e misionit të tij dhe se që në natën e parë qe në lartësinë e duhur. Por çastet më delikate e më të rrezikshme për të ishin pikërisht ato, kur terri sapo fillonte të shprishej. Tamam atëherë duhej t’i lajmëronte dy dashnorët për afrimin e mëngjesit. Që Afërdita të mbështillej e tëra me pelerinën e bardhë dhe të largohej pa u vënë re. Dukej e thjeshtë dhe banale kjo detyrë e Alektrionit, por nuk ishte tamam ashtu: rrallëherë ia kishte arritur të gjente tamam çastin e duhur për t’i lajmëruar dashnorët për ardhjen e agimit; në më të shumtën e herëve ose ishte ngutur paksa, ose kishte vonuar paksa. Dhe në të dy rastet qe shpërblyer me ulërima, të shara e dajak nga padroni. Në rastin e parë, sepse ia kishte shkurtuar kohën e dashurisë. Në rastin e dytë, sepse ia kishte zgjatur atë, duke rrezikuar sekretin e saj. Sidoqoftë, me kalimin e netëve, Alektrioni po specializohej në detyrën e tij dhe gabonte gjithnjë e më rrallë; tashmë ai kishte filluar ta nuhaste (si bisha gjahun) afrimin e mëngjesit, duke merituar përgëzimet e shumta të padronit dhe favoret jo të pakta gjatë ditës.
Por tamam atëherë kur ndihej më i qetë, më i sigurt dhe më i lumtur se kurrë, Alektrionit iu neverit puna që kishte. Gjithçka ndodhi në një mbrëmje të magjishme pranvere, në një mbrëmje si të krijuar enkas për të dashuruarit. Pikërisht atë natë Alektrioni guxoi dhe bëri atë që e kishte menduar, por që s’kishte guxuar ta bënte në netët e tjera: u afrua tinëz dhe vuri syrin e majtë (si mbylli më parë të djathtin) në vrimën e çelësit të dhomës, ku ishin mbyllur dy dashnorët. Ajo që pa e tronditi: dy trupat e lakuriqtë, të kapërthyer e të larë nga djersa dhe drita e hënës, dukeshin sikur lundronin mbi valët e mëndafshta. Herë-herë fekste sipër atyre valëve gjoksi i argjendtë i Afërditës. Tamam atëherë Alektrionit i lindi në kokë ideja e marrë që të bënte dashuri me të. Qoftë edhe një natë të vetme. Në djall ditët e qeta e të sigurta! Në djall privilegjet e shumta që gëzonte! I jepte të gjitha për një natë të vetme me Afërditën e bukur. U sëmur nga kjo ide. Netët nuk ishin gjë tjetër për të, veçse përgjime të gjata e torturuese aty prapa vrimës së çelësit. Kurse ditët vetëm ëndërrime të plogështa. Ia vari edhe detyrës. Gjithnjë e më shpesh gabonte në paralajmërimin e mëngjesit.
Deri një natë, kur e bindi veten se gjithçka ishte e kotë. Ai ishte një rojë e bindur dhe besnike e dashurisë së të tjerëve. Kurrë s’kishte për t’u bërë pjesëmarrës në të. Fati i tij qe i paracaktuar prej padronit. Ai kishte për të mbetur në jetë të jetëve një shërbëtor i rëndomtë. Kurse Afërdita...
Tamam atëherë Alektrioni kërkoi të largohej nga detyra, të zëvendësohej me një shërbëtor tjetër. Por Aresi nuk pranoi. (Një shërbëtori tjetër do t’i duhej shumë kohë, ndoshta sa i qe dashur Alektrionit dikur, që të perfeksionohej si rojë e dashurisë.) Në rrethana të tilla, Alektrioni ia vari edhe më detyrës së tij.
Deri një natë kur qëllimisht ia këputi gjumit. (Më vonë mësoi se dashnorët, të harruar në kurmet e njëri-tjetrit dhe të sigurt tashmë në vigjilencën e rojës së tyre, as që e kishin vënë re ardhjen e mëngjesit, duke rënë të dy në rrjetën prej rrezesh dielli, që Hefesti çalamam e kishte thurur mjeshtërisht.)
Aresi ia kishte arritur një ditë të çlirohej nga kurthi dhe menjëherë kishte kërkuar dënimin e shërbëtorit të pavëmendshëm.
Në mendjen e tij të egër e perverse kishte sajuar dënimin më të çuditshëm e më mizor, që mund të bëhej:
“Nuk do të jesh më njeri, Alektrion! Gjel do të jesh. Gjel që me këngën tënde do të lajmërosh ardhjen e agimit.”
“Le të bëhet si thoni ju, Zoti im”, ishte përgjigjur Alektrioni, teksa ndiente bulimin e flatrave në sqetulla.
Dukej i qetë në fytyrë: e kishte parashikuar dhe dëshiruar një dënim të tillë.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›