E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria miraton marrëveshjen për transportin e mallrave

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dje projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen europiane për linjat e rëndësishme ndërkombëtare të transportit të kombinuar dhe instalimet përkatëse (AGTC)”. Specialisti i Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Marenglen Poreci, shpjegoi në mbledhjen e komisionit se marrëveshja “AGTC”, e cila është nënshkruar në Gjenevë në shkurt të vitit 1991, ka për qëllim lehtësimin e transportit ndërkombëtar të mallrave. Aderimi në këtë marrëveshje nuk ka efekte financiare. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

"Albinvest”, gati 10 projekte për zhvillimin e SME-ve

Duke synuar nxitjen e investimeve në sektorin prodhues për eksport të SME-ve, agjencia "Albinvest" ka hartuar këtë vit 10 programe specifike. Burime zyrtare të "Albinvest"-it bënë të ditur se këto programe lidhen me rritjen e nivelit të konkurrueshmërisë së prodhimeve shqiptare, të forcimit të SME-ve, efektivitetit të fondit të garancisë për eksport, zhvillimin e teknologjive në biznes, industri, etj. Për zbatimin e këtyre projekteve, "Albinvest", së bashku me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, po bashkëpunojnë me USAID-in, IFC-në, PNUD-in, Kooperacionin Italian, etj, për të siguruar në kohën e duhur financimet e nevojshme.

Turqia hap burime të reja nafte

Qeveria turke vendosi të hapë fushat e mëparshme të naftës në Anadollin Lindor, të cilat qenë mbyllur vite më parë lidhur me kostot e larta të nxjerrjes së naftës. Vendimi u shkaktua nga rritja e çmimeve të naftës në tregjet botërore. Turqia mundet aktualisht të përmbushë vetëm 10 për qind të kërkesave të saj për naftë nëpërmjet prodhimit lokal dhe përmbush pjesën tjetër të nevojave të saj të konsumit, nëpërmjet importeve me vlerë rreth 27 miliardë euro në vit.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›