E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një cigare shkrumbon Grykën e Këlcyrës


PËRMET- Një cigare e hedhur pa kujdes ka rrezikuar të shkrumbojë njërën prej zonave më të gjelbra në rrethin e Përmetit, në afërsi të vendit të quajtur Gryka e Këlcyrës. Ka qenë ora 02:00 të së premtes, kur vatra e zjarrit është shfaqur në një sipërfaqe pylli me pisha në afërsi të qytetit të Këlcyrës. Menjëherë kanë ndërhyrë reparti zjarrfikës, forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Përmet, si dhe të shërbimit pyjor, të cilët kanë bërë të mundur që pas disa orësh të shuajnë zjarrin, që rrezikonte të përfshinte kurorën me pisha dhe të gjithë pyllin, ndërsa ndërhyrja në kohë bëri të mundur që kurora e pishave të shpëtonte nga zjarri. Mësohet se si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth një dynym me pisha.

Ndërkaq, vetëm pak orë pas zjarrit, policia ka mundur të identifikojë edhe autorin e kësaj zjarrëvënieje, 34-vjeçarin Shpëtim Ceno, nga Bilishti në Korçë. Mësohet se 34-vjeçari që ishte nisur si klandestin drejt Greqisë, ka qëndruar për pak kohë në këtë zonë, në pritje të grupit tjetër të klandestinëve, ndërsa ka hedhur aty një bisht cigareje të ndezur, që e stimuluar edhe nga era është përhapur në mënyrë të menjëhershme. 34-vjeçari Ceno do të përballet tashmë me akuzën e "shkatërrimit të pronës me zjarr".

Policia e Gjirokastrës i bën thirrje komunitetit që të tregohen të kujdesshëm me qëllim parandalimin e zjarreve, ndërkohë që deklaron se nuk do të tolerojë asnjë rast, duke çuar para drejtësisë cilindo që me qëllim apo nga pakujdesia do të shkaktojë vatra zjarri. Sipas të njëjtave burime, gjatë sezonit veror ky institucion në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Gjirokastrës ka nisur 11 procedime penale në gjendje të lirë për 11 raste zjarresh, prej të cilave pesë të rëna në pyje dhe kullota.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›