Këtej dhe andej pragut…
Majlinda BASHLLARI
Stinë republikash të dehura
Sot ai ka marrë mësimin e parë mbi seksin.
Është dymbëdhjetë dhe krejtësisht kundër
sjelljeve kalorsiake. Mendo, një burrë
paguan gjithnjë në takime dashurie…
e mund të mos jetë fare dashuri,
Kush ka kohë të shohë një shami,
rrëzuar enkas ndën këmbë?
Jashtë fryn vjeshtë gjethesh
dhe republikash të dehura…
Cili dimër po vjen? Dimri i zërit tënd a
ngrohjes globale? Kur të zbresin akullnajat, a thua
do na ngrohin poemat e dashurisë? Truri ynë do jetë
ftohtësisht perfekt, dhe unë që kërkoj të vërtetën
tek lulet e vogla të kuqe, ndoshta do kem të hapur
një dosje handikapi të pashpresë…
ǒacar! ǒthëllim i rëndë! Rrimë zgjuar. Kur fle,
një grua gjithnjë bëhet kukull… Errësira skalit gurët
e një kështjelle. Por unë s’e dua mbretërinë edhe kur
më vjen prej teje. Mbretërive dhe kuajve të falur
kurrë s’u shihen dhëmbët…
Edhe një herë mbi dashurinë
Ky kryqëzim nuk ka tabela.
Merr kah të duash dhe je
njëlloj i lirë,
njëlloj i frikësuar.
Mbin bar i shkurtër kujtesës sime,
me nxitim shtyn përtej
qosheve të saj, ditët e errëta -
si moskuptimet kur na hyjnë
mes këmbëve. Gjarpërinj
të ngathët, të verdhë.
Por një kuptim i keq dhe në mos lëntë
njollë të dukshme, e rudhos dashurinë
Si një kemishë sintetike zierë gabimisht
me të linjta…
Dimër. Dimër pa tabela.
Pa liri, pa frikë.
Ngjyra të thjeshta. Kripë e zezë
mbetur bordurash. Dëgjoj
zilka të holla në ajër dhe ty që flet
në gjumë gjuhë që s’fliten.
Një vogëlush sa një gisht
Kur i ati tërhoqi derën pas vetes, si thep guri
pat ndier një ngricë; për shumë kohë pandehu
se luftrat e shërojnë urrejtjen si seksi ndoshta dashurinë.
Bleu frikën e s’ëmës me heshtje të errëta,
si fjalë gazetash ngjitur pa rregull:
Gjaku vret e shijon si hekur.
Por erdhën shirat dhe loja e ndëshkimeve u kalb
si lisharësi i femijërisë në oborrin e pasëm,
ku mbrëmjeve një vogëlush sa një gisht
shëtit një palë këpucë të mëdha...
Hutim nominalist
…ja pra, një thinjë më vonë - më tepër mjegull në cepin e syrit.
Pata ndërtuar një shtëpi shumë pranë trekëndëshit të Bermudës
I vetmi truall i lirë veç atij ballë varrezave. Është vend i qetë
Me blu e jeshil, zogj e ndonjë lule të kuqe. Kur nganjëhere gjej
stoli të çuditshme buzë ujit, nis e besoj se
Përtej çdo emri ka një shpirt,
Ka një shtëpi përtej një adrese. Por nuk shkon gjatë; përditë
dëgjoj emra të zhdukurish; avionë e flota.
Rrojnë në vdekje ujrash kushdi ç’mbretërira,
e unë njëlloj i ruhem udhëve të truallta
e ujrave të Bermudës, e njëlloj s’mund t’i rri në qendër
trekëndshit semafor-aksident-polic.
Është e padrejtë, zemëroj,
që një mëngjes i vetëm të ketë kaq konfuzion
nocionesh, semaforësh e vetësh të shformuara. Më shpëto
prej këtij korridori pa dritë, të thërras në emër e s’di
në duhet të kërkoj një tjetër kuptim në të a të luaj zgjidh-e-merr:
- lumturinë kur rrënjon pa një lule a kur lulon pa rrënjë…
Këmbë të shkurtra
Nganjëherë dua ta ftoj në këtë gjysmë të rritur…
Kur befas trandet ajri nga grykë të nxehta armësh
e qelqi i Tv-së përmbytet prej gjakut,
druaj se nuk më kthehen rrahjet e zemrës.
…kur të jemi krejt prej vale, vogëlush,
mendja jonë do shpërthejë si një gonxhe e kuqe
në një fushë me grurë të verdhë… Ara e pakorrur
është tortura e gjumit të bujkut, siç është për ty
sekreti i botës tetëmbëdhjetë plus…
Eja sonte në ketë anë dhe shih:
Mbështetur pas murit- e vërteta,
lodhur shfryn e rëndon
sa mbi një këmbë, në tjetrën…
Nata e të vdekurve
Sonte është nata e të vdekurve. Ime gjyshe
pjek hallvë: këtu - pjesa e të gjallëve dhe te pragu
nga një lugë për shpirtin e atyre që s’janë.
Se mos digjet, korba, trembet dhe trazon…
Jashtë fërshëllen era degëve të arrës.
është Zë! është Zë! Sa e thjeshtë paska qenë,
gjithë jeta vjen rrotull Zërit.
I hollë është, herë një femër e nxehtë
herë mashkull i paburrë.
i ulët, i vrazhdë, i çjerrë,
i këputur, i ëmbël, i mjerë,
i zinxhirtë, i shkurtër, kërcitës -
është torturë, ngashërim, përdëllim,
përgjërim, dashuri, mërzi,
uri seksi, infarkt, infeksion rropullish…
Gjithçka… gjithçka, këtej e andej pragut
paska qenë vetëm Zë… Hap gojën,
jep urdhër ime gjyshe; një shuk
me hallvë të ngrohtë tretet si ëndrra e djeshme,
ngadalë, brenda meje ndiej
si qetësohet dhe hesht një i vdekur…
Kujtesa ime e keqe…
Kujtesa ime, kujtesa ime e keqe, tani edhe më e çakërdisur
se sintaksa e lutjeve te tua. Larg qoftë të flinim mes tyre si mbi
një shtrat shtruar me kaktuse. Ngecur ndër gjemba si terri
në katrorë të ngrirë netësh do rridhnim gjak e ngadalë
do shuheshim si dritat e kinema “11 Nentorit” viteve te fshehura...
Por ti e di: në film heronjtë s’mund të vdesin minutën e parë,
dhe gjithnjë është Ajo që merret prej Tij. Kjo sallë e errët,
kjo kinema e ftohtë - gjithë kohën e padritë, hije
që kërcejnë prej murit, kërcitje karrigesh të drunjta
ajër që ngrohet me frymë të vegjlish, është vetë kujtesa ime.
Jam ulur aty galiç, pa ditur ku kam fshehur
letrat e tua, faturat e papaguara, neveritë dhe atë nëntor,
njëzet e shtatë vjet të shkuara, kur gjithë e hutuar
pas lumturisë së heronjve, s’i shihja lotët
në sytë e mëdhenj të Valbonës. Në errësirë
qante pa zë e dridhej, kur dora e një burri ulur pranë,
i hynte mes këmbëve të vogla…
Fillim…
Fillim është një pikë mëngjesi;
Zhbëhet papritur si ky vogëlush që ende buzëqesh
mbi zarfin mujor të bankës imperiale.
Përballë mungesës së tij, shifrat në llogari, tkurrur si
gjymtyrët në dimër, e humbin përnjëherësh
dramën numerike. Koha rrëshqet nga një e panjohur
në tjetrën, preket në mesditë me çastin tënd për fare pak
dhe derdhet vonë e lodhur si në një akt bajat seksi.
Çudi si bëhen gjërat njëherësh kaq të brishta, më thua,
dhe unë trishtoj për t’iu bashkuar shqip një paradigme rimash.
Midis dy fillimesh rrinë pezull çaste të ngrira.
Është mister vdekja e së thjeshtës, siç është
e qartë se një poezi e dobët dashurie
dëshmon një dashuri të dobët.
A thua fillimi im shqiptar është shkak
për mos u dashur dy herë nën të njëjtën hënë?
Zemra jote
Zemra jote - domate e pjekur në hije.
Rubin me rremba të çrregullt smeraldi.
Jo aq e bërë sa të bjerë vetvetiu.
Bën sikur më harron, bëj sikur nuk të shoh
me kokrra të tjera mbushet shporta e kashtës
më pak të kuqe, më pak të ëmbla,
as frut, as zarzavate, pjeshkë ujku ndoshta,
a mollë ari të hidhura.
Zemra jote,
kaq e lehtë për ta ndier në duar,
kaq e rëndë për ta mbajtur, kaq e pamundur
për ta këputur, për ta vënë në krye të shportës.
Nuk guxoj t'i rrëfej tehun e thikës. Atëherë si,
si të të mbaj përherë kështu, rubin të kuq
me damarë të fortë smeraldi
pa u zbutur, pa u mpakur, pa ndier një ditë
erën e padurueshme të kalbësirës…
1 Qershor 2009