E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrirja e nëndegëve, zgjedhja e kryetareve te PD-se ne kolaps



Eljona Ballhysa
Shkrirja e nëndegëve të Partisë Demokratike duket se ngushton rrethin e drejtuesve të kësaj partie, duke e përqendruar drejtimin në një rreth më të ngushtë njerëzish. Vendimi i marrë në mbledhjen e Kryesisë së PD-së vetëm një ditë më parë shmang realizimin e zgjedhjeve për kryetarë nëndegësh. Madje në statutin e PD-së për herë të parë ishte parashikuar që kryetarët e nëndegëve të zgjidheshin mbi bazën e parimit “një anëtar, një votë”. Ky parim liberal dhe i cilësuar demokratik, që zgjeron pjesëmarrjen e anëtarëve në zgjedhjen e strukturave drejtuese, tashmë duket se shmanget nga ky vendim i Kryesisë qendrore të PD-së. Madje vendimi për shkrirjen e nëndegëve duket se e bën të paqartë dhe mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve të degëve.
Ndryshimet
Në statutin e PD-së, në nenin 27 të tij, është parashikuar që “kryetari i degës të zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga Kryesia e PDSH-së”. Por me shkrirjen e nëndegëve, kuptohet, se nuk do të ekzistojnë më dhe kryesitë e nëndegëve, ndaj mbetet e paqartë mënyra e zgjedhjes së kryetarëve të degëve. Pikërisht një vendim i tillë merret në një moment kur PD-ja pritet të nisë fushatën për kryetarët e degëve. Madje përflitet në radhët e PD-së për një fushatë të ashpër, kryesisht për degët kryesore, veçanërisht për degën e Partisë Demokratike në kryeqytet. Një tjetër pikë që mbetet e paqartë si rrjedhojë e vendimit të Kryesisë për shkrirjen e nëndegëve është dhe zgjedhja e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Në statutin e PD-së, pikërisht në nenin 22 të tij, pika 5, parashikohet që “kuvendi i nëndegës së PD-së zgjedh anëtarët e Kuvendit Kombëtar të PD-së dhe vendos për çështje të rëndësishme të saj dhe për mocione të paraqitura në përputhje me këtë statut”. Kuvendi Kombëtar është një strukturë që vërtet mblidhet një herë në katër vjet, por vendos për zgjedhjen e kryetarit të Partisë dhe miraton ndryshimet në statutin e partisë. Pra roli i kësaj strukture nuk mund të cilësohet pa rëndësi dhe zgjedhja e “delegatëve”, natyrisht që përbën një vendim të rëndësishëm.
Kryesia
Burime nga PD-ja kanë bërë të ditur se Kryesia e kësaj partie pritet të zhvillojë një mbledhje tjetër së shpejti, për të sqaruar pikërisht këto pika të paqarta që mbeten në statusin e PD-së, pas vendimit për shkrirjen e nëndegëve. Vetëm një ditë më parë Kryesia e PD-së vendosi që në kuadër të përshtatjes me ndryshimin e sistemit zgjedhor, të shkrijë nëndegët e partisë, të cilat kishin përputhje me zonat elektorale, që në bazë të sistemit maxhoritar ishin 100 në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa tani, sipas vendimit më të fundit të Kryesisë, nuk do të funksionojnë më nëndegët, por për çdo qendër votimi do të jetë një seksion i PD-së. Më tej në çdo komunë dhe bashki do të ketë një grup seksionesh. Niveli i tretë do të jetë dega që përputhet më nënprefekturën ose rrethin, që është njësia drejtuese më kryesore territoriale e PD-së. Kurse niveli i katërt do të jetë qarku, i cili përputhet me zonën elektorale, pas miratimit të sistemit të ri zgjedhor. Pikërisht qarku do të drejtohet nga një grup individësh dhe me një koordinator, që do të zgjidhet nga strukturat e PD-së. Megjithatë, ende nuk janë bërë të qarta procedurat e zgjedhjes së kryetarëve të degëve dhe koordinatorëve të qarqeve.

Kriteret e reja për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë degësh

• Të jetë ligjërisht dhe faktikisht banor i degës përkatëse

• Të dallohet në opinionin publik për ndershmërinë e tij, për qëndrueshmëri morale e të karakterit dhe të rrezatojë reputacion pozitiv

• Të ketë përvojë politike si anëtar i PD-së, apo të shquhet si funksionar në administratë, të ketë aftësi drejtuese dhe eksperiencë në veprimtaritë e tjera profesionale jopolitike

• Të ketë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së

• Të ketë pasur rezultate elektorale më të larta nga ato të zgjedhjeve të fundit, nëse ka qenë më përpara drejtues dege.

3 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›