Veliaj: “Gjeneralët e Ushtrisë të mos jenë kamionistë të Delijorgjëve”
“Gërdeci erdhi si rezultat i spastrimit të Ushtrisë nga ekspertët e mirëfilltë dhe mbushjes së radhëve të saj me militantë dhe trafikantë”. Ky ishte konkluzioni i oficerëve në rezervë të mbledhur dje në një dëgjesë publike të organizuar nga G99-a.
Gjatë këtij takimi Erion Veliaj shprehu shqetësimin për gjendjen aktuale të Ushtrisë shqiptare dhe skandalet që shpërthejnë shpesh në gjirin e saj. “Sot jemi mbledhur fiks 200 ditë pas Gërdecit. Gërdeci tregoi se ndërkohë që gjeneralët janë në lirim fëmijët punojnë në demontimin e armëve, ndërkohë që Shqipëria përpiqet të hyjë në NATO gjeneralët janë katandisur të bëhen kamionistë për trafikantët. Është e turpshme që sot një i ri shqiptar është gati të paguajë edhe ryshfet që të dërgohet në Afganistan apo Irak, sepse ndjen që mund të ketë një mundësi më të mirë në këto vende. Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e sigurisë në vend dhe për skandalet e lidhura me të. Ushtrisë shqiptare i duhen rikthyer vlerat tradicionale si dinjiteti, respekti dhe disiplina. Është qesharake ta mendojmë Shqipërinë në NATO, ndërkohë që ushtarakët dhe oficerët e saj janë në këto kushte skandaloze. Ka ardhur dita që të vlerësojmë heronjtë dhe jo antiheronjtë, sepse pavarësisht nga sistemi, ka pasur njerëz që kanë punuar me ndershmëri dhe përkushtim. Shumica e njerëzve kanë nevojë për shtetin në ditët e tyre më të vështira dhe në këto ditë ky shtet si në rastin e Gërdecit dështon. Lajmi i mirë është se ka vetëm 200 ditë agoni deri ditën e zgjedhjeve pas të cilës duhet të kemi një qeveri mendjehapur që trajton me dinjitet shtresat në nevojë dhe që rikthen respektin tek ata që kanë kontribuar me punë të ndershme”, - tha Veliaj.
3 Tetor 2008