E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasijas refuzon 150 milionë eurot e Mançester Sitit

Një tjetër refuzim i madh. Një tjetër portë e mbyllur në fytyrë pa asnjë sqarim, të paktën publik. Petrol-sterlinat e Mançester Sitit nuk i tundojnë kampionët e të mëdhenjve evropianë. Dhe kështu pas Bufonit, drejtuesit arabë të "Citizens" arkëtojnë dhe "Jo"-në e Kasisit. Superportieri i Realit të Madridit, kampioni i Evropës me Spanjën, ka refuzuar ofertën e pabesueshme të klubit të dytë të Mançesterit. Lajmin e ka bërë të njohur radioja iberike "Cadena Ser", që nuk ka fshehur ato që do të kishin qenë detajet ekonomike të operacionit: 13 milionë euro neto përfitime vjetore për portierin. "Jo"-ja e tij i ka kushtuar 150 milionë euro, që klubi anglez i jepte për të blerë kartonin e portierit. Radioja, zakonisht e mirinformuar në merkaton futbollistike, njofton se propozimi "rekord absolut në futbollin botëror" i është bërë agjentit të lojtarit Luis Garcia Abad dhe nuk ka mbërritur te klubi madrilen, sepse i interesuari e ka refuzuar menjëherë. Kasijas, 27 vjeç, që në Spanjë ka nofkën "San Iker", është konsideruar si një nga portierët më të mirë në botë dhe ka pasur një rol vendimtar në fitoren e "Furieve të kuqe" në Evropianin 2008. I shumëvlerësuar te madrilenët, Iker fiton çdo vit 6 milionë euro dhe në shkurtin e kaluar kontrata e tij është zgjatur deri në sezonin 2016-‘17, me klauzolën e shitjes prej 150 milionë eurosh. Pronarët e rinj të Mançester Sitit, biznesmenë nga Abu Dhabi, nuk i kursejnë shpenzimet për përforcimin e skuadrës, që lundron në zonat e poshtme të klasifikimit të Premier League. Deri tani ata kanë mundur të blejnë vetëm një emër të madh, pikërisht nga Reali, sulmuesin brazilin Robinho për 42 milionë euro.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›