Çmimet e naftës nuk ndalen
Transporti publik dhe privat është përfshirë nga një krizë në seri e çmimeve të biletave
Në tregun vendës, nafta D1 po shitet me një çmim prej 155 lekë për litër, ndërsa ajo D2 me një çmim prej 150 lekë për litër. Grosistët në vend, bëjnë të ditur se edhe gjatë kësaj jave ka pasur një rritje me rreth 20 dollarë për ton të naftës së importuar nga jashtë. Çmimet janë rritur aq shumë sa edhe kompanitë që mundet të importojnë sasira të mëdha të naftës janë të pakta, duke treguar se vlera e arit të zi është në rritje të vazhdueshme. Por dritë shprese kanë lindur gjatë ditëve të fundit në bursat ndërkombëtare, pavarësisht rritjeve rekord të çmimit. Sipas specialistëve të tregjeve, nafta për këtë vit parashikohet që të ketë një çmim mesatar që do të shkojë në 107 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë 2009 dhe 2010 çmimi mesatar parashikohet që mos të kalojë 102 dollarë për fuçi. Por goditjet dhe krizat që po kalon ekonomia amerikane dhe kërkesa gjithnjë në rritje për naftë nga Kina, kanë bërë që edhe parashikimet për këtë vit të kenë një gabim në rritje.
***
Rritja e vazhdueshme e çmimeve gjatë pjesës së dytë të vitit 2007 dhe gjatë gjithë vitit 2008 ende nuk kanë sjellë asnjë reagim nga ana e qeverisë. Kryeministri Berisha ka premtuar se do të kompensojë buxhetorët dhe shtresat në nevojë për rritjen e çmimeve gjatë 6 mujorit të dytë të këtij viti, por ky indeksim është sërish i pjesshëm. Pjesa më e madhe e popullsisë mbeten jashtë përfitimeve nga kriza e çmimeve. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë kërkuar qeverisë që të identifikojë shtresat në nevojë dhe t'i kompensojë atyre rritjen e çmimeve, masë e cila ende nuk është në planet afatshkurtra. Ngritja e një strukture të veçantë të specializuar që do të rekomandonte masa konkrete për të ndihmuar në këtë situatë, do të ishte një zgjidhje e mirë. Të tilla institucione tashmë po operojnë në shumë vende që po përballen me krizën botërore. Përsa i përket çmimeve të karburanteve, specialistët theksojnë se Shqipëria vuan nga një mungesë e shërbimit cilësor urban, që do të ishte me një kosto të ulët për qytetarët. Shqipëria vazhdon që të jetë në nivele të ulët përsa i preket numrit të makinave për banorë, krahasuar me vendet evropiane, por konsumi i mjeteve që qarkullojnë në vend është në nivele të larta.