E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fierzë, sindikata paralajmëron nisjen e grevës

 

Dështojnë bisedimet me KESH-in për kontratat e punës

Tropojë-Sindikalistët e HEC-it Fierzë, kanë paralajmëruar një grevë 1 orëshe më datë 30 maj, pasi bisedimet në mes tyre dhe Divizionit të Prodhimit të Energjisë Elektrike në KESH kanë dështuar. Ndërkohë që kreu i kësaj sindikate, Lirim Alia, i ka kërkuar drejtorit të HEC-it Fierzë që mediat të lejohen të hyjnë në ambientet e HEC-it Fierzë për të pasqyruar grevën. Punonjësit kanë kundërshtimet e tyre lidhur me kontratat e punës, pasi sipas tyre janë lidhur në mënyrë të njëanshme dhe në disfavorin e tyre. Drejtorit të Divizionit të Shpërndarjes në KESH, i është kërkuar që të ndryshohen kushtet e kontratës në mes punonjësve të HEC-it Fierzë dhe këtij divizioni, por përgjigja ka qenë negative. 180 punonjësit kanë akuzuar kohë më parë drejtuesit e lartë të KESH-it dhe Konfederatën e Sindikatave se nëpërmjet kontratave të nivelit të parë kanë shkelur nenet 143 dhe 166 tëKodit të Punës duke dëmtuar interesat e punonjësve të KESH-it në përgjithësi dhe të HEC-it Fierzë në veçanti. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka lidhur kontratën e nivelit të parë me KESH-in. Kjo kontratë është lidhur në mënyrë të njëanshme dhe pa pyetur sindikatat e nivelit të dytë, ku për pasojë shumë pika të kësaj kontrate janë në disfavor të punonjësve. Kontratat janë lidhur për periudha deri në tremujore, ku punëdhënësi ka të drejtë ta zgjidhë atë në mënyrë të njëanshme pas përfundimit të afatit. Në bazë të kësaj kontrate, punonjësit e HEC-it Fierzë do të marrin pagat 1 herë në muaj nga një herë në 15 ditë që e kishin më parë.

B.Shala

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›