Çmimi i bukës, pjekja në shtëpi i detyron prodhuesit ta ulin
Dyqanet në Tiranë kanë nisur ta tregtojnë sërish me 80 lekë bukën 850 gramë. Ulja e çmimit të bukës erdhi për një rritje në 100 lekë/kg para 10 ditëve
Ervin Koçi
Në pjesën dërrmuese të pikave të shitjes buka ka ndalur rritjen e çmimit, madje është ulur me 10-20 lekë, sidomos në periferitë e Tiranës. Sipas një vëzhgimi të bërë dje nga gazeta në pikat e shitjes me pakicë, çmimi maksimal i një buke 800 gr ishte 80 lekë, por në periferi shitej edhe me 70 lekë. Por nga të dhënat mësohet se prodhuesit e bukës në mbarë vendin kanë ulur çmimin e shitjes së bukës nga 100 lekë/kg në 60-80 lekë/kg, duke iu rikthyer kështu çmimit normal të tregut për këtë produkt. Ndërkohë, lidhur me këtë situatë shitësit e pikave me pakicë të bukës shprehen se shumica e qytetarëve kanë nisur që ta gatuajnë bukën në kushtet e shtëpisë, ndaj dhe kërkesa për këtë produkt të prodhuar nga furrat nuk është më si më parë. Në këtë mënyrë prodhuesit dhe tregtuesit e bukës kanë justifikuar edhe presionin që atyre u është bërë nga shteti për të ulur këtë çmim, që nga të gjitha përllogaritjet rezultoi si spekulativ. Ndaj dhe çmimi ndikohet nga kërkesa, duke çuar në një tendencë uljeje.
Çmimi aktual
Në qendër të Tiranës buka ka filluar të shitet në pikat e posaçme të zotëruara nga furrat me çmim nga 70 deri në 80 lekë, por pakti i furrtarëve nuk po funksionon për të mos lejuar shitjen e bukës në minimarkete dhe dyqane ushqimore. Po kështu, nuk zbatohet edhe ajo pjesë e marrëveshjes për shitje të bukës të bazuar në peshë. Për të shmangur spekulimin që vjen nga pikat e pakicës në lidhje me çmimin e bukës, furrtarët kanë bërë një marrëveshje para disa ditësh, sipas së cilës, buka do të shitet vetëm në pika të posaçme dhe kryesisht në pikat e prodhimit. Ashtu si edhe shumë linja të tregut, edhe me tregtinë e bukës po spekulohet. Këtë fakt e kanë pohuar furrtarët, të cilët kanë pranuar se në qytete të ndryshme po ofrohen çmime me tendencë rritjeje, në një kohë kur çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare nuk ka pësuar rritje të madhe. Qeveria do të rimbursojë akcizën e lëndëve djegëse (solar dhe mazut), që konsumojnë furrat për prodhimin e bukës, me qëllim përballimin e konkurrencës dhe uljen e kostos së prodhimit të këtij produkti.
Kontrolli nga shteti
Burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe nga Shoqata Kombëtare e Industrisë së Blojës, bënë të ditur se marrja e masave nga institucionet përkatëse për uljen e informalitetit në prodhimin dhe tregtimin e bukës bëri që prodhuesit e kësaj industrie të reflektojnë menjëherë. Ata e kanë ulur çmimin për këtë produkt dhe shitjen e tij, duke e çuar në një kosto reale. Specialistët e Bujqësisë shprehen se “në shumë njësi tregtare, jo vetëm në kryeqytet, por dhe në shumë rrethe të vendit, 1 kg bukë nuk po shitet më shumë se 80 lekë/kg, duke shënuar kështu një ulje të çmimit të bukës, i cili u rrit në 100 lekë/kg para 10 ditëve”. Sipas tyre, është vetë tregu ai që vendos për çmimet e shitjes, por roli i institucioneve qëndron në faktin e luftës ndaj rritjes artificiale të çmimit të bukës. Për të mbështetur industrinë vendase të blojës, në mënyrë që rritja e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare të japë efekt sa më të lehtë në çmimin e bukës, si dhe për të luftuar informalitetin, me propozim të MBUMK-së, qeveria mori masa për subvencionimin e akzicës së lëndëve djegëse që përdor kjo industri, forcimin e kontrollit për tregtimin e bukës vetëm në njësitë e destinuara për shitjen e tij si dhe kryerjen e transaksioneve për shit-blerjen e grurit vetëm përmes sistemit bankar.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Hysen Cakra, duke vlerësuar ndërhyrjen e institucioneve përballë kësaj situate, ku çmimi i bukës po rritej artificialisht, tha se "këto masa po japin efekte dhe çmimi i bukës sot po i rikthehet normalitetit 80 lekë/kg".
19 Shkurt 2008