E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dhuratë nga Çekia!

Një ditë më parë, një lajm i papritur dhe i shumëpritur bëri jehonë në median çeke. Aty thuhej se qeveria çeke e kryesuar nga kryeministri Topolanek vendosi të njohë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Më tej vazhdohej duke u përpjekur që në një kohë të shkurtër të vendosë marrëdhënie diploamtike me shtetin me të ri në botë, Kosovën. Ishte një lajm i cili tronditi opinionin politik në Çeki, pasi pakkush besonte që vendi i tyre do të njihte Kosovën pas 94 ditësh jetëgjatësi si shtet. Në Çeki, ka një debat të ndezur sa i përket çështjes së Kosovës, madje divergjencat janë jo vetëm midis formacioneve politike por edhe në parti të veçanta. Në mënyrë kategorike, kundër njohjes së Kosovës është shprehur opozita e majtë çeke dhe një "Jo" e moderuar është shprehur edhe nga Presidenti i vendit. Por të gjithë këta zëra i bëri të pavlefshëm vendimi i qeverisë i dhënë dje pasdite. Shumë analistë politikë e kanë quajtur këtë një "vetëvrasje politike" për arsyen e vetme se në shumë anketime publike, rreth mbi 70% e të intervistuarve janë shprehur kundër njohjes së Kosovës. Disa politikanë të majtë, e kanë quajtur vendimin më të fundit të qeverisë si tradhei kombëtare. Duket vërtetë se çekët janë shumë të irrituar me këtë vendim të qeverisë së tyre. Përpos kësaj duhet përmendur roli progresist i ministrit të Jashtëm, Shvarcenberg, si një mbështetës i pavarësisë, po kështu dhe roli i pazëvendësueshëm i ish-Presidentit Havel në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Duke bërë një përshkrim të shkurtër të ngjarjeve të muajit të fundit, duhet përmendur vizita e Kryeministrit çek në Shqipëri. Askush nuk mund të mendonte se pak javë më pas, qeveria e tij do të njihte Kosovën si shtet të pavarur. Edhe vetë ai nuk dha asnjë shpresë, duke cituar se ky process do të kalojë përgjatë një debati të gjerë në Çeki. Nuk e dimë se çfarë ndodhi dhe si, por kjo është një dhuratë shumë e bukur dhe në kohën e duhur. Pa modesti, do ta quaja këtë njohje, si më të rëndësishmen deri në këto momente të bëra nga shtete të ndryshme. Përse është kaq e rëndësishme? Dihet që Çekia është një shtet i BE-së, që ndjek një politikë mjaft të kujdesshme në arenën ndërkombëtare. Marrëdhëniet e saj të hershme me Serbinë ruhen deri sot, duke iu dhënë këtyre shpesh ngjyra sllave sa i përket prejardhjes dhe fesë (në Çeki ka një përqindje të konsiderueshme të fesë ortodokse). Fundi i Luftës së Dytë Botërore i forcoi marrëdhëniet e tyre, ku palët kanë ndihmuar njëra-tjetrën. Ashtu si Shqipëria, as ish-Jugosllavia nuk dërgoi trupa në '68-ën në Çekosllovaki. Një arsye tjetër janë investimet e mëdha që kanë firmat çeke në Serbi. Produktet e firmave çeke shohin aty një treg mjaft të leverdisshëm dhe prioritar. Nuk besoj se pas kësaj ky është cenuar.

Po kështu Çekia ka një problem të mprehtë me të ashtuquajturën SudDeutsche, që prej vitit 1938. Ndonëse ky problem quhet i mbyllur ende përbën një çështje të nxehtë dhe mjaft delikate për opinionin vendas. Frika se mos çështje të tilla mund të bëhen precedent edhe për rajone heterogjene, apo për hapje plagësh të vjetra, ka bërë që opinioni çek të jetë kaq kritik ndaj vendimit të qeverisë çeke. Të gjitha këto, më bën ta ndiej këtë vendim të qeverisë çeke si mjaft të veçantë. Duket sikur ky është një hap shumë i madh dhe i guximshëm i qeverisë "Topolanek", duke qenë se ka një shumicë mjaft të brishtë. Por me këtë vendim ai vërtetoi dhe njëherë se jo vetëm që është një politikan largpamës, një europian modern, një proamerikan i principte por dhe një çek i vërtetë. Sot, Çekia i shtriu dorën Kosovës për bashkëpunim, për integrim dhe përparim. I takon tashmë Kosovës, politikanëve të atjeshëm ta kuptojnë drejt këtë mesazh, ta përcjellin atë gjithandej në institucione, se sot e tutje kanë një partner më shumë të cilët nuk duhet t'i zhgënjejnë apo t'i qëllojnë me gurë. Po kështu Çekia i tregoi dhe Shqipërisë, se është një mike e mirë, na tregoi të gjithëve ne se sa e rëndësishme është të kesh miq, na tregoi ne se duhet të shohim, marrëdhëniet tona duhet të forcohen më shumë e më cilësisht jo si përfaqesimi ynë i deritanishëm, pasi edhe vlerat e kombeve tona janë më cilësore e më humane.

*Student në Pragë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›