Berat, burg përjetë vrasësit të Kozarës
Gjykata ka vendosur dje burgim të përjetshëm për Luan Marën, që ekzekutoi vëllanë, kunatën shtatzënë dhe djalin 2-vjeçar
Mara: Nuk jam unë vrasësi, jam i pafajshëm. Familjarët: Autor është një tjetër dhe është i lirë
BERAT- Gjykata e Beratit ka vendosur dje burgim të përjetshëm për shkaktarin e masakrës së Kozarës. Pas vendimit të dhënë dje nga treshja e trupit gjykues të rrethit, Luan Mara do të kalojë gjithë pjesën tjetër të jetës në burg, si autor i vrasjes së vëllait të tij, Shpëtimit, kunatës, Flories, që ishte shtatzënë dhe djalit të tyre të vogël, Artiolit, 2-vjeçar.
***
Pas një maratone seancash, dje është dhënë fjala e fundit për një nga ngjarjet më të bujshme, ku u ekzekutua me armë, ndërsa ishte në gjumë, një familje e tërë. Pak kohë më parë, të njëjtën masë dënimi kërkoi Prokuroria e Rrethit të Beratit, në pretencën e dhënë, ndërkohë që mesditën e djeshme, gjykata i ka dhënë fund gjykimit në ngarkim të Marës. Trupi gjykues, ashtu si edhe në seancat e mëparshme, përbëhej nga treshja e kësaj gjykate Nazmi Troka, kryesues; Bernina Kondi e Agron Vavla, anëtar. Në seancë janë referuar edhe njëherë detajet për ngjarjen, e cila ka kaluar 21 seanca në gjykim, ndërkohë që dosja hetimore përbëhej nga 7 fashikuj me prova e dëshmi rreth ngjarjes. Gjatë pretencës, prokurori kërkoi deklarimin fajtor tëtë akuzuarit Luan Mara, për veprat penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese,të kryera ndaj fëmijës, Artjol Mara; shtatzënës Florije Mara si dhe të vëllait të tij, Shpëtim Mara, si dhe për "armëmbajtje pa leje". Për këto vepra penale, prokurori Bejo, nisur nga rrezikshmëria e lartë shoqërore që përbën i pandehuri, Luan Mara, i ka kërkuar trupit gjykues, dënimin e tij me "burgim të përjetshëm". Vendim që është marrë dje në mënyrë përfundimtare nga gjykata, pasi ka dëgjuar edhe njëherë të dyja palët. Me gjithë pretendimet e mbrojtjes dhe të akuzuarit, asnjë nuk ka ndryshuar në favor të tyre.
***
I akuzuari ka kërkuar pafajësi, duke deklaruar qartë se nuk është ai fajtori dhe nuk ka qëlluar ndaj familjes së vëllait. Të njëjtën gjë ka kërkuar edhe avokati Dilaver Bregasi, duke e quajtur vendimin të padrejtë dhe të pabazuar në prova të qarta.Vendimi është kundërshtruar nga familjarët e të akuzuarit, të cilët vazhdojnë të deklarojnë se autori nuk është Luan Marra. Ndërkohë, që ky i fundit e ka pritur qetësisht vendimin, ndonëse nuk ka pranuar akuzën. Familjarët, ashtu si edhe gjatë pretencës kanë akuzuar një person, duke e cilësuar vrasësin e familjes. Sipas tyre, Shpëtimi i kishte prishur një fejesë dhe ky e kishte kërcënuar atë me jetë, familjarisht. Gjë që sipas familjarëve edhe e bëri fakt të kryer. Familjarët janë shprehur të zhgënjyer nga drejtësia e cila, sipas tyre, nuk ka vënë në pranga autorin e masakrës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 10 shkurtit të vitit 2006, kur familja Mara u gjet e vrarë në banesën e saj. Që në hetimet e para policia e cilësoi krim brenda familjes dhe Luan Mara ishte personi i parë i dyshuar. Ai u vu në pranga 9 muaj pas ngjarjes dhe pranoi në detaje krimin, por sipas avokatit ai e ka bërë këtë nën ndikimin e dhunës. Sipas hetimeve të prokurorisë, vrasja ishte bërë për motive të dobëta, për fshehjen e marrëdhënies intime mes Luanit dhe kunatës së tij, me të cilën dyshonte se kishte një fëmijë, ndonëse AND-ja e fetusit dëshmoi të kundërtën.