Përfitimet e fermerëve, si do të ndahet fondi i buxhetit të shtetit 2008
Fondi i buxhetit për MBUMK-n do të jetë në shumën e 860 milionë lekëve. Nga kjo shumë, 600 milionë lekë do të përdoren deri në fund të qershorit 2008
Ervin Koçi
Qeveria shqiptare ka planifikuar që këtë vit të mbështesë të gjithë fermerët dhe ekonomitë e tyre, të cilët do të zbatojnë politikat bujqësore të diktuara nga shteti, me fonde të posaçme. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministria e Financave kanë miratuar udhëzimin përfundimtar mbi zbatimin e VKM-së Nr. 10, datë 04.01.2008, ”Për mbështetjen e prodhimit bujqësor”. Burime zyrtare nga MBUMK-ja bënë të ditur për gazetën se fondi “Për mbështetjen e prodhimit bujqësor” është parashikuar në buxhetin e MBUMK-së për vitin 2008 në zërin “Transfertë në buxhetet familjare”, në shumën 860 milionë lekë. Nga kjo shumë do të përdoren 600 milionë lekë deri në fund të muajt qershor 2008, pjesa tjetër do të përdoret në përputhje me performancën e të ardhurave buxhetore.
Përdorimi i fondit
Ky fond do të përdoret për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe agropërpunimit. Nëpërmjet mbështetjes së drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, do të përfitojnë të gjitha ato kategori fermerësh dhe ekonomish bujqësore që merren kryesisht me: prodhimin e vajit të ullirit “extra-virgine” deri në 100 lekë/litri; mbrojtjen e ullishtave nga miza e ullirit deri në 17.000 lekë/hektari; certifikimin e produkteve bujqësore bio nga bimët e kultivuara, deri në 70.000 (mijë) lekë/ferma; ujitjen me pika në pemëtoret intensive në sipërfaqe jo më pak se 2 dynym, deri në 300.000 (mijë) lekë/hektari; prodhim fidanësh për llojet autoktone të rrushit “Kallmet”, “Debinë“ dhe “Vlosh”; për fidanishte për sipërfaqe jo më pak se 3 dynym, deri në 1.2 milionë lekë/hektari; ngritje vreshti të ri, për sipërfaqe jo më pak se 5 dynym 500.000 lekë/hektari; ngritje pemëtoresh të reja, për sipërfaqe jo më pak se 4 dynym 300.000 lekë/hektari; për ngritje ullishtash të reja, sipërfaqe jo më pak se 4 dynym, 300.000 lekë/hektari, për serat me ngrohje teknike për ndryshimin e sistemit të përdorimit të lëndës djegëse nga naftë në solar, deri në 1.5 milionë lekë/hektar.
Kompensimi në blegtori
Për fermat blegtorale, që mbarështojnë jo më pak se 10 krerë lopë qumështi të matrikulluara dhe që dorëzojnë prodhimin në qendrat e përpunimit të regjistruara në organet tatimore, masa e mbështetjes do të jetë 10.000 lekë për krerë/lope në vit. Për racat e pastra, mbarështimin e dhënve në kullota, për vendqëndrime dhe lëvizje nga kullotat verore në ato dimërore dhe anasjellas, për tufat mbi 50 krerë të matrikulluara. Masa e përfitimit për tufat nga 50-150 krerë do të jetë 50.000 lekë/vit për fermë dhe për tufat me mbi 150 krerë deri në 100.000 lekë/vit për fermë. Nëpërmjet subvencionimit të normës së interesit për kreditë që përdoren për veprimtaritë bujqësore do të përfitojnë kompanitë që grumbullojnë, ruajnë dhe përpunojnë produkte bujqësore dhe blegtorale, shoqëritë e prodhimit dhe tregtimit në bujqësi, të regjistruara në mbështetje të Ligjit Nr. 8088, datë 21.03.1996, “Për shoqëritë e bashkëpunimit reciprok” të ndryshuar. Financimi i normave të interesit do të bëhet: për rastet kur kredia është në euro, norma e interesit do të jetë “Eurobor”, kur kredia është në dollarë, norma e interesit do të jetë “Libor’, kur kredia është në lekë, interesin repo të Bankës së Shqipërisë. Sipas këtij udhëzimi, financohen normat e kredive jo më të vogla se 10 milionë lekë dhe interesi që subvencionohet për një kredi nuk mund të jetë më shumë se 2 milionë lekë.
19 Shkurt 2008