Rama: “Jemi kundër TVSH-së në arsimin privat”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kundërshtuar propozimin e qeverisë për të vendosur TVSH-në në sektorin e arsimit privat. Këtë qëndrim kreu i selisë rozë e ka bërë të ditur gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Fierit, në kuadër të dialogut “Ide për të ardhmen”, që përbën edhe fazën e dytë të “Dialogut me Shqipërinë”. Lideri i opozitës është shprehur gjatë bashkëbisedimit me mësues dhe pedagogë të qytetit të Fierit, se heqja e TVSH-së në arsimin privat do të jetë një ndër masat e para që do të marrë Partia Socialiste me fitoren në zgjedhjet e 2009-s. Faza e dytë e “Dialogut me Shqipërinë”, e quajtur “Rruga e ideve për të ardhmen”, ka nisur të përvijojë disa nga alternativat e PSSH-së për qeverisjen. “Sot ju e dini shumë mirë se në çfarë gjendje është arsimi. Këtu mes nesh ka njerëz që punojnë në sistemin publik dhe atë privat. Ndërkohë që sot ne kemi një qeveri, e cila nuk arrin dot të kuptojë e më pas të bashkëjetojë me idenë se sistemi publik dhe ai privat janë dy sisteme që plotësojnë njëri-tjetrin, aq më tepër në një kohë si e sotmja, kur gjithçka që prindërit presin nga sistemi publik, ky i fundit nuk ua afron dot. E pra, sot është e patolerueshme, sipas nesh, që arsimi privat të paguajë taksë mbi vlerën e shtuar, duke bërë që këta prindër që i çojnë fëmijët në arsimin privat, të paguajnë dy herë, një herë që shteti të ndërtojë një infrastrukturë të besueshme për arsimin publik, por edhe që të shkollojnë fëmijët në arsimin privat. Kjo nuk është një politikë në favorin e fëmijëve tanë. Ne mendojmë se taksa e tatimi mbi vlerën e shtuar, është një vendim i padrejtë dhe padrejtësisht rëndon mbi plot e plotë familje shqiptare, që rëndom i çojnë fëmijët në arsimin privat, sepse arsimi publik nuk u jep atë që kërkojnë”, - tha Rama.
3 Tetor 2008