Shpejtësia, ndërrojnë jetën në aksident bashkëshortët
AKSIDENTI/ Automjeti i drejtuar nga Altin Dervishi ka dalë jashtë rrugës duke u përplasur, pasi s'i ndaloi policisë
DURRËS - Shpejtësia e madhe në orët e para të mëngjesit ka përgjakur sërish rrugët e Durrësit duke e rritur bilancin e viktimave të këtij viti edhe me 2 persona të tjerë. Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 02:20 të së premtes në autostradën Tiranë - Durrës, në afërsi të mbikalimit të Shën Vlashit rreth 3 km në afërsi të qytetit. Automjeti tip "Honda" me targa të huaja BV 344 GZ, ka dalë nga rruga duke rënë në kanalin anësor të autostradës. Për pasojë kanë mbetur të vdekur në vend dy shtetas, konkretisht drejtuesi i automjetit, Altin Dervishi, 33 vjeç, si dhe bashkëshortja e tij, Valmira Dervishi, 25 vjeçe.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, si dhe forca të shumta të policisë së qarkullimit, të cilët kanë bërë të mundur transportimin e menjëhershëm të viktimave për në morgun e spitalit të Durrësit. Por, duke qenë se në makinë nuk është gjendur asnjë dokument identifikimi, policia e ka pasur të vështirë që të përcaktojë fillimisht viktimat e këtij aksidenti. Pas një pune intensive, duke pyetur persona që mund të kishin dijeni mbi mjetin me targa të huaja dhe kur është kontrolluar në kompjuter regjistrimi i mjetit se në pronësi të kujt ishte, është arritur që të përcaktohen edhe emrat e viktimave që rezultoi se ishin banorë të fshatit Koxhas, afër Shijakut.
Ngjarja
Sipas ekspertëve të policisë, mjeti ka qenë duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara në aksin Sukth-Durrës, me kah udhëtimi drejt qytetit. Si rezultat i daljes së situatës nga kontrolli i drejtuesit, mjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur anash saj duke marrë dëmtime të mëdha në pjesët metalike. Nga përplasja udhëtarët kanë humbur jetën. Në timonin e automjetit ka qenë Altin Dervishi, ndërsa në sediljen e pasagjerit, e shoqja. Dëshmitarë në vendngjarje kanë treguar se ka qenë shumë e vështirë nxjerrja e trupave nga automjeti, i cili ka qenë deformuar.
Policia
Uniformat blu bënë të ditur se mjeti ka ecur me rreth 140 km/orë dhe nuk iu është bindur patrullave të policisë, të cilat e kanë pikasur dhe kanë kërkuar që të ndalojë. Sipas policisë, rreth orës 02:00 mjeti tip "Honda" me targë BV 344 GZ është konstatuar nga shërbimet e qarkullimit rrugor të vendosura përgjatë autostradës. Policia ka konfirmuar se patrulla e parë i ka dhënë shenjë ndalimi, por mjeti nuk ka qëndruar.
Atëherë punonjësit e policisë kanë kontaktuar me patrullën e dytë e cila ndodhej në distancë prej pak kilometrash. Mjetit i është dhënë shenjë ndalimi edhe nga ana e këtij shërbimi, por pa rezultat. Si pasojë e shpejtësisë tepër të madhe, mjeti ka dalë nga rruga duke sjellë pasoja të rënda për drejtuesin dhe bashkëshorten e tij. Policia njofton se kanë filluar veprimet hetimore dhe po vazhdon puna për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.