E Diel, 1 Nëntor 2026

Një delegacion i lartë i Turqisë po qëndron në Kosovë

Prishtinë-Një delegacion i lartë i Turqisë, në krye me zv/kryetarin e Parlamentit turk, Nevzat Pakdil, ndodhet në Kosovë, ku po zhvillon takime me krerët e institucioneve. Vizita e tyre përkon me 23 Prillin, Ditës së Komunitetit Turk, që njëherësh është festë zyrtare në Republikën e Kosovës. Krerët institucional e kanë falënderuar popullin turk për përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë karshi Kosovës. Në prag 23 Prillit, Ditës së Komunitetit Turk, Kosovën po e viziton një delegacion i lartë nga Turqia, në krye me zv/kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Nevzat Pakdil. Fillimisht, delegacioni u takua me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Bashkëpunimi ndërshtetëror dhe roli i komunitetit turk në Kosovë, ishin fokusi kryesor i bisedimeve. Sejdiu e ka përgëzuar popullin turk për festën duke vlerësuar edhe qëndrimin mbështetës të Turqisë për Kosovën.

Ndërkaq Pakdil i ka falënderuar autoritetet e Kosovës që 23 Prilli është pjesë e festave zyrtare të Kosovës. Duke përgëzuar popullin kosovar për raportet e mira ndërmjet komuniteteve, ai tha se Turqia gjithmonë do të jetë pranë Kosovës.

“Si para ashtu edhe pas pavarësisë qeveria e Turqisë, partitë në pozitë dhe opozitë dhe I gjithë populli turk kemi qenë pranë Kosovës. Ne do të vazhdojmë të mbështesim kosovarët në fushën e sigurisë, financave, shëndetësisë, arsimit. Një Kosovë e lirë dhe e pavarur në qendër të Evropës është një garanci për paqen në Botë dhe Bashkim Evropian”, ka thënë z. Pakdil.

Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i ka falënderuar zyrtarët nga Turqia, sidomos në ndikimin e tyre për njohje të reja të shtetit të Kosovës

Ndryshe delegacioni nga Turqia do të qëndrojë në Kosovë disa ditë, me ç’rast do të kremtojnë 23 Prillin - Ditën kombëtare të Komunitetit turk në Kosovë. Për nder të kësaj feste Qeveria e Kosovës ka ndarë nga Buxheti i saj rreth 80 mijë euro, ndërsa Agjencia për zhvillim dhe Bashkëpunim TIKA, nga Turqia, ka kontribuar me 80 mijë euro. rtk

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›