E Shtunë, 31 Tetor 2026

ADHURIMI I FORMËS-REFUZIMI I PËRMBAJTJES

 

Fushata parazgjedhore, zgjedhjet në tërësi në shtetet postkomuniste, veçmas ato në Rusidhe këto të fundit në Serbi,në mënyrë të pandalshmenxjerrin në shesh çfarësinë e një shoqërie, cilësitë, të metat, dijen, injorancën, stadin e pjekurisë morale, intelektuale, nivelin e manipulimeve, mungesën e ofertës reale, frustracionet kolektive, diversitetin e rrejshëm të opsioneve politike, shterpësinë e vizioneve si dhebindjen e hidhur për kotësinë e politikës në kuadër të një kulture që realisht nuk ka nevojë, nuk ka pjekuri për demokraci, për respektim të parimeve të demokracisë.

Ky refuzim tinëzar, i heshtur i demokracisë, ndërlidhet me një fenomen shumë më të thellë që ka të bëjë meshpërputhjen e sistemit të vlerave perëndimore me atë lindore: perëndimi prodhon një koncept, lindja e huazon, por si imitim formal dhe jo si nevojë, kështu që, përmes pranimit formal të vlerave dhe të tendencave të reja historike humbet kuptimi i tyre. Refuzimi i demokracisë si mënyrë më e avancuar e legjitimimit shfaqet edhe te shqiptarët, por në forma banale dhe jo strategjike, jo si oponencë sistematike ndaj sistemit të vlerave perëndimore.

Në Rusi, me instalimin e V. Putinit u formalizua zbatimi i demokracisë, me arsyetimin, për mendësinë ruse të pranueshme, se pluralizmi dhe demokracia nxisin anarkinë dhe e zvetënojnë rolin global të Rusisë. Siç dihet Putinin,realisht e zgjodhi Jelcini, ndërkaq Medvedevin, Putini. Populli, elektorati vetëm formalisht e miratoi këtë përcaktim të tyre. As Putini, as Medevdevi nuk do të instaloheshin në fron pa marrëveshjet interne, sekrete të strukturave të hirta. Vladimir Putini, madje e përsosi këtë metodologji të përfilljes sëformës dhe refuzimit të përmbajtjes. Ai, në mënyrë sa pompoze po aq edhe cinike, u zotua se do ta respektojë kushtetutën qënuk lejon radhazi i njëjti kandidat të zgjidhet president në tre mandate dhe e emëroi mikun e tij të dëgjueshëm dhe anemik,Medvedevin,peshëngritësin e dikurshëm. Të gjithë analistëte dinë se Medvedevi do të jetë president kukull dhe se zgjedhjet e organizuara në fakt ishin një farsë e kurdisur mjeshtërisht. Kjo farsë tanimë zgjerohet, metastazohet pandalshëm në të gjitha segmentet e demokracisë. Njerëzit e Putinit krijojnë edhe parti politike që do të luajnë rolin e opozitës luajale, ndërkaq partia e tij, "Rusia e Bashkuar"prej fillimit nuk kishte president, por e priti që të demisionet demiurgu i çdo fenomeni politik në Rusi dhe pastaj t'i ofrohet posti i presidentit të partisë. " Me mirënjohje pranoj propozimin të anëtarëve të partisë dhe drejtuesve të saj. Jami gatshëm që ta pranoj këtë përgjegjësi shtesë dhe ta drejtoj Rusinë e Bashkuar...", u tha Putini anëtarëve e të partisë së tij. Nga ana tjetër, favoriti i tij, Medvedev me rastin e ceremonisë përuruese, deklaroi se ka ardhur koha që në Rusi të eliminohet nihilizmi ligjor. Kujt ia drejtoi këtë mesazh ai? Krijuesit të tij? Kurrsesi! Në kulturat e adhurimit të formës, mesazhet e këtilla përmbajtjesore nuk dërgohen realisht ngaqë nuk kanë efekt të vërtetë, nuk kanë kuptim. Këto shoqëri nuk funksionojnë sipas ligjit, por autoritetit: e vërteta është ajo çka thotë autoriteti, pra Putini. Ai, pinjoll ekzemplar i një tradite të adhurimit të formës, nuk lejon asgjë të zhvillohet jashtë kontrollit të tij, nuk lejon role që nuk i ka përcaktuar ai, prandaj, të padëgjueshmit si gazetarja Politikovskaja, apo biznismeniKhodorkovski, naivitetin e tyre e paguan me jetë ose me burgim të rëndë siberian dhe shpronësim. Në fushatën parazgjedhore në Serbi, në mënyrë të padurueshme u shfaq ky fenomen i mjerimittë politikës. Parakaluan shumë parti politike, me doktrina thuaja identike, pa specifika diferencuese. Mungesa e identitetit politik, e dallimit programor, veçmas lidhur me Kosovën, ndikoi që qytetarët, që merrnin pjesë në debate televizive të parashtrojnë kërkesën që Partia Demokratike e Tadiqit, e cilësuar si pro-perëndimore të hyjë në koalicion me Partinë Radikale, herë pro e herë anti-evropiane të Sheshelit me qëllim që Serbianjëherë e mirë të stabilizohet.

Tema kryesore në këtë fushatë ishte Kosova dhe betimi i liderëve se nuk do ta njohin pavarësinë e saj. Dallimet mes tyre ishin minimale, pos qëndrimit të Partisë Demokratike Liberale të Ç. Jovanoviqit, i cili sugjeron marrëveshje me shqiptarët. Partia Demokratike e B.Tadiçit, presidentit aktual i Serbisë u pozicionua si anti-kosovare dhe pro-evropiane, Partia Demokratike e Serbisë, e ish kryeministrit Koshtunica si anti-kosovare dhe me kusht pro-evropiane, nëse ajo do t' i pranojë premisat e politikës së tij, ndërkaq Partia Radikale Sheshelitsi anti- kosovare, anti- evropiane dhe pro ruse.

Të gjitha këto opsione janë derivate, mbetje të mozaikut të prishur tëpolitikës së Sllobodan Millosheviqit, përkatësisht të nacionalizmit serb që hartohet sistematikisht më se një shekull. Të gjithë këta politikanë serbë, kipca të vegjël të Millosheviqit nuk kuptuan një fakt elementar: faktori që i shkërmoqi të gjitha projektet serbe, përfundimisht edhe formacionet e ndryshme jugosllave ishte ideja se Kosova qenka Serbi. Kjo formulë ishte dhe do të jetë gjithmonë fatale për Serbinë, ngaqë Kosova është kafshatë e pa kapërdishme për Serbinë. Në të ardhmen, pa dyshim, ajo do të jetë edhe më e pa kapërdishme. Këtë fakt e dinë si intelektualët ashtu edhe qytetarët serbë. Por, si atëherë të shpjegohet ky rikthim histerik i politikë serbe çështjes së Kosovës? Përgjigjen duhet kërkuar te mungesa e identitetit politik të partive, te mungesa e ofertës reale, te frika se populli tanimë ka kuptuar se shumica e partive janë formuar për shkak të egoizmit të individëve, të mosdurimit personal ose për shkak të projekteve anakronike, nostalgjike. Bie fjala Partia Demokratike e B. Tadiqit, Partia Demokratike Serbe e V. Koshtunicës dhe Partia Liberale Demokratikee Ç.Jovanoviqit janë fragmente të Partisë Demokratike, që u formua në fillim të viteve të '90-ta. Tani këto parti kanë problem me identitetin politik. Për ta fshehur këtë fakt banal, drejtuesit e këtyre partive, të formuara nga i njëjti brumë kërkojnë pikën e dallimit ndërmjet tyre. Këtë pikë e gjejnë te morali, te emocionet, te djallëzimi i tjetrit dhe hyjnizimi i vetes. Nocioni Kosovë, mitizimi i rolit të saj për identitetin dhe kulturën serbe shërben si instrument përta shëmtuar tjetrin, për ta ontologjizuar tradhtinë, nga njëra anë dhe heroizmin e rrejshëm nga ana tjetër. Konkurentët e sotëm politik emërtohen me emrat e tradhtarëve të periudhës së Betejës së Kosovës, për ta fituar kështu peshë metafizike argumentimi i secilit për ta eliminuar kundërshtarin. Në këtë pikë serbët më në fund arritën ta ndalin kohën: asgjë nuk ka ndryshuar, tradhtarët dhe heronjtë janë të njëjtit, të periudhës së Betejës së Kosovës. Por, kjo përhumbje në mit është vetëm një segment i kësaj marrëzie, vetëm një kënd i mozaikut që e imiton në fakt Biblën. Beteja e Kosovës, sipas kësaj mitologjie ka peshën kalvarit, në fund të cilit vdes Serbia, duke këmbyer kështu mbretërinë tokësore me atë qiellore. Mirëpo, ashtu si u ngjall Krishti, ashtu edhe Serbia do të ngjallet. Kjo do të ndodhë kur Kosova do të kthehet në gjirin e Serbisë.

Këtë përngjasim i konstruktojnë klerikët e ndryshëm, shkrimtarët, piktorët, ndërkaq politikanë me përulësi zotohen se do ta ringjallin Serbinë në Kosovë. Ata nuk tregojnë si dhe kur do të vijnë pashkët, por, hëpërhë obligohen se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ikja në mit, në demagogjinë cinike është në fakt një metodë efikase me të cilën liderët serbë e qetësojnë ndërgjegjen, i ikin përgjegjësisë, ballafaqimit me vrasjet, dhunimet, plaçkitjet, rrënimet, viktimat që i shkaktoi devijimi, mitizimi i politikës.

Boris Tadiqi, në fillim fliste për anëtarësim të Serbisë në UE, por kur Koshtunica e akuzoi për tradhti ndaj Kosovës, bëri një kompromis retorik: vetëm me anëtarësim në UE mund ta kthejmë Kosovën, thoshte ai pa u kujtuar fare se çelësat Kosovës janë në duart e shqiptarëve.

I dyti nga ky rrëfim për politikanët provincialë serbë, Koshtunica në rrugëtimet e tija për ta gjetur identitetin politik për partinë e tij, hoqi dorë nga identiteti i tij i mëparshëm politik, nga ftohtësia intelektuale e doktrinës së legalizmit dhe u rrok për mitin e nxehtë të Kosovës. Në kohën kur ishte president i Serbisë, kur faktori ndërkombëtar kërkonte ta dorëzojë Millosheviqin në Hagë, ai fshihej prapa kuintave të legalizimit. Sillej si një çun që fshihet prapa fustanit të mamasë.

I treti, zëvendës kryetari i Partisë Radikale Serbe, T. Nikoliq, me profesion pronar i një firme për varrime, i cili pa dilema të gjitha virtytet ia përshkruan vetes, ndërkaq cenet kundërshtarëve të tij, i dha kosës edhe më gjerë: jo vetëm kthimi i Kosovës, por edhe i Malit të Zi, Republika Serbskës si dhe i krahinave"serbe" në Kroaci.

I katërti, i riu që e bindi Millosheviqin e ngujuar në pallatin e vet në Dedinje që të dorëzohet, Ç. Jovanoviqi i PLD-së, duke parë gjithë këtë marrëzi, me guxim dhe logjikshëm deklaroi se nuk ka ndërmend ta shesë Serbinë për ta blerë Kosovën.

I pesti nga ky rrëfim, I. Daçiq, i Partisë Socialiste, suksesor i Millosheviqit, duke mos kuptuar asgjë, me habi e shtroi pyetjen: pse e hoqëm Millosheviqin, kur të gjitha këto dëngla janë pjesë edoktrinës të prijësit të madh serb, Sllobodan Millosheviqit të cilin, duke mos pasur vend tjetër, e varrosën në oborrin e shtëpisë së gruas së tij ambicioze, e cila është në azil në Rusi.

Fushata parazgjedhore në Serbi manifestoi rënien, mjerimin e politikës serbe, ndërkaq rezultatet absurdin e kësaj politike. Kryeministri Koshtunica, i cili në mënyrë histerike e riktheu çështjen eKosovës në skenën politike(" Kosovo je Srbija"-"Kosova është Serbi") është humbësi kryesor i këtyre zgjedhjeve. Populli jo vetëm që nuk e votoibotëkuptimin e tij për Kosovën, por e dënoi atë, duke i dhënë më pak vota se më parë. Ai kishte shumë shpresa se duke radikalizuar kursin rreth Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, do të bëhet faktori kryesor politik në Serbi. Qëllimi i tij nuk ishterrëzimi i qeverisë, atë mund ta bënte pa zgjedhje, thjesht në parlament duke bërë koalicion të ri me radikalët dhe socialistët, por përfitimi nga situata depresive në Serbi, pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës, për ta ngritur kështu relevancën e tij në skenën politike serbe.Politika e Koshtunicës është shembull ekzemplar i mjerimit të politikës, zëvendësimit të saj me efekte të natyrës morale, kombëtare, mitologjike.

Ndonëse elektorati serb e dënoi atë, megjithatë, marrënë tërësiai votoi për opsionin anti-evropian: Partia Demokratike e Tadiçit, G 17 dhe Partia Liberale Jovanoviqit kanë më pak vota se Partia Radikale e Sheshelit, Partia Demokratike Serbe e Koshtunicës dhe Partia Socialiste Serbe e Daçiqit. Anti-evropianët lehtë mund ta formojnë qeverinë e re, ndërkaq të ashtuquajturit pro-evropianët rreth Tadiqit shumë vështirë: vetëm duke bërë kompromise joparimore, anti-evropiane me Partinë Socialiste të formuar nga Millosheviqi. Kushti me gjasë do të jetë amnistia, me bekimin evropian për familjen e Millosheviqit. Këtë ofertë e ka vetëm Tadiqi. Sidoqoftë, në Serbi, më shumë se gjysma e popullatës voton për koncepte politike anti-evropiane. Presidenti Tadiç që synon Evropën, nuk mund të hyjë në këtë union vetë, me një elitë, pa dyshim të qytetëruar, por me vete duhet të marrë gjithë atë llum njerëzish, të formuar me koncepte anti-evropiane. Si dhe kur do të iluminohen ata?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›