Policia e Vlorës nis hetimin për agjencitë e udhëtimeve
Bllokimi i qarkullimit të automjeteve dje në qytetin bregdetar ka çuar në një kaos total
VLORË - Kaosi i krijuar dje në rrugët hyrëse për në port, por edhe ato që lidhin transballkaniken ka bërë që policia e Vlorës të reagojë duke fajësuar agjencitë e udhëtimit për shitje mbi kapacitet të biletave. Mëngjesin e së premtes trafiku ka qenë i rënduar. Qarkullimi është bllokuar tërësisht, duke përcjellë një situatë shqetësuese për qytetin dhe momente kaotike për zonën në afërsi të Skelës. Bori të zgjatura automjetesh kanë shoqëruar orët e paradites në këtë zonë, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe momente tensioni mes emigrantëve që kanë qenë në radhë për të ikur me tragetet e linjës. Situata ëshë normalizuar rreth orës 11:00, ndërsa është dashur ndërhyrja e punonjësve të policisë. Duke parë gjendjen e krijuar, nga këta të fundit është bashkëpunuar me struktura të portit në ndihmë të zhbllokimit të situatës. Numri i madh i mjeteve që prisnin të hynin në port ka krijuar shqetësime te emigrantët. Disa prej tyre u shprehën se kishin zënë radhën qysh në orët e para të mëngjesit dhe nuk ishin në dijeni nëse do të arrinin të iknin. Disa familjarë kanë pohuar se janë ndeshur çdo vit me gjendje të tilla kaotike.
***
Kaosi i krijuar nuk ka lënë indiferentë policët për të shqyrtuar shkaqet, të cilat i kanë parë te shitja e më tepër biletave se kapacitetet që kanë tragetet. Në një reagim zyrtar të drejtorisë së policisë së Vlorës, bëhet me dije se ka pasur një situatë shqetësuese në qarkullimin e mjeteve në rrugët hyrëse të portit e akse të tjera të brendshme që lidhen me të. Aty thuhet se është dashur ndërhyrja e policisë, si dhe bashkëpunimi me strukturat portuale për të hapur kalime të tjera për mjetet. Situata është bërë edhe objekt hetimi nga ana e sektorit kundër krimit ekonomik në drejtorinë e policisë së Vlorës. Sipas policisë, ka një shitje më të madhe të biletave nga ana e agjencive, që tejkalojnë kapacitetet e trageteve të linjës Vlorë-Brindizi. Kjo ka çuar edhe në fillimin e hetimit ndaj 3 agjencive që operojnë në portin e Vlorës, pasi, sipas policisë, ka abuzime për qëllime përfitimi.
***
Sipas praktikave të përvitshme, muaji gusht vlerësohet si muaji që shënon fluksin më të madh të hyrjes dhe daljes së emigrantëve nga porti i Vlorës. Dje nga ky port janë larguar me tre tragetet e linjës 2000 pasagjerë dhe 480 automjete, ndërkohë që pritshmëria për ditët e fundjavës është për largimin e një numri më të lartë emigrantësh.