E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një bibliotekë shqiptare në Torino



Do të mjaftojë promovimi i një autoreje të re shqiptare në bibliotekën “Italo Calvino”, në Torino, Itali, që të bëhet realitet projekti për ngritjen e një bibliotekë shqiptare atje. Libri që do të prezantohet është “Rosso come una sposa” i autores Anilda Ibrahimi. Prezantimi i librit bëhet në kuadër të projektit “Via Egnatia – Passaggio a Est”. I ideuar dhe realizuar nga Shoqata “Vatra”, projekti parashikon krijimin e seksioneve me libra në gjuhën Shqipe në të katërmbëdhjetë bibliotekat e qytetit të Torinos. Rreth 110 tituj të autorëve më të mirë të letërsisë dhe publicistikës klasike shqipe si: Naim Frashëri, Fan Noli, Gjergj Fishta, Faik Konica, Migjeni, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci etj., por edhe të autorëve bashkëkohorë si Kadare, Agolli, Kongoli, Zhiti, Spanjolli, Dones, Hatibi e Ahmeti do të jenë të pranishëm në raftet dhe sallat e leximit të bibliotekave të Torinos. Ky fond, i përbërë nga mbi 1200 libra, është edhe një nga vitrinat më të mëdha të librit në gjuhën shqipe jashtë territoreve të banuara nga shqiptarët. Libri i shkrimtares Ibrahimi, që paraqitet më 2 prill, do të pasurohet nga leximi i pjesëve të zgjedhura të romanit, të shoqëruara me muzikë klasike nga Haydn, Mozart dhe Jakova, të ekzekutuara nga kuarteti “Eklips”, i përbërë nga muzikantë të rinj profesionistë, shqiptarë dhe italianë (Leonard Simaku dhe Elton Tola, violinë; Eriola Gripshi, violë; Matilda Colliard, violinçel).

Ky event i propozuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare “Vatra” është realizuar me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Romë, të Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit, si edhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.

Anilda Ibrahimi ka lindur në Vlorë në vitin 1972. Ajo ka frekuentuar Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas, në vitin 1993 është larguar nga Shqipëria për t’u vendosur fillimisht në Zvicër dhe pastaj në Itali, ku jeton edhe sot bashkë me familjen. Romani i saj i parë, “Rosso come una sposa” është një nga librat më të suksesshëm të botuar në Itali në 2008-n. E pritur jashtëzakonisht mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritika, sprova e shkrimtares shqiptare, e hedhur në treg nga shtëpia botuese prestigjioze “Einaudi”, është bërë shumë shpejt një best-seller.

Ndërsa Shoqata “Vatra” është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh shqiptarë dhe italianë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve shqiptarë në shoqërinë italiane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›