Gjirokastër, sekuestrohen 100 kg marijuanë
Në dy kohë të ndryshme, policia e Gjirokastrës sekuestron 100 kg lëndë narkotike dhe vë në pranga 3 persona. Operacionet janë zhvilluar në kohë dhe vende të ndryshme, ndërkohë që sasia e drogës së sekuestruar ka qenë e njëjtë si në Muzinë, ashtu dhe në Kakavijë. Policia e Gjirokastrës ka bllokuar dje 100 kg marijuanë, ndërsa ka arrestuar tre persona të përfshirë në këtë trafik, falë dy operacioneve të zhvilluara dhe të koduara “Rrëshqitja”. Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kishin marrë informacione në rrugë operative për një ngarkesë me lëndë narkotike e llojit marijuanë, që do të lëvizte nga fshati Lazarat në drejtim të Sarandës. Ata bënë ndalimin në shpatin e malit të Muzinës të 23-vjeçarit Izet Boçka dhe më pas të 37-vjeçarit Fatmir Jashari nga Saranda, ndërkohë që u sekuestruan 50 kg marijuanë, e ndarë në dy çanta. Sipas policisë, Boçka për të shmangur postblloqet e policisë po tentonte që ta kalonte sasinë e marijuanës nëpërmjet shpatit të malit. Ndërkohë që me një makinë ishte duke e pritur në dalje të rrugës Jashari, i cili do të bënte edhe transportimin e mallit për në Sarandë. Dy të arrestuarve iu bllokua edhe një armë e tipit kallashnikov dhe një pistoletë. Ndërkohë që po në vazhdim të operacionit u krye edhe ndalimi i Panajot Kanës, ndalim i cili u bë në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas policisë, 44-vjeçarit iu bllokua në makinën që drejtonte një sasi prej 50 kg marijuanë, të cilën po tentonte ta kalonte drejt shtetit fqinj të Greqisë. Punonjësit e pikës kufitare, pas kontrollit të bërë, arritën që të gjenin sasinë e drogës të fshehur në pjesën e sipërme të makinës. Nga hetimet paraprake rezulton se droga ishte e destinuar për tregun grek. Ndërkohë që po vazhdon puna për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të personave të tjerë, të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti, të implikuar në trafikimin e kësaj sasie lënde narkotike. Të tre të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
Itinerari i drogës së kapur në Muzinë
Agjentët e policisë së qarkut të Gjirokastrës kishin marrë informacione në rrugë operative, për një sasi droge që pritej të nisej nga Lazarati për në drejtim të Sarandës, për të vazhduar më pas drejt territorit grek. Nisur nga kjo, specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër zhvilluan një operacion të koduar “Rrëshqitja”, ku në shpatin e malit të Muzinës mbi fshatin Grapsh të rrethit Gjirokastër në një përrua u arrit të kapej shtetasi Izet Boçka, lindur dhe banues në fshatin Kopaçes të rrethit Delvinë (i dënuar më parë në vitin 2003 me një vit burg për vjedhje dyqani), i cili po transportonte dy çanta të mëdha të mbushura me lëndë narkotike të llojit marijuanë. Sipas policisë, ky shtetas i kishte marrë këto çanta në anë të rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë, pranë varrezave të fshatit Grapsh dhe nëpërmjet shpatit të malit do t’i çonte ato në afërsi të qafës së Muzinës në rrugën automobilistike. Më pas, lënda narkotike do të transportohej nga shtetasi Fatmir Jashari, banues në Sarandë (i dënuar më parë me 2 vjet burg në Greqi në vitin 2002), me automjetin e tij tip “Benz 190” me targa SR 27 57 B deri në qytetin e Sarandës. Pas dy orësh, punonjësit e policisë vunë në pranga 37-vjeçarin me pseudonimin “Drumba” në vendin e quajtur “Qafa e Muzinës”. Nga hetimet paraprake, dy të arrestuarit për të shmangur postbllokun e policisë në vendin e quajtur kthesa e fshatit Jorgucat në aksin rrugor Jorgucat-Muzinë, tentuan ta realizonin transportin e kësaj lënde narkotike nëpërmjet shpatit të malit, duke devijuar këtë postbllok. Në çantat e kapura kishte pako të mbështjella me letër natriban të mbushura me lëndë narkotike (rreth 25 kilogramë secila çantë), gjithsej rreth 50 kilogramë dhe në njërën çantë një armë zjarri tip kallashnikov. Gjatë kontrollit fizik që iu bë shtetasit Izet Boçka, iu gjet edhe një armë tjetër zjarri, tip pistoletë e markës “TT”, të cilën e mbante në brez.
Itinerari i drogës së kapur në Kakavijë
Vetëm pak orë kishin kaluar nga operacioni i parë, kur rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, Panajot Kane ka qenë në pikën kufitare të Kakavijës me maunen e tij, për të kaluar në territorin grek. Por, punonjësit e pikës kufitare kanë nisur kontrollin në makinë, në vazhdim të operacionit “Rrëshqitja”. Në automjetin maune tip MAN, me targa FR 79 34 C, me drejtues 44-vjeçarin, u gjetën rreth 50 kg lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë. Ajo ishte e fshehur në kokën e automjetit, brenda kabinës së shoferit dhe ishte ndarë në 50 pako njëkilogramëshe të mbështjella me letër natriban. Maunia që i përkiste një firme ndërtimi në Roskovec, ishte e ngarkuar me gurë dekorative dhe po udhëtonte nga Fieri për në Athinë. Policia arrestoi 44-vjeçarin, i cili tani duhet të përballet me akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale lënda narkotike dhe automjeti.
Detaj
100 kg lëndë narkotike u sekuestruan përgjatë operacionit “Rrëshqitja”, i realizuar në dy faza
U arrestuan
Panajot Kane, 44 vjeç, nga Fieri
Izet Boçka, 23 vjeç, nga Delvina
Fatmir Jashari, 37 vjeç, nga Saranda
Akuza
“Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”