E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e mosbesimit



Nga Gjon KEKA*

Duke krahasuar lëvizjet e mëdha që kanë bërë popujt dhe kombet e tjera, të cilat tani, pas një rilidhjeje të dytë, kanë marrë një pamje pothuajse të plotë dhe të qëndrueshme në kuadër të demokracisë moderne të këtyre shekujve të ri që po përjeton bota, siujdhesa ballkanike ka mbetur ende zonë e errët në historinë e botës dhe një vend që akoma nuk ka dalë nga gjendja e mjerë e egoizmave dhe instinkteve të nacionalizmave ekstremë. Të gjithë kishin para vetes probleme të mëdha dhe një mal sfidash duhej rrafshuar për të bërë që vizioni që ishte ndërtuar nga historia dhe qëllimet e përbashkëta të një bote që çon progresin e saj drejt mirëqenies së të gjithëve dhe në të gjithë, të bëhej realitet i plotë. Këta popuj dhe kombet gjatë proceseve të shtetndërtimit arritën që shtetin e tyre jo vetëm ta forconin dhe t'ia vinin themelet e sigurta, por edhe ta zhvillonin procesin e ecjes në rrugën e modernitetit dhe krijimit të hapësirës për të gjithë dhe nga të gjithë.

Evropa e bashkuar, ky sinonim i vjetër, arriti të bëhej një realitet i gjallë dhe praktik, ku shtete tani jo vetëm janë pjesë e përbashkët e politikave ndërkombëtaret, por edhe stabilitetit dhe sigurisë së përbashkët si dhe të ekonomisë së liberalizuar në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. I vetmi rajon që jo vetëm është i lashtë sa vetë bota, por se edhe ka pasur një traditë dhe kulturë të hershme evropiane, është siujdhesa ballkanike. Kjo vatër e luftërave dhe konflikteve të përgjakshme ndërmjet popujve dhe kombeve ka mbetur vrimë e zezë dhe detonator i frikshëm. Ndërkaq, vende apo shtete që sot e përbëjnë këtë siujdhesë, janë pothuajse shtete më të dobëta më jostabile me një sistem të brishtë demokratik dhe shtetëror, me një diplomaci joaktive dhe me një ekonomi të paqëndrueshme dhe joprogresive e joprosperuese.

Shtetet që lindën sërish nga luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi, mbetën ende në kërkim të demokracisë që ata kishin menduar se është vetëm një koncept iluziv i momentit dhe jo një element që shtetin e çon drejt zhvillimeve të drejta dhe të një sistemi të qëndrueshëm shtetërore juridik. Shumë shtete që u bënë shkas në shembjen e sistemit të vjetër të ish-Jugosllavisë dhe vetë kësaj ndërtese të ndërtuar mbi keqkuptime historike, e cila po shembet përditë e nga pak dhe po i bie boja, nuk arritën të mësonin demokracinë dhe shtetin e së drejtës si dhe ecjet progresive e moderne të të gjitha sferave.

Këto shtete që dolën nga ajo ngrehinë e quajtur Jugosllavi, tani po ballafaqohen me vetveten dhe me një sërë problemesh që nga themelet e shtetit e deri të problemet e korrupsionit dhe të keqmenaxhimit të asaj anije shtetërore. P.sh., shteti i mbikëqyrur i Kosovës, si një ndër shtetet me asistencë ndërkombëtare dhe si një ndër shtetet më të reja, ende nuk ka arritur që ta mësojë demokracinë, ta fusë atë brenda qenes së tij si sistem shtetëror dhe ende nuk ka arritur që ta heqë qafe korrupsionin dhe varfërinë e skajshme. Gjithashtu, ky shtet i mbikëqyrur dhe ende i ri në rrugën e shteteve të vjetra, nuk ka arritur që të prodhojë qëndrueshmëri, paqe dhe siguri, por është bërë vendi më i pasigurt në Ballkan, duke ditur se vetë gjendja që tani shihet në dioptrinë e politologjisë dhe të ndërtimit të themeleve të një shteti, pra të njerëzve që kanë sy dhe veshë jo vetëm të jashtëm, por edhe të brendshëm, tregon këtë realitet jo të admirueshëm, por të hidhur politik, që po ndodh me rrugëtimin e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.

Ky shtet, pas daljes nga zgjedha e rëndë që ia kishte vërë politika e egër serbe, po merr një shtrat tjetër, duke harruar gjendjen e mëparshme të asaj periudhe ku çdokush e shikonte të ardhmen e Kosovës të ndritshme duke vlerësuar vuajtjet, mungesën e lirisë dhe të shtetit të tyre. Kështu, po t’u hedhim tani pak kritikë pozitive syve të pushtetarëve, del se aty gjen një perde mosdijeje dhe një forcë të lojërave të pakontrolluara pasionesh që çojnë shtetin e mbikëqyrur të Kosovës drejt një harrese historike dhe të një fryrjeje të pushtetit që askush nuk e kishte menduar më parë, sepse për njerëzit respektivisht popullin e Kosovës, më parë prioritet mbi prioritete ishte liria dhe heqja e zgjedhës serbe, tani po ky popull është duke bartur një zgjedhë të rëndë nga vetë peshkaqenët e mëdhenj që po dhjamosen, duke e ngrënë kështu ardhmërinë e shtetit të Kosovës dhe duke e zhytur popullin në një varfëri të skajshme, si dhe duke keqmenaxhuar me qeverisjen e administratës shtetërore. Apo, më duhet cekur një thënie të rëndësishme dhe të mençur të Vaslav Havelit, ku nënvizon në lidhje me këtë gjë se “derisa ishim të detyruar të luftojmë për liri, ne njihnim cakun tonë. Tani që kemi lirinë, nuk dimë më me saktësi çfarë dëshirojmë”. Këtu Haveli na kujton se ajo liri që për një popull ishte domosdoshmëri dhe një detyrim i arritjes së atij caku që ata vetë ia kishin caktuar vetes, tani kjo liri që për këdo është një e drejtë që ta ketë atë dhe ta mbajë si në pëllëmbë të dorës, po shndërrohet në një liri të keqpërdorur, në një lodër fëmijësh dhe një vegël e tmerrshme e pasioneve të pushtetarëve.

Nga kjo mund të thuhet se robëria dhe zgjedha e hershme nga politika e egër e reprezaljes serbe nuk arriti që t'i vetëdijesonte pushtetarët e tanishëm që kanë atë në duar që ta konsiderojnë atë kërkesë të mëhershme të lirisë si një rast që tani duhet ruajtur dhe punuar, por edhe forcuar lirinë dhe pavarësinë e shtetit e jo si një rast për ta zbritur arsyen te këmbët dhe për t'i zgjeruar zonat e egra shqisore e djallëzore të pasioneve të vetëkënaqjes si dhe duke e konsideruar pushtetin si një përfitim dhe pasurim të vetvetes dhe klaneve (partiake) apo gjetiu.

Shteti i mbikëqyrur i Kosovës si dhe vetë pushteti që njerëzit menaxhojnë dhe drejtojnë atë, nuk ka frena dhe kontroll, sepse të gjithë në pushtet janë të një modeli dhe të gjithë kanë një emër dhe një veshje partiake ideologjike, sepse ekziston bindja se në shtetin e Kosovës menaxhojnë shumë duar dhe këmbë që askush, pasi t'i lërë karriget e larta të pushtetit, të mos dalë i zhytur në korrupsion dhe në allishverishe të tjera të pushteti shtetëror të Kosovës. Në shkencat politike nënvizohen dy gjëra, që janë shumë të rëndësishme për një shtet demokratik, e këto janë: Së pari, asgjë nuk duhet pranuar pa e kontrolluar më parë dhe asnjë lojë e forcave të brendshme të mos dalë e pakontrolluar nga këmbët e deri te koka gjatë kohës së qeverisjes.

Te ne ndodhin gjëra më të çuditshme, ndër vendet e botës demokratike, të cilat çojnë ujë në mullirin e asaj ndërtese të quajtur mjerim dhe asaj zgafelleje të quajtur fole e atyre pushtetarëve për t'i fshehur gjurmët e së kaluarës dhe gjurmët e së tanishmes të administratës së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.

Më duhet të lidhem me një gjë që Zhan-Zhak Rusoi e kishte për çdo pikë të tij të studimit të pushtetit, duke e zhveshur atë dhe të metat deri në sekretet tij. Në lidhje me këtë mund të themi se vetë Rusoi ishte i pari mbase edhe i fundit që e “gërreu pushtetin deri në kockë, aq sa asnjë qeveritar ambicioz nuk mund të mos e mallkojë atë tri herë në ditë”. Dihet se dinakëria e qeveritarëve është e vjetër sa vetë bota. Dhe krejt në fund, shteti i Kosovës po prodhon politika të përditshme të mosbesimit, të frikës, të zhgënjimit qytetar dhe ndërkombëtar, të mungesës së sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik, keqmenaxhimit shtetëror dhe korrupsionit etj., etj. Me një fjalë, mund të thuhet se edhe pas shumë vuajtjeve të popullit të Kosovës nga barbaria otomane dhe serbe, ajo tani ka brenda vetes një gjë po ashtu të tmerrshme, barabirën e pushtetit, e cila nuk po arrin t'i kënaqë dëshirat dhe obligimet e qytetarit të saj dhe ta sigurojë atë dhe ekzistencën e tij, identitetin e tij, personalitetin, të zhvillojë atë dhe ardhmërinë e tij etj., etj. Thjesht, pushtetarët e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës po i shërbejnë vendit, respektivisht shtetit, kaq ftohtë, saqë mund thuhet me plot mend se ata ndoshta nuk po e konsiderojnë Kosovën si atdhe të tyre, por si një vegël të përfitimeve dhe të pasioneve të tyre.

Ata iu kanë bindur pasioneve pa e dashur shtetin e Kosovës si atdhe të tyre dhe ata iu kanë bindur pa e pasur qëllimin e ardhmërisë për të gjithë, por për ambicie kafshore dhe shqisore e djallëzore, duke menduar se të jesh në majë të një ndërtese, të tjerët janë insekte dhe vogëlsira, prandaj kjo është tmerr ajo që Kosova tani po përjeton duke ditur vuajtjet e saj historike në përpjekje të formimit e ndërtimit të shtetit dhe të lirisë së saj. Ndoshta të gjithë mund të thonë se ka vend për të menduar dhe thënë edhe gjëra pozitive, por unë do ta përmendja një shprehje për ata që mendojnë ashtu kaq lehtë e kjo shprehje është e politikanit dhe publicistit anglez, Çarls Prestuiç Skot, i cili tregon se faktet determinojnë gjendjen dhe se ato janë të veçanta. Ja se siç thotë ai, “...por faktet janë të shenjta...”, pra faktet janë ato që e tregojnë dhe shfaqin në plotëni gjendjen ekzistuese të një problemi apo natyre të çfarëdollojshme, e në këtë rast edhe faktet që ne po i shfaqim në lidhje me problemet me të cilat është duke u përballuar shteti i mbikëqyrur i Kosovës dhe se asnjë gjë nuk është e shpikur, por të gjitha këto janë të trajtuara në bazë të një analize të thellë të realitetit dhe matjes së tij me kohën dhe proceset politike të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe ardhmërisë së tij.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›